Xhelë Muçibaba, ish-nxënësi i parë shqiptar nga fshatrat e zonës kufitare të Gjilanit, ka përjetuar shumë sfida e pengesa në jetën e tij, qoftë si nxënës i vetëm shqiptar në një shkollë serbe, qoftë si mësimdhënës, më vonë.
…………………….
Xhelë Muçibaba ishte fëmija i parë në fshatrat e Karadakut, që kishte vendosur të mos e pranonte analfabetizmin, që në këto vise ka ekzistuar deri vonë, prandaj ishte drejtuar në fshatin Pasjan, për të ndjekur shkollën në gjuhën serbe. Në këtë mënyrë, ai kishte trasuar një rrugë të re për fëmijët tjerë të këtyre fshatrave të largëta të Gjilanit.
Xhela nuk e kishte problem vetëm rrugën e gjatë që duhej të bënte fillikat, deri në Pasjan, por edhe gjuhën në të cilën zhvillohej mësimi. Në fillim, as serbishten s`e dinte fare. Asnjëri nga shokët e shkollës nuk kishte dëshirë të shoqërohej me një fëmijë shqiptar. Për disa kohë Xhela ishte i vetëm, mes atyre që për shqiptarët gjithmonë kishin urrejtje.
Më vonë iu bashkëngjit edhe Shaban Zymberi. Xhela ishte shumë i gëzuar që nuk e bënte më rrugën vetëm dhe kishte me kënd të ndërronte një fjalë në gjuhën amtare, jashtë orës mësimore. Për më tepër ishte i lumtur që po shkollohej edhe një fëmijë shqiptar. “Kur u bëmë dy, më dukej sikur në shkollë po shkoja me kalë dhe jo në këmbë”, rrëfente ai.
Pasi kreu me sukses shkollën tetë vjeçare, Xhela u regjistrua në shkollën Normale në Gjilan. Derisa ishte gjallë, rrëfente ngjarje interesante nga jeta e tij e bujshme.
Një rast interesant nga jeta e tij si nxënës, i ka ndodhur në kohën e demonstratave të vitit 1968, në Gjilan, ku kishte marrë pjesë tërë klasa. “Ne nuk ishim organizatorë, por u rreshtuan përkrah Vahide Hoxhës, Fetije Bajramit, Minivere Kastratit, Abile Maliqit, Vildane Ahmetit dhe të tjerëve dhe kur u kthyem për së dyti herë para Komitetit të atëhershëm komunist, aty më kapi për krahu një person që deshi të më ndalonte, por unë arrita t`i shkëputem prej duarve të tij”.
Këtë njeriu, ai do ta takoj në një rast tjetër, pas shumë dilemave që ta ndërpriste shkollimin, sepse nuk kishte kushte. “Babai vdiq dhe ne ngelëm tre jetimë. Shpeshherë nuk kishim bukë për të ngrënë. Nuk kisha zgjidhje tjetër, pos të kthehesha në shtëpi. Por, se kush më nxiti që të kërkoja bursë, si fëmijë i vetëm në shkollimin e mesëm nga fshati”.
Për këtë, duhej të trokiste në dyert e Komitetit. Rrugë tjetër nuk kishte. Shkollën e donte shumë, aq shumë sa filloren e kishte bërë në gjuhën serbe. “U befasova kur brenda atyre zyrave pashë personin që më kishte zënë për krahu, ditën e demonstratave”.
Njëherë deshi të largohet, pa treguar qëllimin e vizitës. Pas dy javësh, njoftohet se bursa i ishte ndarë. Më vonë kishte kuptuar se ai personi që ky ia pati frikën se do ta dërgonte në burg, kishte qenë Zija Novobërdalia. Xhela thotë se nuk duhet t`i akuzojmë të gjithë shqiptarët që kanë punuar në atë sistem, sepse mes tyre ka pasur edhe të ndershëm dhe që janë munduar të ndihmojnë popullin e vetë.
Në gjithë këtë histori të papërfunduar, mësuesi Xhelë Muçibaba rikujton edhe një ngjarje tjetër, e cila ka ndodhur në filloren “Milladin Popoviq” të Pasjanit, ku ai kishte lëshuar një këngë shqipe, derisa serbët po kremtonin ditën e shkollës. Me shpejtësi kishte reaguar një arsimtar serb, për ta shkëputur altoparlantin. Drejtori i shkollës i kishte urdhëruar serbët ta rrahin për shkak se kishte lëshuar këngë shqipe midis fshatit serb, por në të vërtetë, të rrahur kishin përfunduar ata që e kishin sulumuar.
Por, pastaj Xhelës i është dashur të shkojë në shkollë me revole. Pas mbarimit të shkollimit, prej vitit 1970, filloi të punojë si mësues në vendlindjen e tij, ku dha kontribut të madh në shkollimin e të rinjve, sikurse edhe në ngritjen e vetëdijes për nevojën e një arsimimi të popullatës së këtyre trevave.
Pas përfundimit të luftës, më 1999, u shpërngul në fshatin Velekincë dhe aty punoi deri në pensionim. Xheladin Muçibaba rrjedhë nga një familje me traditë atdhetare. Është trashëgimtar i emrit të Xheladin Kurbalisë. Gjatë jetës së tij në profesionin e mësuesit, është përballur me vështirësi e pengesa të shumta, por i ka përballuar të gjitha. Ka dhënë kontribut të madh në pajtimin e gjaqeve, në kurset për zhdukjen e analfabetizmit dhe aktivitete të tjera, të cilat janë bërë për të mirën e kombit.
Mësuesi Xhelë vdiq pa e përfunduar rrëfimin e tij për jetën.
ILMI MUSLIU