OPINION

IDRIZ SEFERI-UDHËHEQËS I KRYENGRITJES SHQIPTARE NË MORAVË E KARADAK MË 1910

aliriza  Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani

Pas betejës treditëshe të përgjakshme dhe rikthimit të Grykës së Kaçanikut,  ushtria osmane nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, nga frika e riorganizimit të kryengritësve për ta rrezikuar grykën, më 2 maj 1910, i shpejtoi operacionet në drejtim të Moravës së Epërme dhe të Karadakut, nga ku u tërhoqën kryengritësit duke vazhduar rezistencën. Ndërkohë në mbrojtje të Grykës së Kaçanik kishte stacionuar 8 batalione të Osman Pashës, kurse në kodrat e Kaçanikut ishin vendosur 4 topa të mëdhenj me tyta kah Morava e Epërme, ku deri më 3 maj ishin djegur 4 fshatra shqiptare.

Dokumentet e kohës provojnë se gjatë javës së parë të muajit maj 1910, pati  përleshje të shumta të armatosura ndërmjet kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga strategu i shquar Idriz Seferi e të tjerë me ushtrinë osmane në shumë fshatra të Moravës së Epërme, në Karadak dhe në Grykën e Konçulit. Përkundër të dhënave të shumta konsullare e të tjera, është vështirë të paraqitet një pasqyrë e plotë, sepse raportet e konsujve lidhur me këto ngjarje, janë të ndryshme shpesh madje konradiktore, sidomos kur është fjala për numrin e ushtarëve dhe kryengritësve të vrarë e të plagosur.

Pos ushtrisë së grumbulluar në Ferizaj, Shefqet Turgut Pasha vuri në veprim Divizionin e Mitrovicës dhe Garnizonin e Prizrenit. Në ndërkohë Ministri i Luftës Mahmut Shefqet Pasha, i cili kishte marrë komandën e operacioneve së bashku me Valiun e Kosovës Maz’har beun kishin shkuar në Ferizaj, për të qenë sa më afër operacioneve në vazhdim. Para se të fillonin operacionet, Turgut Pasha i kishte dhënë udhëzime me shkrim dhe në detaje njësive ushtarake, me urdhër që nëse në ndonjë fshat ushtria kundërshtohet me pushkë, fshati të rrafshohej për tokë me topa.

Me që mosnjohja e terrenit do ti kushtojë ushtrisë osmane, në cilësi të udhërrëfyesve do të merren njerëz të terrenit e sidomos mësuesit serbë, të cilët, përmes konsujve në Shkup dhe Prishtinë, kishin marrë udhëzime nga Serbia që t’i viheshin në shërbim ushtrisë osmane, por duke patur kujdes për t’u mos u zbuluar nga shqiptarët.

Para operacioneve të ushtrisë osmane që përcilleshin me masa ndëshkimore, familje të tëra nga Morava e Epërme morën arratinë për t’u strehuar në viset malore të Gallapit e Karadakutdhe dhe në Gjilan e rrethinë. Lidhur me këtë konsulli serb në Prishtinë i njoftonte eprorët e vet se rrethina e Gjilanit ishte përplot familje shqiptarësh të ikur nga ushtria, ndërsa vetëm në qytet ndodheshin rreth 200 familje sosh.

Një pjesë e kryengritësve nën udhëheqjen e shtabit të kryengritjes në krye me Idriz Seferin, gjatë tërheqjes nga Gryka më 1 maj 1910, sulmuan ushtrinë te Guri i Shpuem dhe Gjurgjedolli pranë Kaçanikut dhe pastaj duke e pa se ushtria osmane po i dilte pas shpinës, kishin zënë pozicionet në Qafën e Drenogllavës afër Nikocit, ku më 2 maj, u zhvillua një luftë e përgjakshme ku pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dy anët. Për numrin e madh të ushtarëve të vrarë e të plagosur në këtë vend flasin të dhënat dokumentare dhe ato memoriale. Lidhur me ashpërsinë e kësaj lufte konsulli serb në Shkup në raportin e tij do të shkruaj: “Gjykuar sipas luftimeve te Guri i Shpum, dhe të Gjurgjedolli edhe te Nikoci, shqiptarët e Gjilanit kanë bërë rezistencë të ashpër e cila deri më tani është rezistenca më e fortë”. Nga të dhënat e mësipërme dhe ato memoriale nga pjesëmarrësit e ngjarjeve, del se Beteja e Drenogllavës konsiderohet si më e përgjakshmja pas asaj në grykën e Kaçanikut. Edhe historiani turk Sylejman Kylçe pohon se këtu ishte zhvilluar një beteje e rreptë, me ç‘rast ushtria turke (osmane) kishte humbur (të vrarë apo plagosur) 8 oficerë dhe 113 ushtarë, ndërsa, sipas fjalëve të vetë kryekomandantit dy batalione kishin shtënë kundër njëri tjetrit për shkak të rrëmujës së krijuar. Në realitet këtu u gjendën të rrethuara dy njësi  të mëdha osmane nga shumë anë prej shqiptarëve. Në një rast gjatë kësaj lufte prisi i kryengritësve të kësaj ane Idriz Seferi kishte qenë i rrezikuar nga një njësit ushtarak, por me ndihmën e Halim Beguncës dhe çetës së tij ia arritën të çanin rrethimin, duke vrarë 10-12 ushtarë osman.  Në shenjë hakmarrjeje ushtria osmane bombardoi me artileri Nikocin dhe Drenogllavën.

