Sherafedin Kadriu
Këtë vit heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është aktualizuar në letërsinë tonë, për shkak të shpalljes së vitit 2018, Vit Kombëtar të Skënderbeut, nga dy Qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij. Ç’është e vërteta, prania e figurës së heroit tonë nuk është se ndonjëherë ka munguar, ajo ka qenë e pranishme në kohë gëzimi e hidhërimi, sa herë patëm nevojë për të. Pra, asnjëherë nuk pushoi nevoja, asnjëherë nuk u ndalën krijimet për një përjetim e shqiptim të ri të historisë sonë.
Poezitë më të reja kushtuar figurës së tij, të cilat po botohen në revistën “Agmia” të këtij numri (22), veçohen edhe me ndonjë ide kritike për qenien tonë në radhë të parë, sa fitohet përshtypja se nuk kemi të bëjmë me Vit kombëtar, por se diçka e gjithçka ka marrë tatëpjetën nga kombi ynë. Një dozë nihilizmi ndoshta e arsyeshme ndonjëherë.
Po, a jemi vërtetë në këtë stad trishtimi?
Nëse pranojmë misionin e artrit –synimin e tij për të dëshirueshmen pa ekuivok, nëse herë tjetër arti çrëndomëson (sipas V. Shklovskit) situata arritjeje për tërheqje vërejtjesh për vetëkënaqësinë që duket se na ka kapluar, atëherë ky është arti. Ndryshe pse të quhej art? Pse të quhej imagjinatë? E, imagjinata krijuese nuk do të ishte e tillë nëse do të përsëriste, punë e parë e saj është reflektimi kontekstual.
Reflektimi kontekstual – në poezinë e titulluar E di, të Ibrahim Kadriut, e shpërfaq gjendjen si pasqyrim, përsiatjen si emocion dhe jetiken si ironi të fatit të vet. Poezia është një monolog për Skënderbeun , siç e ka ndërkallur sqarimin përkushtues poeti, që del të jetë strukturuar e strofëzuar dhe e rimuar kryqas: ABAB. Rima e tillë i ka dhënë poezisë harmoni, rrjedhë të lehtë e të lirshme.
“Monologu” i poetit nis si përsiatje për vendndodhjen e Gjergjit në vend të huaj e të largët, në Stambollin e Sulltanit, ku nuk gjen tjetër, pos rrugëve të mbytura me ankth, gjak e pluhur, atje ku nuk arrinte të gjente këngët dhe frymëmarrjen e duhur. Atje ku, kujtimet e mbanin syçelë me shikim në fëmijëri. Bashkë me ndërmarrjet e Gjergjit, a pakëz pas tyre, lëshon shatat edhe poezia. Kalon nëpër zallahi që përshkojnë rrugën e gjatë të kthimit në Atdhe, me shpatën që shndriti dhe rrëfimin që me forcë mbajti nderin dhe kurrë s’mbaroi:
Edhe sot e gjithë ditën qëndron si mburrje, vazhdon të ruhet
Ushqim i përhershëm brezash dhe festë shekujve u krijoi.
(I. Kadriu), E di)
Jo rrallë, të tjerë popuj kanë synuar ta përvetësojnë Gjergjin, ta bëjnë të tyrin. Pse bëmat e tij i adhuron gjithkush, edhe armiku i tij bëri kështu. Ka një natyrshmëri në përpjekje për përvetësim. Bile, edhe e kundërta, kur pati përdhosje nga kampe kundërshtarësh. Kjo është logjika jonë. Të tjerët mund të mendojnë ndryshe. Ama, nuk arrijmë të kuptojmë assesi se ka edhe shqiptarë që përdhosin figurën e trimit kombëtar. I kemi parë dhe i kemi dëgjuar të tillët. Nuk është numri i tyre i rëndësishëm. Një a disa qofshin. E, mu këtë gjendje e pasqyron ndjenjësimi i derdhur artistikisht në vargun poezisë së përmendur:
Harrestarë të vetvetes se si mëkatojnë e të dalin në pritë
Si trungu i kalbur që tutje në tretje – rrënjën e vet s’e njeh.
