Libri

PARATHËNIA E LIBRIT “SHTETI I DËSHTUAR – UDHËZUES PËR ÇARJEN E RUSISË” NGA JANUSZ BUGAJSKI

 (E përktheu: Ridvan Bunjaku)

Që nga përfundimi i draftit të hershëm të këtij libri në janar 2022, Kremlini u përpoq t’i arrinte disa objektiva përmes pushtimit të zgjeruar të Ukrainës. Ai synonte ta zëvendësonte qeverinë në Kiev me një regjim pro-Moskovit, ta siguronte neutralitetin e përhershëm ndërkombëtar të Ukrainës dhe ta demonstronte aftësinë ushtarake të Rusisë në mënyrë që të ndalonte çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Ai gjithashtu kërkoi ta përfundonte zhvillimin e Ukrainës si model i qëndrueshëm për shtetësi të suksesshme, demokraci pluraliste dhe rritje ekonomike. Brenda vendit, Presidenti Vladimir Putin u përpoq ta çimentonte trashëgiminë e tij si një “mbledhës” i tokave ruse dhe rindërtues i perandorisë, pasi mandati i tij në detyrë pas vitit 2024 mbeti i pasigurt. Dhe me kushtet ekonomike në Rusi që tashmë kanë stagnuar mes frikës zyrtare në rritje të trazirave publike, një luftë e suksesshme kundër Ukrainës kishte për qëllim ta mobilizonte mbështetjen për regjimin, pavarësisht nga kushtet ekonomike. Frika e Rusisë nga dështimi i shtetit ishte faktor kyç që e bindi Kremlinin ta nisë një pushtim në shkallë të plotë dhe të përpiqet ta përsërisë konsensusin e Krimesë. Zgjerimi i jashtëm kishte për qëllim ta maskonte çarjen e brendshme në rritje.

Në një nivel më të thellë, të zbuluar në fjalimet e ashpra false historike të Putinit në prag të pushtimit, Moska e sheh Ukrainën si kërcënim ekzistencial për Rusinë. Pushtimi nuk ishte thjesht çështje e kapjes së territorit të Ukrainës, kontrollit të qeverisë së saj dhe vendim-marrjes për aleancat e saj ndërkombëtare. U bë një luftë për diçka shumë më të thellë – identitetin dhe historinë. Pjesa më e madhe e historisë dhe identitetit të Ukrainës është shtrembëruar ose përvetësuar nga Moska, dhe ringjallja e Ukrainës i ka ekspozuar themelet e

brishta të shtetit rus. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës u bë një përpjekje e dëshpëruar për ta shpëtuar historinë e saj të brishtë dhe identitetin e ngatërruar multietnik dhe perandorak. Në mënyrë paradoksale, identiteti i Rusisë është vënë në pikëpyetje më tej nga lufta kundër Ukrainës, e cila e ka forcuar solidaritetin ukrainas dhe i ka larguar më tej ukrainasit nga rusët. Ky akt flagrant agresioni e nënvizoi gjithashtu imperativin e dekolonizimit për t’i rikthyer brezat e shtypjes shtetërore dhe rusifikimin e kombeve indigjene brenda Federatës Ruse.

Në nivel ndërkombëtar, statusi i vetë Rusisë mund të ketë nevojë të rishqyrtohet në çdo zgjidhje të pasluftës, duke e përfshirë heqjen e mundshme të vendimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1991 për ta njohur Federatën Ruse si “shtetin pasardhës” të Bashkimit Sovjetik. Sanksionet dhe izolimi i gjerë ndërkombëtar ka të ngjarë të mbahen derisa forcat ushtarake të Rusisë ta evakuojnë Ukrainën dhe do të kenë pasoja të rënda afatgjata për aftësitë ushtarake, performancën ekonomike dhe stabilitetin politik të Rusisë. Më e rëndësishmja, Evropa po largohet nga varësia nga nafta dhe gazi natyror rus dhe po gjen burime alternative të energjisë, pavarësisht nga sanksionet e saj ndaj Rusisë.

