Gjilan

Si u shpalos flamuri kombëtar në vitin 1941 nga tri motrat Feime Maksuti Sherifi, Hilmije Maksuti Orana dhe Meliha Maksuti Orana

Si u shpalos flamuri kombëtar në vitin 1941 nga tri motrat Feime Maksuti Sherifi, Hilmije Maksuti Orana dhe Meliha Maksuti Orana?

Shumë familje shqiptare ndër shekuj kanë pasur ndjenja të theksuara patriotike dhe dashuri për atdheun, duke mos u pajtuar kurrë me padrejtësitë që u janë bërë vazhdimisht shqiptarëve. Populli shqiptar gjithmonë ka luftuar për tokat e veta, për tokat e stërgjyshërve, duke bërë beteja të lavdishme ndër shekuj. Shumë familje u pushkatuan, u burgosën e u torturuan për kauzën shqiptare, me shpresën që një ditë populli shqiptar të jetojë i lirë dhe i pavarur. Të luftosh për të drejtat e kombit, për lirinë dhe pavarësinë e vendit, nuk është tradhti, por është detyrë e shenjtë njerëzore e kombëtare.

Familjet Maksuti dhe Orana ndër vite kanë dhënë shumë trima për të mirën e shqiptarëve, të cilët nuk janë ndalur kurrë pavarësisht vrasjeve dhe torturave që këto familje kanë pësuar nga okupatori çetniko serb.

Sabit Maksuti dhe bashkëshortja e tij, Zyhra Maksuti, me prejardhje nga Kaçaniku, ishin trima mbi trima që nuk u zmbrapsën asnjëherë nga idealet e tyre për çështjen kombëtare. Sabit Maksutin forcat çetniko serbe e marrin para familjes dhe e pushkatojnë më 22 dhjetor 1944, dhe ende sot nuk dihet varri i tij.

Sabit Maksuti ishte atdhetar i madh. Në pranverën e vitit 1941, në fillim të prillit, kur forcat nacionaliste shqiptare hynë të armatosura në Gjilan, ai bashkë me bashkëshorten e tij, Zyhren, i thërret tri vajzat e tyre të rritura: Feimen rreth 23 vjeçare, Hilmien 17 vjeçe dhe Melihajen 11 vjeçe, duke u treguar se gjatë gjithë natës do të qendisnin flamurin kombëtar, sepse të nesërmen do të hynin forcat shqiptare në Gjilan.

Tri vajzat trimëresha pranuan pa hezitim. Ajo që mbetej ishte vizatimi i shqiponjës, dhe në ndihmë u erdhi Nazmi Halimi, vëllai i dr. Njazi Halimit, të cilin më vonë forcat çetniko serbe e vranë. Nazmiu me një fletë vizatoi shqiponjën dhe tri motrat, plot 84 vite më parë, gjatë tërë natës e qendisën flamurin, njësoj si Marigona në vitin 1912. Në mëngjes flamuri ishte gati, ndonëse data e saktë nuk ka mundur të sigurohet.

Të nesërmen, në mëngjes, Sabit Maksuti e valon flamurin kombëtar para shtëpisë së tij. Shumë njerëz me kureshtje shikonin flamurin për herë të parë.

Sot, 84 vite më vonë, Meliha Maksuti Orana, e cila në atë kohë ishte vetëm 11 vjeçe dhe e qendisi flamurin së bashku me motrat, kujtohet me mall për atë ngjarje, ndërsa vajza e saj, Florina Orana Hoxha, e rrëfen kështu kujtimin për nënën:

“Jam shumë e emocionuar të flas për prindërit e mi. Jam shumë krenare që jam fëmijë i këtyre dy prindërve, Melihajes dhe Selim Oranës, të cilët gjithë jetën ia kushtuan atdheut. Nëna na tregonte se gjatë tërë natës deri në mëngjes, derisa u qendis flamuri, kënduan me motrat e saj. Ishte një festë e madhe atë natë. Nga gëzimi se do ta shpalosnin flamurin në mëngjes, nata u ishte dukur shumë e gjatë. Kur e kemi shpalosur flamurin në dritaren e shtëpisë, të gjithë qanim nga gëzimi. Flamuri na dukej si një anëtar i ri i familjes. Shumë njerëz nuk e dinin se si dukej flamuri dhe babai u shpjegonte. Shumë njerëz qanin si fëmijë nga gëzimi. Populli menjëherë, nga livadhet dhe drunjtë që kishin filluar të lulëzonin në pranverën e prillit, mblidhnin lule sa më të bukura për t’i pritur forcat shqiptare që hynin në qytetin e Gjilanit”, kujton sot Florina për nënën e saj.

Sabit Maksuti ishte atdhetar i madh dhe kauza shqiptare ishte mbi gjithçka për të. Në vitin 1942, në oborrin e tij ai organizoi një drekë solemne në nder të shkollës shqipe Bogdani, ku u mblodhën shumë patriotë të asaj kohe për të parë një rreze shprese për arsimin e shqiptarëve. Falë trimave të asaj kohe, të cilët me sakrifica të mëdha flijuan gjithçka, madje edhe jetën e tyre, sot pas 84 viteve ne jetojmë të lirë dhe të pavarur.

You Might Also Like