Ndër përleshjet e para të zhvilluara në Moravën e Epërme ishte ajo në veri të fshatit Korbliq, ku morën pjesë kryengritësit vendës dhe ata të anës së Gjilanit, të cilët gjendeshin në jug të Kaçanikut. Këtu për disa orë rresht ishte zhvilluar një luftë mjaft e rreptë me njësitë osmane që po depërtonin nga Shkupi, me ç‘rast nga të dy palët kishte të mjaft të vrarë e të plagosur, ndërsa në fund fshati u dogj. Më 3 maj 1910, një përleshje u zhvillua në Komogllavë midis kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Esat beu, ku ushtrisë osmane iu shkaktua humbje në 60 ushtarë të vrarë dhe 30 të plagosur. Në këtë luftë kryengritësit kishin zënë 4 topa nga ushtria osmane. Një përleshje mjaft e rreptë ishte zhvilluar edhe në vendin malor të quajtur Udha e Kuqe, në mes të Smirës dhe Nikocit, ku ishin ballafaquar kryengritësit e rrethit të Gjilanit dhe njësive ushtarake që po vinin nga ana e Pozharanit dhe trupave kryesore nën komandën e Turgut Pashës. Në këtë përleshje pati mjaft të vrarë e të plagosur nga të dy anët, por ushtria osmane pati humbje të dukshme, në radhët e të cilës ishte krijuar tollovi dhe ishte bërë dorëzimi dhe çarmatosja e 4 batalioneve të ushtrisë. Më pas, ushtarët e zënë robër iu dorëzuan autoriteteve osmane në Gjilan. Për numrin e madh të ushtarëve të vrarë flasin edhe varrezat e shumta në këtë vend.

Në të njëjtën kohë nga Shkupi u nis një kolonë ushtarake në drejtim të Kumanovës e Bujanocit, për t’i sulmuar kryengritësit prapa shpine. Por, në të hyrë të Grykës së Konçulit hasi në qëndresën e kryengritësve të anës së Gjilanit dhe të Preshevës, nën udhëheqjen e Murat Bresalcit, të cilët kishin zënë pozitat në grykë me qëllim të ndalonin kalimin e ushtrisë nga kjo anë. Luftimet ishin të rrepta për 2 ditë (2-4 maj) dhe vetëm pas arritjes së forcave ushtarake nga Azia e Vogël nën komandën e Xhavit Pashës, të cilët vunë në përdorim artilerinë e rëndë dhe i detyruan kryengritësit të tërhiqen në drejtim të Karadakut dhe Moravës së Epërme.

Për sukseset e kryengritësve shqiptarë në këto luftëra dëshmojnë raportet e konsujve serbë në Shkup dhe Prishtinë. Kështu, konsulli Rakiq, përmes një telegrami të 4 majit, i njofton eprorët e vet se në Rrethin e Gjilanit “tani e tri ditë rresht po zhvillohen luftime të ashpra”, duke potencuar heroizmin dhe moralin e lartë luftarake të kryengritësve shqiptarë të cilët te fshati Smirë e kishin thyer ushtrinë osmane me katër batalione, ishin zënë rob shumë ushtarë me armë e municion e topa si dhe tenda e komandantit. Përleshje të ngjashme, kur shqiptarët i sulmonin njësitë ushtarake nga prita, pati edhe në disa vende të tjera, si te Goshica, Sadovina, Binça, Seferët, Kurbalitë, në afërsi të Pozharanit e gjetiu. Në shenjë hakmarrje për këto veprime, ushtria osmane ua kishte vënë zjarrin fshatrave Binçë, Kabash, Pozharan, Goshicë e Vërban.

