Arti pamor

80 vitet e fundit të Shkodrës në një album fotografik

Hapet ekspozita “Shkodra familja ime, biçikleta ime, historia ime”

 

24 fotografi bardh e zi të realizuara që nga viti 1935 e deri në vitin 1989 nga fotografë amatorë, por edhe nga maja e fotografisë shqiptare – Gegë Marubi – iu paraqitën mbrëmë për herë të parë publikut në një ekspozitë me tematikë biçikletën.

E titulluar “Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime” ekspozita e organizuar nga GO2 u hap në Muzeun Historik të Qytetit dhe do të qëndrojë deri me 2 Nëntor, për t’u zhvendosur më pas edhe në Tiranë.

Në fjalën e hapjes, organizatorja Eltjana Shkreli nderoi me një minutë heshtje një nga pedaluesit më të njohur shkodranë, ish-deputetin e PD – Gilman Bakallin – i cili u nda nga jeta para pak ditësh – ndërsa në shenjë homazhi, portreti i tij ishte e vetmja fotografi me ngjyra në ekspozitë.

Më pas përshëndeti edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila premtoi vëmendje më të madhe për aktivitetet e kësaj natyre, si dhe për politikat e lëvizjes urbane në qytet.

Ekspozita përmban 24 fotografi të përzgjedhura nga konkursi i shpallur nga Organizata GO2 në Gusht të këtij viti. Në konkurs morën pjesë 26 konkurrentë të cilët paraqitën 66 fotografi bardh e zi, të realizuara para vitit 1990. Ata sollën fotografi nga albumet familjare dhe pranuan t’i bëjnë publike historitë e tyre, disa të bukura, por disa edhe tepër të dhimbshme, si rasti i vdekjes së vogëlushes 4-vjeçare, pak ditë pas daljes në njërën prej fotografive konkurruese.

Në bazë të vlerësimit të jurisë, 12 fotografitë më të mira u përfshinë në albumin me të njëjtin titull, i cili u promovua po mbrëmë, në hapësirat e ekspozitës “Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime”.

Kjo është hera e parë që në Shqipëri botohet një album me fotografi të mbledhura përmes metodologjisë së hulumtimit të fondit personal. 26 fotografitë e përfshira në album janë ndarë në 3 tema: “Familja ime”, “Biçikleta ime” dhe “Historia ime” dhe përbëjnë në vetvete një ansambël të harmonizuar mirë mes periudhave historike, si ajo e mbretërisë, e pushtimit, e diktaturës, por edhe e pasviteve ’90 e deri në ditët e sotme.

Duke folur në emër të jurisë, antropologu i njohur Prof. Përparim Kabo kujtoi artisten e madhe shkodrane Marie Logoreci, e cila ishte gjithashtu një nga pedalueset e pakta femra të viteve ’50, duke përshkuar madje me biçikletë, rrugën nga Shkodra në Tiranë, me bashkëshortin e saj.

Edhe anëtari tjetër i jurisë, studiuesi i artit Ermir Hoxha, përgjegjës i Galerisë FAB të Universitetit të Arteve në Tiranë, foli për vlerat artistike të fotografive të paraqitura.

Ekspozita dhe promovimi i albumit “Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime”, përmbylli Ditën e Biçikletave, të organizuar nga Bashkia Shkodër, Organizata për Lëvizje të Qëndrueshme Urbane GO2, si dhe OJF The Door.

You Might Also Like