Futboll

Nuhiu: Kërkoj nga futbollistët të jemi vetja, të luajmë atë që kërkojmë

FC DRITA ka mbajtur konferencën e rradhës një ditë para ndeshjes së 12-të kampionale ndaj KF Malisheva, takim që zhvillohet nesër në stadiumin “Selami Osmani – BEZI” në Gjilan, ora 13:00.
Për përgatitjet e ndeshjes foli kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Përparim Islami.
Në këtë rast, trajneri Nuhiu theksoi se ndeshja do seriozitet të plotë, ndërsa kërkoi nga futbollistët të tregojnë kualitetin që kanë.
“Kam respekt për kundërshtarin, skuadër që ka treguar se mund të befasojë çdo ekip. Ndeshja don që të qasemi me seriozitetin më të madh dhe do qasje të plotë. Jam i lumtur me fitoren e fundit dhe me formën e skuadrës. Kundërshtari nesër do respekt dhe e kemi ndjerë edhe në lëkurën tonë në ndeshjen e parë se sa me vështirësi e kemi fituar takimin. Do të kërkojë nga futbollistët që të dalin tek vetvetja dhe të mundohen të luajnë mënyrën e lojës që ne kërkojmë”, ka thënë trajneri Nuhiu.
Ndërkaq, futbollisti Përparim Islami vlerësoi skuadrën mysafire, gjersa theksoi se FC DRITA është gati dhe shpreson të marrin tri pikë nga ky takim.
“Nesër kemi ndeshje me një ekip të ri në Superligën e Kosovës, të cilët kanë një grup të lojtarëve shumë të mirë, me përvojë dhe të rinj dhe është një ekip i kombinuar. Ne kemi punuar gjatë tërë javës dhe kemi marrë masat e duhura për këtë takim, për çka shpresoj ta japim maksimumin e të marrim tri pikë të plota. Në ndeshjet e fundit kemi ecuri të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë me rezultate sa me të mira në ndeshjet e mbetura e deri në fund”, ka thënë Islami.
Trajneri Nuhiu u pyet nëse tashmë skuadra është vendosur në binarë për vazhdimësinë e kampionatit, ku ritheksoi se ka qenë faktori kohë dhe mungesa e disa lojtarëve ato që ndikuan në epilogun e disa ndeshjeve.
“Ka qenë çështje kohe sepse kemi pasur ndryshime të shumta dhe përveç ndryshimeve kemi pasur edhe mungesa. Kam potencuar gjithmonë se skuadra po mbrohet mirë, por na mungon krijimtaria në pjesën finale, ngase na kanë munguar sulmuesit. Tani më vjen mirë që ata janë kthyer, të cilët përveç që janë kthyer po ndihmojnë skuadrën me gola dhe kanë marrë formën e tyre të duhur. Kam besim se nga ndeshja në ndeshje do të jemi mirë e më mirë dhe duke u njohur futbollistët njëri me tjetrin, mendoj që do të performojnë edhe më mirë pas çdo ndeshje”, deklaroi trajneri Nuhiu.

You Might Also Like