Në këto luftëra pos shumë të vrarëve e të plagosurve, pati edhe shumë ushtarë të zënë rob, pastaj municion, armë, kuaj, topa e material tjetër luftarak. Ushtarët e zënë rob i dorëzoheshin organeve të pushtetit në Gjilan e gjetiu. Mosgatishmëria dhe morali i ushtarëve osman për luftë kundër shqiptarëve kishte rënë, flasin edhe të dhënat e kohës. Kështu konsulli francez në Shkup do të raportojë eprorëve të vet: “Këtyre ditëve ushtarëve osmanë u ka hyrë frika në palcë. Ata mendojnë se pas çdo shkëmbi fshihet një shqiptar”. Ndërkaq shqiptarët treguan trimëri dhe gatishmëri për luftë dhe ishin njohës të mirë të terrenit. Në këtë aspekt veçohen guximi dhe aftësitë strategjike të udhëheqësve të kryengritjes, në radhë të parë të Idriz Seferit, i cili dy herë zyrtarisht ishte shpallur i vrarë. Për këtë kishin shkruar edhe gazetat e kohës. Megjithatë, siç deklaron konsulli Rakiq, “Idriz Seferi është kah ndihet shumë mirë dhe se në të gjitha luftërat është treguar trim dhe prijës i shquar ushtarak.” Duhet shtuar se udhëheqësit e këtyre anëve të prirë nga Idriz Seferi, në bashkëveprim me prijësit tjerë shqiptarë, ishin të vendosur të qëndronin të patundur dhe t’i prijnë popullit deri në fitoren e plotë pa marrë parasysh sakrificat. Kjo shihet edhe nga deklarata e Idriz Seferit dhënë shtypit të huaj, ku ndër të tjera deklaron: “Shqiptarët i kanë rrokur armët për ta fituar autonominë e tyre. Kjo kryengritje ka një karakter të përgjithshëm. Andaj nuk do të përfundojë aq shpejt edhe nëse njësive turke u shkon për dore që të kenë mbisundim të përkohshëm në Shqipëri. Shqiptarët nuk i frikohen vdekjes, kështu që do të qetësohen vetëm kut t’i fitojnë të drejtat e tyre..”.  Deklaratë, e cila koincidon me përgjigjen e Ismail Qemalit dhënë korrespondentit të gazetës italiane “Giornale d’Itala”, në të cilën pos tjerash kishte deklaruar: “Shqiptarët nuk do t’i lëshojnë armët gjersa të mos merren parasysh kërkesat e tyre të drejta…”.

Do theksuar se në këto luftime, si çdo herë më parë, mori pjesë aktive edhe gruaja shqiptare, e cila nuk qëndroi vetëm në prapavijë, por kaloi edhe në vijën e zjarrit, si në Grykën e Kaçanikut, ashtu edhe në Moravë, Karadak e viset tjera të Kosovës. Këtë e provon edhe gazeta turke “Sabah”, e cila në një artikull te vetin, duke bërë fjalë për Luftën e Kaçanikut, shkruante se “në mesin e kryengritësve shqiptarë kishte edhe femra”. Ndërkaq, konsulli francez në Shkup, lidhur me luftimet në Anamoravë, në mes tjerash e thekson edhe këtë rast: “Një grua shqiptare, me një fëmijë tetëvjeçar, me sopatë në dorë, kishte marrë pjesë aktivisht në luftë”. Në një dokument serb të kësaj kohe theksohet: “Në Gjilan një femër vetë i çarmatosi katër ushtarë turq.”

Pjesëmarrja masive e të gjitha shtresave të popullatës shqiptare në këtë kryengritje, bëri që shtypi i huaj, të konstatonte se “E tërë kjo më tepër i gjason një revolucioni gjithëkombëtar”.

