OPINION

Si do të filloj viti i ri shkollor, në shkollë apo nga shtëpia – online!?

Samir Berisha

Shtatorin e kemi në prag, nga ana tjetër vazhdojmë të jetojmë ende në rrethana pandemie. Shumë nga ne kemi pyetje dhe dilema se si do të vazhdojë mësimi për vitin e ri shkollor në shtator, dhe normalisht ekspertët në MASh janë duke punuar në këtë drejtim.

Për një zhvillim normal të mësimit online, njëri nga kushtet kryesore kërkohet të kenë qasja në internet të gjithë fëmijët-nxënësit, më pastaj pajisjet për kyçje në platforma të ndryshme etj. Pra, fillimisht duhet t’i kesh, pastaj të dish t’i shfrytëzosh-kyçesh dhe t’i zbatosh të njëjtat. Gjithashtu, edhe stafi i mësimdhënësve duhet të jet i përgatitur dhe të jetë në gjendje t’i zotroj disa njohuri bazike të teknologjisë.

Shëndeti është mbi të gjitha, derisa ne ende jemi në kohë pandemie dhe këtu fjalën kryesore padiskutim duhet ta thotë vet shkenca, respektivisht ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës – IKShPK. Doktor Fauçi para pak ditësh tha: “Ende nuk jemi duke e parë fundin e pandemisë”. Ende asnjë burim shkencor deri me sot nuk thotë se në dhjetor 2020 apo në qershor 2021 do të çlirohemi nga kjo pandemi. Andaj, ashtu si jeta dhe ekonomia që duhet të vazhdojë të bashkëjetojë me pandeminë, njësoj edhe arsimi duhet t’a gjejë formën më të mirë për t’u gjendur në këtë situatë.

Nga njëra anë, nëse ekspertët shëndetësorë të IKShPK-së konstatojnë dhe rekomandojnë se nuk ka kushte dhe nuk guxojmë në asnjë version t’i hapim shkollat, MASh duhet t’a përgatisë dhe avancoj platformën e mësimit online në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nga ana tjetër, nëse IKShPK konstaton dhe rekomandon se jeta dhe puna duhet të vazhdojë duke i respektuar strikt masat tani më të njohura për ne si: dezinfektues, përdorimi i maskave, dorëzave dhe distancën sociale, unë mendoj se edhe në arsim duhet të zbatohet e njëjta gjë me disa ndryshime.

Është një numër i konsiderueshëm i shkollave në të cilat numri i nxënësve është i madh, në ato shkolla ku konstatohet se nuk mund të respektohet distanca sociale, në versionin më të keç të mundshëm duhet të ndahet klasa në dy grupe, të cilët duhet t’i vijojnë mësimet me ditë apo javë të ndara sipas një organizimi të brendshëm dhe specifikave të shkollës. Nga ana tjetër, në shkollat ku numri i nxënësve është më i vogël dhe ku kjo distancë mund të respektohet mësimi duhet të vazhdojë normalisht duke i respektuar masat në përpikëri. Pra, në gjitha versionet një nxënës – një bankë në distancë. E kuptoj se është tejet e vështirë dhe komplekse, por situata dhe rrethanat nuk janë në anën tonë dhe duhet kërkuar modalitetin më të mirë të mundshëm, gjithnjë pa rrezikuar shëndetin publik – të nxënësve në këtë rast.

Efekshmëria në mësim-nxënie edhe në versionet më të këqija si ato të fuzionimit të orëve mësimore (2/1 apo…) mendoj se është më e mirë dhe më efektive se në shumicën e rasteve apo versioneve të mësimit online në rrethanat tona socio-ekonomike dhe përgatitore që kemi.

IKShPK duhet ta thotë fjalën e fundit, por si alternativë të përpunuar gjithsesi mendoj se duhet ta ketë edhe një version të ngjajshëm si ky. Për ndryshe, humbjet janë të mëdha…shumë të mëdha edhe pse këto të arsimit nuk shkruhen në numra si në ato të ekonomisë.

You Might Also Like