Gjilan

Lutfi Haziri: Inaugurimi i laboratorit me metorën RT-PCR dhe zgjidhja e problemit të oksigjenit, ditë e jashtëzakonshme për Gjilanin

Gjilan, 25 janar 2021 – Ditë historike për Gjilanin e ka vlerësuar kryetari Lutfi Haziri inaugurimin e laboratorit për COVID-19 me metodën RT-PCR, në Qendrën Rajonale te Shëndetit Publik (QRSHP), në ngjarjen që mori pjesë edhe ministrit i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dr. Naser Ramadani.

Haziri e ka falënderuar ministrin Zemaj për mbajtjen e premtimit për t’i sjellë në Gjilan këto shërbime.

“Kjo është vizita e tretë e ministrit Zemaj në Gjilan, në kuadër të parandalimit të COVID-19 dhe jemi falënderues si institucione. Është ditë e jashtëzakonshme për Gjilanin sepse në kohë rekorde janë realizuar dy programe të mëdha, ky i laboratorit për COVID-19 me metodën RT-PCR dhe rezervuari i oksigjenit. Do të vazhdojmë me zbatim të masave në mënyrë rigoroze derisa të hiqet pandemia. Do të vazhdojmë ta ruajmë shëndetin e popullatës nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, duke përfshirë kontrollin e ujit, ushqimit dhe ajrit nga gardianët e shëndetit tonë”, ka thënë Haziri.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ndjehet i lumtur që janë realizuar këto dy programe të rëndësishme për shëndetësinë në Gjilan.

“Sot është përurimi i departamentit të mikrobilologjisë, për t’iu mundësuar qytetarëve të rajonit të Gjilanit testimet RT-PCR. Ky angazhim i përbashkët tregon që ne edhe në ditët më të vështira mund t’ia dalimin me punë të mirëfilltë dhe me dinamik. Kjo do të jetë shumë më e lehtë për qytetarët, për kryetarin Haziri dhe për institucionet tjera. Kemi funsionalizuar edhe problemin me oksigjen dhe sot mjekët e pacientët nuk frikësohen më për këtë”, tha Zemaj.

Drejtori i IKSHPK, dr. Naser Ramadani, ka thënë se kjo është ditë historike për Gjilanin dhe rajonin, në mënyrë që qytetarët t’i kryejnë më lehtë dhe më shpejtë shpërbimet.

“Kemi filluar me një gamë super moderne të diagnostikës së COVID-19, që të ofrohen shërbimet më afër qytetarëve. Gjilani është ndër komunat më të suksesshme të menaxhimit të pandemisë dhe bashkëpunimit të madh me IKSHPK. Do t’ua ofrojmë gjithmonë mbështetjen tonë”, tha Ramadani.

Kurse, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publike, dr. Ajhane Sefiu, e ka falënderuar ministrin Zemaj, drejtorin Ramadani dhe kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe për realizimin e këtij projekti të madh për testim me metodën RT-PCR.

You Might Also Like