Para armikut shumë më superior, që sulmonte nga të gjitha drejtimet, me shumë batalione dhe artileri, që vazhdimisht arrinin nga viset e ndryshme të Perandorisë, kryengritësit shqiptarë u detyruan të tërhiqeshin, duke vazhduar rezistencën me sulme të befasishme. Komandanti i ekspeditës ushtarake, Shefqet Turgut Pasha, si gjatë depërtimit në Kaçanik, ashtu edhe në Anamoravë e viset tjera të Vilajetit të Kosovës, nuk po zgjidhte mjete për t’ia arritur qëllimit. Ai po shkonte gjurmëve të Xhavit Pashës, duke djegur shtëpi e fshatra të tërë, madje edhe duke vra gra, pleq dhe fëmijë. Për këto krime bëjnë fjalë burime të shumta të kohës. Në raportin e tij të 5 majit, konsulli serb nga Shkupi shkruan: “Lajmet që na vijnë nga serbët e asaj ane flasin se ushtria ka djegur fshatrat Binçë, Stagovë, Vërban dhe Begracë, me ç‘rast kanë pësuar edhe gra e fëmijë”. Pos këtyre fshatrave të djegura, M. Dimitrijeviq në raportin e tij do të shkruaj: “Ushtria në rrethinën e Gjilanit ka djegur shumë shtëpi. Janë djegur Drenogllava, Sadovina, Korbliqi, ndërsa shtëpi të djegura ka në Kabash, Smirë, Goshicë e Vërban”. Burime të tjera provojnë për djegien e 10 fshatrave, ndërsa gazeta “Shqypeja e Shqypenisë”, më 14 maj 1910, paraqet të dhëna se në këto anë ishin djegur më se “15 copë katunde” shqiptare. Këto dhe të dhëna të tjera dëshmojnë se në Anamoravë kishte 10-15 fshatra të djegura tërësisht apo të dëmtuara pjesërisht. Me të dëgjuar për këto krime, konsulli anglez në Shkup, kërkoi nga Valiut të Kosovës që vizitojë vendet e ngjarjeve, por nuk mori leje me arsyetim se kinse nuk mund të merrte mbi vete përgjegjësinë rreth sigurisë së tij. Në fakt Ministri i Luftës Mahmut Shefqet Pasha kishte ndaluar gazetarë e diplomat që të shkonin në veri të Shkupi.

Shefqet Turgut Pasha, i cili po komandonte me operacionet, duke tentuar t’i përfundojë sa më parë aktivitetet e kryengritësve në këto ane, kërkoi përforcime të reja ushtarake nga Ferizaj, Prishtina e Kaçaniku. Sipas një komunikate zyrtare të lëshuar nga zyra e Vilajetit të Kosovës, të datës 5 maj 1910, ishte zhvilluar në përleshje e armatosur midis kryengritësve të Kazasë së Gjilanit dhe ushtrisë osmane afër fshatit Drenogllavë, ku pati të vrarë e të plagosur. Kjo ishte përleshja e dytë brenda pak ditësh në këtë vend, për të cilën, konsulli serb në Prishtinë njoftonte eprorët e tij: “Ishte luftë e madhe në këto anë, andaj nga Ferizaj u dërguan dy batalione ushtarësh, të cilët u inkuadruan në fushëbetejë”. Më 5 maj, në afërsi të Pozhoranit kryengritësit e Idriz Seferit sulmuan një kolonë të ushtrrisë osmane ku pas tetë orë luftimesh të ashpra me viktima nga të dyja palët, ushtria arriti të futet në Pozharan dhe mori rrugë drejt Binçës, e cila ishte në duart e kryengritësve. Po atë ditë, nga Kaçaniku ishte nisur një batalion ushtarak, me një bateri topash, që së bashku me forcat që vinin nga Pozharani arritën ta marrin edhe këtë pikëqëndresë të shqiptarëve. Kështu në bazë të raporteve konsllare, shihet se luftime me përmasa të gjera në Rrethin e Gjilanit zgjatën deri më 6-7 maj 1910. Më 9 maj, S. Ristiq e njofton konsullatën serbe në Shkup mbi komunikatën e fundit zyrtare osmane, në bazë të së cilës shihet se dy ditët e fundit në Kazanë e Gjilanit nuk kishte konflikte të mëdha. Kështu, pas më se 10 ditë luftimesh të përgjakshme në Kaçanik, Moravën e Epërme dhe Karadak, kryengritësit e kësaj ane me në krye Idriz Seferin e të tjerë filluan të tërhiqen në grupe të vogla, në drejtim të viseve malore, për të vazhduar rezistencën në formë guerole. Një pjesë e kryengritësve kaloi në drejtim të Carralevës, kurse një pjesë e tyre filluan të kthehen në shtëpitë e tyre pranë familjeve. Në shpëtimin e një numri të këtyre të fundit nga ndjekjet e organeve të pushtetit dhe gjyqet ushtarake, kishte kontribuar kajmekami i Gjilanit, Xhelal Beu, për të cilin konsulli serb Rakiq shkruante: “Vetë u shpërndante atyre vërtetime zyrtare më anën e të cilëve provohej se ata nuk kishin marrë pjesë në kryengritje”. Raportuesi kishte bindjen se: “me siguri këso vërtetimesh mund të gjenden edhe të shqiptarët e vrarë në luftëra.”

