Gjilan

Jetojnë në kufi, pa punë e pa siguri


Malësia e Dardanës shtrihet përgjatë brezit kufitar e fshatrat që janë mu në kufi, si Karaqeva e Poshtme dhe e Epërme, lagja e Selishtëve e fshatra të tjera rrallë se kanë ndonjë të punësuar. Karaqeva e Poshtme dhe ajo e Epërmja me rreth 530 shtëpi kanë diku 3200 banorë, në një lartësi mbidetare 550 metra, ku gjysma e tokës është e punueshme, ku pos bujqësisë, zhvillohet edhe blegtoria e pylltaria, por që banorët është e pamundur të sigurojnë plehrat dhe farërat e nevojshme, sikurse edhe teknologjinë bujqësore. Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit, thotë se i janë drejtuar Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural, por sic shton ai për këtë anë nuk pati përkujdesje dhe ndihma është shumë e zbehtë.

E Lenjani, kujton se dikur kjo anë ishte krejt ndryshe. Kaolini i Karaqevës, ku ishte dikur Fabrika e Pllakave, ishin të punësuar mbi 1200 punëtorë. Rreth 100 punëtorë pati vetëm në minierë e tashti ajo është mbyllur, ngase u privatizua dhe kurrë nuk u vu në funksion. Edhe “Humëza” dikur punësonte mbi 160 punëtorë, ku prodhohej humëz për shpime gjeologjike, detergjente, sapunë e prodhime të tjera. Kjo anë kishte edhe antimon, sic ishte rasti me Sedllarin,ku fabrika punoi deri në vitet e gjashtëdhjeta, por që tashti në këto anë nuk po funksionon asgjë, ngase në këto anë u ndalën shpimet gjeologjike, u ndal prodhimi e me këtë edhe u humb punësimi.

“Ka banorë që të pashpresë se mund të gjejnë punë po largohen nga fshati, po ikin në qytet e më shumë po ikin edhe jashtë vendit”, thotë Selver Lenjani.

Problem në vete për banorët e kësaj ane është pasiguria në kufi, ngase sic ka theksuar Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit Karaqevë, xhandarmëria serbe është vizitorë i shpeshtë i këtyre trevave, duke u futur në brendi të territorit të Kosovës. Ai ka kërkuar prani më të madhe të forcave të sigurisë në këtë anë, në mënyrë që fshatarët së paku t’a ndiejnë vetën të sigurt.

You Might Also Like