Gjilan

VV: Në vend të investimeve, Gjilanit po i rriten gropat në rrugë

Të gjithë jemi dëshmitarë se si gjatë verës po ashtu edhe gjatë dimrit po kemi problem në rrugët tona të qytetit. Verës rrugët e dëmtuara dhe të pa mirëmbajtura, asnjëherë të pastruara, madje askush nuk ka qenë i përzgjedhur për t’i mirëmbajtur ato. Dhe e gjithë kjo bëhet me arsyetimin se nuk është zgjedhur  tenderuesi që do ta bëje këtë, e duke harruar se janë vet ata që kanë shkelur rregullat e tenderit. Por sikur kjo të mos jetë mjaftueshme kështu po ngjet edhe në periudhën e dimrit, rrugët nuk pastrohen nga  bora dhe akulli, dhe për këtë kemi ankesa të shumta nga qytetarët, madje i kemi parë të publikuara edhe në rrjetet sociale, jo vetëm me fjalë dhe por edhe me fotografi. Tash kur bora është shkrirë duket se në çfarë gjendje janë rrugët tona, gjithandej gropa, ca prej rrugëve tashmë me ujë e brenda tyre gropa të njëpasnjëshme, në të cilat qytetarët me automjetet e tyre e kanë shumë të vështirë të ecin.

 

Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në seancën e fundit të Kuvendit të mbajtur në fund të muajit janar, tha se nuk e ka hallin nëse kanë qytetarët shkolla dhe ambulanca që i plotësojnë standardet, sepse prioritet i tij është ti shpëtojë qytetarët tanë nga lloqi. Nga lloqi që ai e ka bërë vet, nga mosinteresimi për të investuar aty ku duhet dhe ku nevoja është më e madhe.

 

Çështja e shtrimit të rrugëve, ka qenë prioritet i çdo qeverisje në Gjilan, por të jet prioritet edhe për një “kryetar” që krenohet se po mbanë mandatin e tij të dytë, në fakt është dështim dhe turp karshi qytetarëve të komunës tonë. Shtrohet pyetja çfarë bënë drejtoria e shërbimeve publike, për çfarë po shërben taksa e qytetarëve për rrugët, të cilën qytetarët e paguajnë me rastin e regjistrimit, kur i kemi rrugët në këtë gjendje. Deri kur qytetarët do të durojnë këtë gjendje?! Kush do t’i zhdëmtoj dëmet e automjeteve të qytetarëve, që janë shumë më të kushtueshme, se sa kushton mirëmbajtja dhe kujdesi për rrugët, para që qytetarët kanë paguar. 

 

Fatkeqësisht, qytetarët e Gjilanit më shumë janë mashtruar sesa që i janë realizuar kërkesat e tyre të kthyera në premtime te fushatave zgjedhore të Lutfi Hazirit. Shumë rrugë janë shkatërruar, me pretekstin se po ndërtohen, duke e shkatërruar edhe trotuarin dhe duke ia bërë gati se të pamundur qasjen e kalimtarëve në to, e sidomos tani gjatë muajve të dimrit.

 

Paramendojeni, çfarë mund ti ndodhë një prindi, i cili teksa ka marrë fëmijën nga shkolla dhe ka kaluar rrugën e shkollës drejt qytetit në një tmerr të frikshëm, si mungesë e ndriçimit publik, janë ndjekur nga qentë endacak, sepse të tillë kemi ngado në qytetin tonë dhe përfundon në një grope të madhe të hapur në trotuar e të lënë të tillë për një kohë të gjatë. Dhe kjo realisht mund të na ndodhë secilit nga ne, nëse tashmë si ka ndodhur ndonjërit.

Prandaj, ne sot e kemi organizuar këtë aktivitet, jo për ti bërë thirrje kryetarit dhe institucioneve që të reflektojnë, sepse e kanë obligim ta bëjnë, por për ti paralajmëruar qytetaret për vendet ku mund të kenë rreziqe nga gropat në rrugë. E dimë, që komuna “ndanë” mijëra euro për dhënien e tenderit për sinjalizimin e rrugëve, ndërsa na detyron neve që në baza vetanake të vëmë shenja sinjalizuese mbi mijëra gropa që gjenden në qytetin e tone. Këto gropa që dikur ishin të vogla, sot u rritën edhe për nga forma edhe për nga numri, e Gjilanit në vend se ti rriteshin investimet e ndërtimet e infrastrukturës, i janë rritë gënjeshtrat, mashtrimet dhe manipulimet me qytetarët e vet.

You Might Also Like