Edhe pas luftimeve të mëdha pesëditëshe në Moravën e Epërme, nga frika e riorganizimit të kryengritjes në Kazanë e Gjilanit, pas tërheqjes së një pjese të kryengritësve me në krye Idriz Seferin me të tjerë në viset malore të Karadakut e Gallapit, për të vazhduar rezistencën e armatosur, qeveritarët osmanë angazhuan forca të shumta ushtarake me artileri malore të përforcuara me njësi nga Shkupi, Kumanova e Presheva për ndjekjen dhe kapjen e tyre. Sipas dëshmive memoriale sulmi i ushtrisë osmane në Karadak kishte filluar më 6 maj (ditën e shëgjergjit), por edhe pse kishtin arritur të depërtonin në fshatrat malore të Karadakut ku në shenjë hakmarrje dogjën shumë shtëpi, nuk kishin arritur asgjësimin e luftëtarëve të Idriz Seferit, të cilët pa marr parasysh  sulmin nga të gjitha anët po e vazhdonin rezistencën. Kështu konfliktet e çetave kryengritëse me reparte më të vogla të ushtrisë dhe xhandarmërisë osmane, për ta mbajtur gjallë lëvizjen  rezistencës, nuk kishin pushuar deri në muajt e fundit të vitit 1910, duke i shkaktuar humbje të dukshme pushtetit osman.

E vetëdijshme për nivelin e organizimit dhe qëllimet e kryengritjes së vitit 1910, Qeveria Osmane synonte çarmatimin e plotë të popullsisë shqiptare dhe shkatërrimin përfundimtar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nisur nga kjo Shefqet Turgut Pasha, kah mesi i majit të vitit 1910, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Ferizaj, Kaçanik e Gjilan dhe më pas shpalli proklamatën me të cilën kërkohej që shqiptarët brenda 15 ditësh t’i dorëzonin armët, duke iu kanosur nëse në ndonjë fshat do të gjendet edhe një pushkë e vetme, fshati do të bombardohej me topa.

Armët do të mblidheshin nga nëpunësit e pushtetit, në përcjellje të reparteve ushtarake dhe të xhandarmërisë, të cilët do të shkonin nga fshati në fshat, në mënyrë ballësore në drejtim të Gjilanit, duke bastisur me radhë çdo shtëpi, në veçanti shtëpitë e dyshimta. Për të realizuar një gjë të tillë, në disa vende kyçe u koncentruan forca të mëdha ushtarake, si në Ferizaj, Prishtinë, Lipjan, Pozharan e Kaçanik. Një njësi ushtarake me këtë qëllim ishte vendosur edhe në kodrën e Visoçës, në afërsi të fshatit Partesh.

Sipas një komunikate zyrtare osmane, çarmatimi i shqiptarëve në Kaza të Gjilanit kishte filluar më 21 maj 1910. Mbledhja e armëve përcillej me keqtrajtime, arrestime dhe rrahje brutale publike të popullsisë shqiptare. Ishin në shënjestër sidomos qendrat e kryengritjes dhe familjet e prijësve dhe veprimtarëve më të dalluar të lëvizjes.

