Muzikë

Kompozitori Agron Elezi, përmes Artit Muzikor lobon për shtetin e Kosovës

 

Mijëra kompozitorë nga mbarë bota kanë konkurruar në një konkurs ndërkombëtar “Creative Composers 2018”. Në mesin e tyre është edhe kompozitori nga Kosova Agron Elezi, i cili është kualifikuar në finalen e madhe.

Rezultatet finale janë të  parapara që të shpallen më datë 16 shkurt 2019, ditë kur do të dihen fituesit.

Shkuarja në finale është e arritur e madhe e kompozitorit tonë, ngase kjo garë ka një konkurrencë shumë të madhe, në të cilën pat konkurrues nga mbarë bota. Ky ishte një Konkurs Ndërkombëtar i Kompozitorëve i organizuar nga Shoqatat dhe Akademitë e mirënjohura muzikore nga Italia dhe Spanja. Vetëm 132 prej tyre u zgjodhën si finalistë në tri live-kategoritë: Për Orkestrën Kamertale, Orkestrën Harkore dhe Orkestrën Simfonike.
Megjithatë, 132 kompozime paraqesin një ngarkesë mjaft të madhe pasi që secili kompozim do të luhet live para Jurisë për vlerësimin përfundimtar. Pra, ata detyrohen që t’i japin më shumë kohë Orkestrës dhe Jurisë profesionale për ta kompletuar përzgjedhjen e fituesve.

Tensioni është rritur pasi që Kosova ka një përfaqësues të vetin si finalist, e aq më shumë që njëri ndër kompozimet e Z. Agron Elezit në këtë konkurs në vete e mban edhe emrin e Kosovës – “Ikja e Vashës Kosovare” (kompozim për flautë dhe orkestër). Pra,  përmes Artit Muzikor kompozitori duket se lobon për shtetin e Kosovës.

Kompozitori ynë Agron Elezi thotë se e mirëpret këtë vonesë të shpalljes së fituesëve, pasi që sipas tij kjo tregon se ata janë shumë seriozë dhe të kujdesshëm në vlerësimin e kompozimeve.

Nuk është lehtë të kontrollohen dhe balancohen 97 instrumente dhe instrumentalistë, aq sa i ka kompozimi i lartpërmendur i përfaqësuesit tonë Kosovar, ku përveç instrumenteve të zakonshme përbërës të orkestrës simfonike në të marrin pjesë edhe 18 këmbona dore, harfa koncertale si dhe celesta.

Përndryshe ky projekt me inicimin dhe menaxhimin e Bekim Rexhepajt (klarinetist dhe saksafonist profesional), si dhe përkrahjen dhe ndihmën teknike të gitaristit legjendar Reshat Beqiri, është mbështetur nga Komuna e Gjilanit dhe është publikuar në YouTube, ku si solo flautiste ishte përzgjedhur Entela Demi nga Gjilani, studente e Akademisë së Muzikës në Pejë.

Përveç këtij kompozimi origjinal të mrekullueshëm të kompozitorit tonë, ai konkurroi edhe me veprën korale “1468” – kompozim për katër zëra dhe orkestër, në kujtim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skëndërbeut. Ky kompozim fascinant, tekstin e të cilit e shkroi vet kompozitori nën mbikqyrjen e Merita Veselit (Master e linguistikës), përveç korit përfshin edhe këto instrumente: klarinetin, fagotat, brirët francezë, tenor trombon, tubë, timpane, bas daulle, pedalet e orgëve, violinat, violat, violoncelot dhe kontrabase. Poashtu edhe ky kompozim është i publikuar në YouTube.

Të shpresojmë që kompozitori ynë të shkëlqejë dhe të rangohet në një ndër vendet e para të këtij konkursi profesional muzikor të nivelit botëror me datën 16 Shkurt 2019, duke thyer barrierat dhe ndërkombëtarizuar muzikën e mirëfilltë artistike shqiptare dhe duke u ngjitur kështu në piedestalet me të larta të kompozitorëve të gjithëmbarshëm shqiptar.

 

Kush është Agron Elezi, kompozitori që po bënë emër në skenën botërore:

 

Agron Elezi u lind në Gjilan  më 24 gusht të vitit 1966. E ëma e tij rrjedh nga një familje e vjetër dhe e mirënjohur qytetare, ndërsa i ati ishte një ndër mjekët e parë shqiptar të Kosovës, i cili si pneumoftiziolog  e luftoi me sukses duke e çrrënjosur sëmundjen e tuberkulozit,  që atë kohë ishte shumë e përhapur në Rajonin e Anamoravës që nga vitet e hershme të shekullit të kaluar. Sot, Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Gjilan, e mban me nder emrin e tij – Dr. Asllan Elezi.

Qysh si fëmijë, filloi të merret me muzikë dhe poezi. Klasa e tij, në shkollën fillore ”Selami Hallaqi” të Gjilanit, e udhëhequr nga mësuesi Sinan Gashi, ishte shpallur klasa me e suksesshme në tërë Kosovën. Agroni ishte anëtar aktiv i grupit muzikor koral shkollor të udhëhequr nga muzicienti Bajram Osmani; anëtar i orkestrës shkollore të mandolinave e udhëhequr nga mësuesja Shyrete Azemi dhe poashtu merrte pjesë në grupin dramatik të udhëhequr nga mësuesi Sinan Gashi, e më pastaj nga arsimtari Shukri Berisha. Me dramën “Do të bëhem, do të bëhem…” të shkruar nga poeti Ali Huruglica, ky grup dramatik, ku Agroni luajti rolin e ushtarit, zuri vendin e pare në garat Krahinore dhe kështu drama u emitua në Televizionin e Prishtinës.

Shkollën e mesme të drejtimit matematikor e kreu në Gjilan si një ndër nxënësit më të dalluar dhe pastaj u regjistrua në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo shumë shpejt kuptoi se ky orientim nuk ishte rruga dhe thirrja e jetës së tij .

Në vitet e 80-ta formoi rock bendin e tij, dhe meqë ishte vazhdimisht i cenzuruar nëpër mediat a atëhershme të Kosovës, shumë shpejt bendi u shpërbë, duke i mbetur besnik dhe pran tij vetëm kitaristi – Reshat Beqiri. Ishte plot revolt dhe nuk i përulej askujt dhe asnjë rregulle të asaj kohe. Edhe pse ishte i padëshirueshëm për media, ai punoi vazhdimisht në planin e krijimtarisë muzikore me muzikantët dhe instrumentalistët më eminentë të Gjilanit. Gjithashtu punoi edhe në studion e mirënjohur të Enis Preshevës në pjesën veriore të Mitrovicës, ku pati si instrumentalist edhe Ilir Tolajn në veprën e tij muzikore “Historia”.

Motoja e tij jetësore është thënia e stërgjyshit të tij: “A ka kush ma nal shpatin!!??” Pra, edhe pse kurrë nuk pati përkrahje institucionale, dhe vazhdimisht rruga e tij ishte plot barrikada, ai vazhdimisht lufton dhe punon në realizimin e projekteve te tija që pothuajse ishin dhe janë vazhdimisht përtej kohës dhe mundësive të mjedisit të tij.

Agron Elezi që nga paslufta e vitit 1999 transferohet dhe jeton larg zhurmës së qytetit në shtëpinë e re të tij – në fshatin Livoç me familjen, shoqen Sheribanën dhe vajzën Doruntinën./kryelajmi.com/.

https://creativecomposers2018.weebly.com/results.html

You Might Also Like