(I. Kadriu), E di)
Portretizimi i qëlluar! Mos qofsha në lëkurën e tyre! Të kotë e kanë. Nuk arrijnë asgjë në këtë rrugë të turpit, që do t’ua zbulojë gjurmët kurdoherë. Dhe “monologu” i Ibrahim Kadriut, për Skënderbeun, s’ka sesi të përfundojë ndryshe, pos si i dialogëzuar, si sqarim, herë si lutje e përgjërim, herë si betim:
E di se do vazhdosh të qëndrosh krenar aty ku ishe gjithmonë,
Pavarësisht vjelljeve, m’i falë ditët me kokën mbajtur lart,
Duke i dhënë shije të këndshme kësaj të përditshmes tonë –
Me shtimin e ëndjeve që i kemi – për ta pasur frymën tënde ngat.
Poeti tjetër, Sarë Gjergji, 550 vjet më pas, që në krye të poezisë i është drejtuar “shenjtërisë së Arbërit” të madhit Gjergj Kastriotit: Ç’është mungesa jote ynëzot? E shtruar si përgjigje, poezia ndjek një shkallëzim që në secilin syresh përmblidhet nga një trishtim, e trishtimi më i madh nuk është vdekja në çfarëdo varianti që të vijë, – trishtimi më i madh është “të përjetosh në çdo qelizë tmerrin e mynxyrshëm të vdekjes së përditshme”, jo si individ gjithsesi.
Dy tercetet me një distik të lirë në mes, paraqesin një tip diatribe letrare, që ruan në brendësinë e saj filozofinë antike greke, akuzash të rrepta e qortimesh pa pardon, po jo ndaj të tjerëve, përkundrazi, ndaj vetë qenies sonë, që bëhet e verbër e shurdhmemece, e nuk reagon, kur dikush përdhos shenjtërinë e Arbrit (Ç’është mungesa jote, ynëzot?) Mu këtu, në këtë tokën tonë që është bërë Tabelë Qitjeje me kanune e plumba, këtu ku bota është çarë herët më dysh, në Lindje e Perëndim, do të rezonojë poeti tjetër, Prend Buzhala. Rezonimi i tij përplaset i inatosur drejt gjithësisë, pa cak, nga frika se Arbëria mund të mbetet pa arbërorë!
Tashmë, poeti është në kulmin e hidhërimit edhe në Krijuesin e gjithëfuqishëm e të gjithëdijshëm që do të lejonte diçka të tillë:
E si mund të ketë Perëndi pa arbër e shqiptarë,
edhe nëse ai ekziston, ai s’është i vërteti.
Nuk është blasfemi. Është ndërdyjë e ndjerë thellë në pore, në thellësinë e shpirtit të trazuar me ç’po ndodh këto kohët e fundit. E sipas tij gjërat duken edhe më keq se sa i shohim ne:
E kur shekujt po na i rrëmbejnë, me dëshmitarë të rremë,
O Zot, sa shumë breza stërgjyshërish, vijnë e na flasin
Pyesin: çka po bën ky popull i shushatur?
pyesin: kush po u prin e kush po u tradhton,
pyesin: kush po përçan e kush vëllezërit i ndan,
pyesin: kush kthen shpinën majtas e kush djathtas,
pyesin: cili shqiptar mbi shqiptarin po ngre dorë?
Pyesin: cila është ajo shpi që s’ka zot shtëpie?
Se ka nga këto probleme të radhitura nga Buzhala, e njeh përgjigjen edhe Borgesi “i Sarë Gjergjit”, ndoshta edhe Markezi, se të dy janë të mëdhenj në Vetminë e tyre Qindvjeçare. Po përgjigjen që njohin dhe që dinë ta japin mijëvjeçarët shqiptarë, të djegur dashurish dhe ëndrrash, ndjenjash e ngjyrash, bile edhe dhembjesh, vetëm për të qëndruar vertikalisht në Kosovat tona, me kaq shumë të prera në mes, – nuk e gjen kund.