Më 25 maj 1910, në Gjilan arriti Ministri i Luftës, Mahmut Shefqet Pasha, i shoqëruar nga Turgut Pasha, Sami Pasha – kryetar i gjyqit ushtarak në Ferizaj dhe Valiu i Kosovës. Qëllimi i ardhjes së tyre ishte të inspektohet gjendja jo të mirë në këtë anë, të bisedohet rreth forcimit të masave në qytet dhe të kontaktohet me disa nga krerët e qytetit, respektivisht me kajmekamin dhe disa nëpunës, për të cilët ishte shtuar dyshimi. Dyshimin ndaj kajmekamit Xhelal beut e kishin nxitur edhe shtypi dhe qarqet diplomatike serbe. Të nesërmen, më 26 maj, të lidhur dhe në përcjellje, për në burgun e Ferizajt ishin dërguar çifligarët gjilanas Sahit Aga, për shkak se i biri i tij Hasani, i cili gjendej me kryengritësit, Mustaf Sylejmani, kryetar i komunës, mik i Bajram Currit, si dhe Shefki Efendiu. Ardhja e tyre në Gjilan bëri që nga fundi i majit masat e shtetrrethimit edhe në qytet ishin ashpërsuar akoma. Përballë këtyre masave nuk mundi të mbetet indiferent as shtypi më orientim antishqiptar i kohës. Gazeta serbe “Vardar”, duke shkruar për këto masa do të shkruaj: “gjyqi ushtarak (yrfija) në Gjilan është duke përdorur mjetet që nuk përdoren as kundër shtazëve. Këtu rrahen njerëzit deri në vdekje.” Këtë e provojnë edhe deklaratat e bashkëkohësve, sipas të cilëve njerëzit rreheshin publikisht nën tingujt e bandave ushtarake e të daulleve. Ndërkaq njëra nga metodat më çnjerëzore ishte të mbajturit më ditë të tëra të lidhur e të lyer me mjaltë me sy kah dielli, duke qëndruar ashtu deri në vdekje. Megjithatë, mendojmë se në Gjilan nuk janë ndërmarrë masa aq të rrepta si në disa qytete tjera të Kosovës. Për këtë s’do mend merita të mëdha kishte kajmekami, Xhelal Beu. Për të mos rënë në sy të autoriteteve ushtarake, ai i solli në Gjilan Beqir Sadovinën e varur në malin e vet në Sadovinë dhe mulla Sinan Maxherën e varur në Kaçanik, duke i mbajtur 3-4 ditë të varur në sheshin e qytetit. Diç më vonë në qytet i solli edhe vëllezërit Adem e Mustafë Kabashin, të cilët pastaj i varrosi në varrezat e Gjilanit. Raste të tilla pati edhe më.

Masat e ashpra të shtetrrethimit, bënë që shumë kryengritës të Moravës së Epërme të braktisin shtëpitë dhe bashkë me familjet e tyre dhe me bagëti të shkonin për t’u strehuar nëpër fshatrat malore të Gollakut, duke shpresuar se në këto vise do të jenë të sigurt. Mirëpo, diç më vonë edhe këto vise u përfshinë në ekspeditat ndëshkimore të ushtrisë dhe xhandarmërisë, që po vazhdonin mbledhjen e armëve me një vrazhdësi të paparë.

Gjatë masave të jashtëzakonshme, një pjesë e kryengritësve të Kazasë së Gjilanit, nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe prijësave tjerë, për ta mbajtur gjallë frymën e lëvizjes çlirimtare, ishin tërhequr nëpër viset malore të Karadakut dhe të Gollakut dhe kohë pas kohe po zhvillonin aksione subversive kundër patrullave ushtarake dhe të xhandarmerisë osmane, me ç‘rast kishte të vrarë dhe të plagosur. Çetat e armatosura kryengritëse po qarkullonin në të gjitha viset e kazasë duke u preferuar fshatarëve që t’i fshehnin armët. Si pasojë e kësaj, në disa vende të kazasë, me rastin e mbledhjes së armëve, pati disa përleshje të armatosura midis ushtrisë osmane dhe fshatarëve shqiptarë, të cilët po e kundërshtonin dorëzimin e armëve. Idriz Seferi me çetën etij më 17 maj dyherë u ndesh me ushtrinë osmane, një herë në Morave dhe herën tjetër në Karadak, pas të cilave me luftëtarë u tërhoq në thellësi të Karadakut.

