Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, vlerësohet nga OSBE-ja, për punën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit dhe si rezultat është ftuar të merr pjesë në aktivitetin “Shkëmbimi i praktikave të mira për qeverisje të përgjegjshme gjinore: Sfidat dhe mundësitë”.
Leonora Morina Bunjaku, tha se gjatë këtyre tri viteve të qeverisjes kanë bërë të pamundurën për përfshirje sa më të madhe të grave në proceset vendimmarrëse.
Nënkryetarja e Gjilanit, tregoi se pos saj që është nënkryetare, edhe katër drejtoritë e kryesore të komunës udhëhiqen nga gratë, falë potencialit të tyre profesional, politik e moral.
Nga gratë udhëhiqen Drejtoria për Buxhet e Financa, ajo e Inspeksionit, Administratës dhe Shëndetësisë e Mirëqenies Sociale.
“Kjo është motiv që të ketë edhe gra të tjera në krye të institucioneve, ne jemi dëshmuar dhe shpresojmë të jemi model edhe për gjeneratat e reja”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja, shtoi se qeverisja gjinore është një qasje e rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë e cila siguron përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave në proceset vendimmarrëse si dhe adresimin e nevojave dhe mundësive të secilit grup gjinor.
“Në nivelin lokal, implementimi i politikave të përgjegjshme gjinore është thelbësor për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mundësive të zhvillimit për të gjithë qytetarët”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku.
Ajo tregoi se tash kanë edhe Planin Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore. Po ashtu komuna ka Planin e Veprimit për parandalimin e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj gruas, ku funksional është edhe Mekanizmi Komunal kundër dhunës me bazë gjinore.
Nënkryetarja tregoi se gjithashtu kanë hartuar edhe Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal, ku prioritet e kanë fuqizimin e grave.
Sipas saj përmes subvencioneve kanë mbështetur gratë në biznes, bujqësi, nënat lehona, qiranë e banimit e çështje tjera.
“Shkëmbimi i praktikave të mira për qeverisje të përgjegjshme gjinore në nivelin e komunave është një hapë i rëndësishëm për të siguruar barazinë gjinore dhe mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, tha Morina Bunjaku.
Ajo foli edhe për aktivitetet e realizuara në kuadër të “16 ditëve të aktivizmit për parandalimin e dhunës ndaj gruas, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje” me moton- “Sot dhe çdo ditë tjetër”.
Drejtori i Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Igli Totozanin, i ka dëshiruar mirëseardhje nënkryetares së Gjilanit dhe kryetarit të Hanit të Elezit, mirëserdhje dhe i ka falënderuar për bashkëpunimin.
Edhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi, ka folur lidhur me qeverisjen e përgjegjshme gjinore.