Sabit Rrustemi
Beqir Musliu (11.VI.1945 – 24.VI.1996) hyri në letërsinë shqipe përmes poezisë, në fillim të viteve gjashtëdhjeta të shekullit njëzet. Krijimet e tij të para u botuan në revistën letrare Jeta e re, e themeluar më 1949 dhe e drejtuar nga shkrimtari Esad Mekuli, një figurë e njohur e kohës në Kosovë.
Libri i parë poetik i Musliut, Rima të shqetësuara (1965), u botua pikërisht nga kjo revistë. Më pas, ai publikoi kurorën sonetike Skënderbeu ose shqiponja e maleve (1968), një poemë më e gjatë e shkruar mes viteve 1963–1968 dhe e kompletuar, e cila u botua më 2004 nën titullin Skënderbeu. Librat e tij të tjerë poetikë u botuan nga Redaksia e botimeve “Rilindja”: Lulëkuqet e gjakut (1966), Bukuria e zezë (1968), Sezamet (1972), Parabola (1976) dhe Darka e magjisë (1978).
Pas këtij cikli poetik (1965–1978), Musliu iu përkushtua prozës dhe romanit. Në vitin 1979 iu botua romani i parë, Vegullia. Tri vjet më vonë, doli romani i tij më voluminoz dhe thuaja më kryesori, Mbledhësit e purpurit (1982).
Gjatë periudhës 1980–1990, ai botoi edhe disa romane të tjera përmes konkurseve letrare të gazetës së përditshme “Rilindja”, të cilat iu botuan edhe në vazhdime. Disa prej tyre mbetën si dorëshkrime dhe u botuan vetëm pas vdekjes së tij, bashkë me dy vëllime poetike: kryeveprën Orfeiana dhe poemën e plotë Skënderbeu. Pas vdekjes u botua gjithashtu përmbledhja me tregime Kori i gjelave të vdekur (2002) nga shtëpia botuese “Dukagjini”.
Gjatë viteve 1970–1995, Beqir Musliu, tashmë i njohur si një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe në Kosovë, me një vokacion të veçantë krijues që anonte nga hermetizmi, iu përkushtua edhe dramës. Veprat e tij dramatike, të mveshura me figuracion të dendur poetik dhe porosi të koduar për lexuesin, u botuan për të gjallë të tij. Në vitin 1989, në Shkup, doli Rrakullima, Teatër-Libër, tetraptik, ku përfshihen: Murana, Kori i korbave, Familja e shenjtë dhe Antifona. Po atë vit, në Prishtinë, u publikua cikli i dramave Shtrigani i Gjel-Hanit, Teatër-Libër, Tetralogji, nga redaksia “Rilindja”, ku përfshihen: Unë, Halil Garria, Faustiana, Ora e kukuvajkës dhe Panairi i Gjilanit.
Disa nga dramat e tij janë luajtur në teatrin e Gjilanit, të Gjakovës dhe të Prishtinës (Familja e shenjtë, Ora e Kukuvajkës, Vegullia dhe Rropullari).
Përveç krijimeve letrare, Musliu shkroi një sasi të konsiderueshme shkrimesh publicistike në formë reportazhi, opinion, kritikë teatrore dhe vështrime letrare gjatë punës së tij si gazetar dhe redaktor në Zëri i rinisë, Rilindje dhe në revistën Jeta e re. Në këto shkrime, veçanërisht të rëndësishme janë shkrimet diskurzive teatrore për dramat e luajtura në teatrat e Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit dhe Shkupit, duke u marrë në mënyrë kritike me tekstin e dramës, lojën aktoriale si dhe regjinë. Shumica dërmuese e këtyre shkrimeve po dhe të reportazheve e opinioneve, sidomos gjatë viteve 1989 – 1995, botuar qoftë në revistës për art e kulturë, FJALA, apo në revistën dyjavore për arsim, SHKËNDIJA si dhe atë studentore , BOTA E RE, ruhen nëpër arkiva si dhe në dhomën e tij të punës në lagjen “Ulpiana”, dhe ende nuk janë botuar si libra në vete, bashkë dhe me një sere shkrimesh tjera letrare, përkundër vlerës dhe rëndësisë së madhe që kanë..
Përkundër gjitha këtyre angazhimeve letrare e publicistike, megjithatë, sipas Teki Dervishit, Ai mbetet një nga poetët më lirik në letersinë shqipe jo vetëm të kohës së tij, por edhe më larg. I takon grupit të vogël të krijuesve shqiptarë që asnjëherë nuk lejuan të instrumentalizoheshin politikisht, duke i qëndruar besnik vokacionit krijues. Arti i Tij , po sipas Tekiut, mbeti një opus kombëtar, një vijë lidhëse në kontinuitetin e rilindasve shqiptarë. Ai e ngjalli metaforën e harruar të artit gojor shqiptar, ritrajtoi poetikisht epet dhe legjendat shqiptare, dhe e nxori gjuhën e artit nga përdorimi arkaik i poezisë soc-realiste. I çliruar nga ngarkesat ideologjike, ai pati një ideal krijues: ta bëjë të flasë kumbueshëm shpirti i gjuhës shqipe.
Në këtë kuptim, Beqir Musliu është ndër themeltarët e modernitetit metaforik në letërsinë tonë.
Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari ende nuk është botuar dhe vlerësuar plotësisht. Është thënë që veprës së tij i duhet një lexues elitar, po kësaj vepre i duhet gjithashtu edhe një studiues elitar, për ta vlerësuar dhe shpërfaqur në publik vlerën e mirëfilltë letrare që e krijoi dhe që është një nga thesaret më të çmuara të letërsisë sonë.
Po, për ta njohur tërësisht opusin krijues të Beqir Musliut, do duhej ta kemi dhe një institucion kredibil kulturor në shkallë vendi që e përgatit dhe e sjell të plotë veprën e tij, jo vetëm për ta kryer një borxh moral e letrar ndaj Tij, po, për ta pasuruar më tej me vlera të mirëfillta letrare këtë letërsi, dhe për të qenë dhe konkurruese jashtë kufijve të hapësirës shqiptare.