Për përleshjet e shumta dhe të përgjakshme bën fjalë edhe shtypi i kohës. Korrespodenti i gazetës “Vardar”, nga mesi i qershorit, po sillte lajmin nga terreni se gjatë mbledhjes së armëve, në fshatin Zajçec e Dabishec, ishin shkaktuar përleshje të përgjakshme midis fshatarëve vendës dhe organeve të pushtetit dher me këtë rast ishin vrarë nga tre fshatarë në të dy fshatrat, ndërsa për humbjet e ushtrisë nuk kishte të dhëna. Gazeta “Zakonitost”, flet për përleshjen e një çete kryengritësish, e cila në fillim të qershorit, ishte ballafaquar me një njësi xhandarësh afër fshatit Lubishtë, ku ishte vrarë një kryengritës dhe ishte plagosur prijësi i çetës, Metushi nga Lubishta. Sa u përket humbjeve të ushtrisë edhe këtë herë nuk janë publikuar të dhënat. Po kjo gazetë, në artikullin me titull “Përleshje të pandërprera”, më 17 korrik 1910, shkruan : “Në të njëjtën kohë si në Lumë ashtu edhe në anën e Gjilanit, në dy raste ndodhën përleshje të ushtrisë me kryengritësit. Janë kapur 8 shqiptarë, është vra vëllai dhe dhëndëri i bajraktarit Adem Kabashit”. Kështu gazeta “Shqypeja e Shqypenisë”, sipas nji artikulli nga Stambolli, të 19 korrikut 1910, sillte lajmin se ushtria osmane e kishte rrethuar Idriz Seferin me gjithë familje, por ai kishte arritur ta çante rrethimin dhe të tërhiqej në Malësi. Po ky numër i kësaj gazete, shkruante: “Korrespondenti ynë nga Shkupi na lajmëron se në Gjilan përsëri pati përleshje mes ushtrisë dhe shqiptarëve. U shkelën shtëpitë dhe u kërkuan armë me forcë”. Veprimet e këtyre çetave kryengritëse dhe përleshjet e shpeshta e shqetësonin pushtetin osman dhe bënin me dije se kryengritja nuk kishte përfunduar akoma.

Aksioni ushtarak i spastrimit me pretekst të mbledhjes së armëve, i shoqëruar me terrorizëm të egër, bëri që në Kazanë e Gjilanit të vriteshin, torturoheshin, burgoseshin dhe internoheshin shumë njerëz. Ndërsa, në përleshjet e shumta të armatosura ishin vrarë e zënë rob shumë nga krerët e Lëvizjes, ndër të cilët edhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Idriz Seferit, si, vëllezërit Adem e Mustafë Kabashi, Kurtesh Kurteshi, i moshuar nga Pozhorani, i cili vdes nga torturat në burgun e Prishtinës; Beqir Sadovina e të tjerë. Ndërkaq ndër ata që ishin burgosë dhe torturuar ishin këta udhëheqës të shquar të Lëvizjes: Ramë Abdyli nga Pozharani, i cili u dënua me 101 vjet burg; Murat Bilalli nga Bresalci, i cili ishte ndër bashkëpunëtorët dhe bajraktarët e Idriz Seferit dhe kishte bartur flamurin shqiptar para kryengritësve në emër të shtatë fshatrave e të tjerë. Në gjysmën e parë të gushtit 1910, ishte kapur edhe luftëtari i shquar i kësaj ane Kadri Raifi dhe ishte dënuar me 15 vjet burg e shumë të tjerë.[3] S’iç njoftonte konsulli bullgar nga Selaniku, po në këtë kohë ishin internuar në Stamboll 408 shqiptarë nga Kazaja e Gjilanit dhe Prizrenit, të dënuar për të vajtur dënumet në burgjet e Stambollit.

Gjatë kësaj kohe një grup prijësish të kryengritjes së kësaj ane në krye me Idriz seferin, përmes priftit të Letnicës, i luteshin qeverisë austro-hungareze, që të ndërmjetësonte tek qeveria osmane, për të ndalur veprimet e autoriteteve ushtarake kundër popullsisë së pambrojtur shqiptarë, në shenjë hakmarrjeje. Mirëpo siç provojnë të dhënat, kjo dhe kërkesa që ata shtruan për t’u dhënë ndihmë në armatim, bënë që në këtë kohë autoritetet ushtarake keqtrajtuan priftin e Letnicës, me pretekst se në këtë kishë strehuar për një kohë kryengritës dhe Idriz Seferin të cilin e kishin dënuar me vdekje në mungesë.