Shiko se sa guximshëm, pa farë frike i presin trokëllimat e kuajve t’harlisur n’gjoksin e tij, shiko sesi kanë “guxim t’përballen me ta, me besimin se mund t’i frenojnë (Sarë Gjergji, Ç’është mungesa jote ynëzot?), se nuk janë shumë, një grusht njerëzish që e kanë leçitë, do të thoshte poeti tjetër Avni Rudaku. Ndonjëri prej tyre, edhe ka shkarë gjer aty sa:
ia ka dhënë një shuplakë si hakmarrje
që nuk i ka hapur këmbët kur kanë ardhur sulltanët kësajde
(Avni Rudaku, Skënderbeu pa duar).
Mos u habitni, se Gjergji është Atdheu, e Atdheu të falë, nuk të mban mëri, se ka nevojë për vetëkorrigjimin tënd, por ama ti ke nevojë më shumë për Atdheun, e nëse nuk e ke ditur, shfletoje pa paragjykime identitetin tënd!
Ja kështu, siç ka vepruar poetja, Genta Sahiti, e cila s’ka as ndërdyjen më të vockël për identitetin, prandaj shkon më tej se etnikumi, ia lan gjakun Gjergjit me gjakun e saj:
Gëzohem si fëmijë kur mendoj
Se në gjakun tim
Lahet gjaku yt …
Ti nuk mplakesh, brenda nesh
Rri zgjuar.
(Genta Sahiti, Mall në brirët e artë)
Në sa currila gjakrash arbërorë ka rrjedhur gjaku i Gjergjit, në teh shpate çurg ka shkuar për një rreze të lirë Kruje, e jo për të fituar famë, prandaj Tërë krenarinë e marrim n’ty, do t’i drejtohet poetja me të drejtë Mbretit, sepse epoka e tij qe udhërrëfyese për brezat më pas, në kohë të pa kohë. Kush e do, e kërkon, kush e kërkon, e gjen, ashtu siç e gjeti Genta, o në Vjenë, o në shkabën dykrenore, e tek e fundit edhe në një shishe të vjetruar konjaku, në ndonjë raft të shtëpisë së vjetër. E kanë thënë trimat me gjakun e tyre, e kanë thënë poetët me vargun e tyre, e kush nuk e ka thënë se përmbi pesë shekuj, apoteozë jete, qëndrese e mbijetese patëm figurën e Gjergjit. Për mbijetesën, pakëz ishte apoteoza e misrit!
Nikolla Spathari, një tjetër poet, vjen me poezinë shumë të goditur artistikisht, me titullin Shi në fushat e Arbërit. Qëllimisht e lamë për fund sepse poezia e tij shtron ndryshe objektin poetik, krahasuar me poezitë që i vështruam më sipër. Ajo sjell një Atë të mirë, sogjetar e mendimtar, gajle shumë e urtak. Edhe këto i ka për detyrë prijësi. I tillë ishte Gjergji, që teksa vështron nga një beden i kalasë së Krujës, i kënaqet shiut vjeshtarak dhe bujqve tek mbillnin grurë. Ai bekon shiun si të parët e tij, ilirët e lashtë në tempujt paganë. Nesër, në beharin e ri, taborët e gjatë do të zgjateshin si jeshili i zi, do të zgjateshin kot. Kotësia e ardhjes së tyre, e dëshmuar historikisht, zbërthehet artistikisht me dy vargje:
Fushat nën shi sfidonin çdo pushtim
Gruri dhe shpata thyenin çdo sulltan.
Në mbyllje të këtij vështrimi, do të thoshim se një dozë nihilizmi e hedhur në ajri, në ndonjë poezi, nuk paraqet tjetër, përpos një thirrje kuptimplote për t’ia prerë rrugën të keqes së sapo shfaqur dhe të shpallur jo vetëm gojarisht. Vetëm në këtë krah duhet zgjuar reflektimin poetik të poetëve të këtyre poezive, se ndryshe nuk do ta “lexonim” drejt mesazhin e strukturuar artistikisht, e të sforcuar medoemos.
_________________________
Shkrimi si dhe poezitë e autorëve të përmendur, publikohen në numrin 23 të revistës letrare – kulturore AGMIA