Futboll

Ja të gjitha vendimet që sot u morën në FFK

27 maj, 2020 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen dhe rrethanat në futbollin e Kosovës. KE analizoi dhe shqyrtoi përgatitjet për rifillimin e garave në Ipko Superligë dhe konstatoi se pas Vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Udhëzimeve të IKSHP-së të gjitha skuadrat kanë filluar stërvitjet për gara. Po ashtu KE konstatoi që FFK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat duke siguruar edhe mjetet relevante për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve. FFK-ja ka siguruar maskat, dorezat, si dhe tunelet dezinfektuese. Ka siguruar edhe testimet për futbollistët dhe stafet e klubeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ndaj edhe të gjitha klubet obligohen që paraprakisht t’u nënshtrohen testimeve, për të marrë pjesë në gara, në të kundërtën nuk mund të zhvillojnë ndeshjet. KE po ashtu shqyrtoi dhe përgatitjet e gjyqtarëve të cilët do t’i nënshtrohen testeve për Covid -19 si dhe testeve fizike e teorike e do të jenë të gatshëm për gara. KE u bën thirrje të gjitha organeve që të kenë vigjilencë të shtuar që garat të përfundojnë në mënyrë sa më të mirë të mundshme.
KE duke marrë për bazë gjendjen e krijuar nga Pandemia Covid -19 dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullsisë dhe në bazë të Vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë lejuar garat vetëm në Ipko Superligë, për ligat tjera mori vendim që të mos zhvillohen garat dhe rezultatet do të merren sipas tabelës aktuale para fillimit të pandemisë, por edhe duke ruajtur edhe mundin e secilit klub. Kështu që, nga Superliga largohen 4 skuadra dhe i bashkëngjitën Ligës së parë, derisa Superligës do t’i bashkëngjitën dy skuadra – KF”Besa” që ndodhet në vendin e parë në tabelë dhe KF ”Arbëria” që ndodhet në pozitën e dytë dhe nga Liga e Parë nuk largohet asnjë skuadër, por i bashkëngjitën KF”Kika dhe KF”A&N” që vijnë nga Liga e dytë dhe që i bie që kjo ligë nga edicioni i ardhshëm do të numërojë 20 skuadra. Edhe nga Liga e dytë nuk largohet asnjë skuadër, por vetëm dy skuadra e Ligës së tretë do t’i bashkëngjitën kësaj Ligë edhe atë, KF”Dushkaja” nga rajoni i Pejës dhe KF”Vjosa” e Shtimes nga rajoni i Prishtinës sikur që edhe nga dy ligat e treta nuk largohet asnjë skuadër. Po ashtu edhe në Ligat e Juniorëve edhe ato të kadetëve garat nuk do të zhvillohen dhe në këto liga as nuk hyjnë e as nuk largohen asnjë skuadër. Të gjitha garat e grup-moshave të reja nuk do të zhvillohen.
KE shqyrtoi dhe garat në Ligën e femrave dhe konstatoi dhe se në dy Ligat e femrave nuk ekzistojnë kushtet për rifillimin e garave, por duke qenë se në konkurrencën e femrave, skuadra kampione merr pjesë në garat evropiane, atëherë dy skuadrat e para KFF ”Mitrovica” dhe KFF ”Feronikeli” që kanë pikë të barabarta do të zhvillojnë një ndeshje përcaktuese ku fituesi shpallet kampion. Vitin e kaluar është hequr elementi i gol-dallimit për të përcaktuar kampionin dhe kampioni përcaktohej në bazë të ndeshjeve të ndërsjella.
Pasi që kjo nuk ka ndodhur, KE mori vendim, që të zhvillohet një ndeshje vendimtare ndërmjet këtyre skuadrave pa shikues. Këto dy skuadra mund t’i fillojnë përgatitjet prej 2 qershorit. KE shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi.

You Might Also Like