Kryengritësit e Kazasë së Gjilanit, që kishin mbetur në mal, të detyruar nga ndjekjet ushtrisë turke, mungesa e ushqimit dhe dimri i ashpër, u shtrënguan të kërkonin strehim në ndonjë vend tjetër, respektivisht në Serbi. Mirëpo, Qeveria Serbe për të mos i ngatërruar marrëdhëniet me osmanët, meqë kështu e diktonin interesat e tyre politike, kishte dhënë urdhër që të shtohet kontrolli në vijën kufitare dhe të parandalohet kalimi i kryengritësve shqiptarë në Serbi. Njëkohësisht, ajo bënte përjashtim për disa krerë, të cilët edhe më parë kishin pasur kontakte me serbët. Këtyre personave në mënyrë indirekte u ishte bërë e ditur se mund të gjenin strehim në këtë vend, me qëllim që më vonë të shfrytëzoheshin në dobi të propagandës serbe në Kosovë. Në anën tjetër, pushteti osman gjithashtu kishte ndërmarrë masa të forta kontrolli për t’i kapur kryengritësit të cilët donin ta kalonin kufirin, duke ngritur karakollë të shumtë përgjatë tërë kufirit me Serbinë. Mirëpo, përkundër masave të rrepta të kontrollimit të kufirit nga të dy palët, burimet dokumentare provojnë se që nga gjysma e parë e majit 1910, një numër i kryengritësish të Kazasë së Gjilanit dhe të viseve tjera, po kalonin kufirin për t’u vendosur nëpër fshatrat shqiptare të Serbisë, ndërsa armët dhe municionin i fshihnin te të afërmit dhe miqtë. Është interesant rasti i një grupi prej 11 shqiptarësh, të cilët e kishin kaluar kufirin rreth 10 majit dhe kishin arritur në Vranjë. Me të kuptuar këtë, përfaqësuesi i Valiut të Kosovës shkoi në konzullatën serbe në Shkup për të kërkuar zyrtarisht dorëzimin e tyre, duke u thirrur në marrëveshjen paraprake me prefektin e Vranjës. Mirëpo, në bazë të sugjerimit të Ministrit të Punëve të jashtme, këta persona nuk iu dorëzuan osmanëve, me motivacion se ëshët rrezik se “do të pushkatohen”. Edhe kjo dëshmon se qeveria serbe vepronte siç i diktonin interesat e veta.

Më 10 shtator të vitit 1910, Toma Popoviqi, tregtar nga Gjilani, i ishte drejtuar qeverisë serbe më një letër përmes të cilës kërkonte që Idriz Seferit t’i sigurohet strehimi në Serbi. Kur u informuan se komitetet bullgare disa herë kishin qëndruar në Karadak dhe se Idriz Seferit i kishin ofruar strehim në Bullgari, prefekti i Vrajës, i bën me dije udhëheqësit të shquar se Qeveria Serbe i kishte lejuar të strehohet në Serbi, andaj mund ta kalonte kufirin kur të dëshironte. Për këtë qëllim Ministria e Jashtme të Serbisë kishte dërguar disa herë agjentët e saj për t’u takuar me Idriz Seferin dhe për ta bindur të kalonte atje. Mirëpo, ai duke patur parasysh prapavinë politike të kësaj “mikpritje”, edhe emisarëve serb, sikundër edhe atyre bullgar, u përgjigjej se nuk mund të kalonte në këto vende nga frika se do ta tradhtonin, duke e dorëzuar në duar të osmanëve. Ndonëse i ndjekur këmba-këmbës dhe disa herë i rrethuar nga forcat osmane, ai tërë kohën qëndroi në malet e Karadakut dhe viset tjera, ndër miq dhe bashkëluftëtarë të tij. Sipas rekomandimit të Ministrisë së Jashtme, organet e brendshme serbe, në dhjetor 1910, dhanë pëlqimin për strehim në këtë vend të Zenel Beut të Ballancës, me 5 shokë. Në bazë të raporteve të prefektit të Krushecit, mësohet se Zeneli me shokët së pari ishte vendosur në Vrajë, por në fund të dhjetorit të vitit 1910, në bazë të rekomandimit të pushtetit serb, ata ishin transferuar në Krushec. Atje jetonin në kushte jo të mira, gjë që shihet nga shënimi i raportuesit në fjalë, i cili deklaron: “Kanë ardhur pa asgjë, është dimër, i kam vendosur në mejhane”, duke shtuar më pas: “Zeneli ishte te unë për të kërkuar pak të holla sepse nuk kishte as për të blerë sapun për pastrim”. Të shtojmë se Zenel Ballanca me shokë ishte kthyer nga Serbia në prill të vitit 1911, me arsyetim se po shkonin për t’iu bashkuar kryengritësve.

Duhet theksuar se kryengritësit të cilët kaluan në Serbi ishin të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme për të mos qenë në kontakt mes vete, as me botën e jashtme, kështu që nuk paraqitnin rrezik për pushtetin osman.

 

(Për arsye të natyrës së portalit nga punimi janë hequr fusnotat)

You Might Also Like