Moska llogariti keqas se forcat e armatosura të Ukrainës do të shpërbëheshin shpejt dhe se përgjigja perëndimore do të ishte e dobët dhe përçarëse. Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme të trupave dhe pajisjeve, Kremlini nuk i pranon dobësitë e tij dhe Putini mund të përdorë ende rezerva të konsiderueshme ushtarake në një luftë afatgjatë, ndërsa i pluhuros qytetet në Donbas për t’i dëbuar mbrojtësit ukrainas. Kremlini mund ta shpallë fitoren pas kapjes së oblasts (rajoneve) Donetsk dhe Luhansk dhe pjesëve të mëdha të oblasts (rajoneve) Kherson dhe Zaporizhzhia. Putini do të mund të pretendonte se “operacioni i kufizuar ushtarak” ishte arritur duke e maskuar paaftësinë e Rusisë për ta marrë ndonjë qytet të madh. Ai mund të llogarisë se Perëndimi do ta mbështeste një armëpushim edhe nëse kjo është në dobi të Rusisë, sepse do ta parandalonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Moska më pas do të priste që sanksionet të lehtësohen në mënyrë që të mund ta rivendoste ekonominë e saj dhe ta rindërtonte ushtrinë e saj në përgatitje për një tjetër sulm ushtarak ndaj Ukrainës.

Megjithatë, deri në verën e vitit 2022, ishte e qartë se Kremlini nuk do të jetë i suksesshëm në “neutralizimin” e Ukrainës dhe një luftë afatgjatë do t’i ekspozojë më tej dobësitë e brendshme të Rusisë. Lidhur me aftësitë ushtarake të Rusisë, analiza perëndimore ka qenë kryesisht formaliste, me vëmendje të pamjaftueshme ndaj moralit, etikës, kompetencës, niveleve të trajnimit dhe arsimimit, korrupsionit

sistematik, raportimeve të falsifikuara, tensioneve ndëretnike dhe keqtrajtimit të rregullt të trupave. Kjo rezultoi në një dështim për t’i parashikuar mangësitë ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Megjithëse shteti shpërndau burime për ta modernizuar ushtrinë, shumë nga ato para u zhdukën në rrjetet e korruptuara të Rusisë me koston e pajisjeve, mirëmbajtjes dhe logjistikës. Mangësitë e mëdha në reformën ushtarake janë ekspozuar qartë, duke e përfshirë një trupë të paaftë nënoficerësh (non-commissioned officer, NCO), koordinim të mjerueshëm ndërmjet njësive, komandë dhe kontroll të dobët (command and control, C2), dështime të municioneve, komunikime të pasigurta, joefikasitet logjistik dhe të furnizimit, padisiplinë, mbulime dhe kriminalitet.

Një pjesë e konsiderueshme e burimeve ushtarake të Rusisë është vendosur në konfliktin ukrainas dhe perspektivat për riarmatim të madh do të zvogëlohen në një ekonomi tkurrëse. Kompleksi ushtarako-industrial i Rusisë është vënë në shënjestër të sanksioneve perëndimore dhe nuk do të jetë në gjendje të prodhojë sisteme kryesore të armëve pa importe të teknologjisë nga Perëndimi për t’i kompensuar humbjet e rënda të pësuara në Ukrainë. Moska nuk mund t’i plotësojë me shpejtësi qindra tanke dhe mjete të tjera të blinduara që janë shkatërruar ose kapur në Ukrainë. Dhe pa satelitë të rinj për t’i zëvendësuar pajisjet e saj të vjetra, aftësitë e Rusisë për grumbullimin e inteligjencës do të bien më tej dhe do t’i dobësojnë operacionet e ardhshme ushtarake.

Viktimat ushtarake të Moskës në luftë tregojnë se jo-rusët dhe banorët ruralë janë dukshëm të mbipërfaqësuar, kryesisht sepse ushtria u ofron popullatës më të varfër perspektiva karriere dhe e kapërcen stigmën e të mos qenit rusë. Moska gjithashtu ka kërkuar ta shmangë fajin për çdo krim lufte ndaj pakicave kombëtare në ushtrinë ruse në ndjekjen e saj tradicionale të një qasjeje “përçaj dhe sundo” për t’i liruar rusët etnikë nga gjenocidi. Megjithatë, vendosja e kombeve të tjera si mish për top në një luftë të huaj do ta intensifikojë zemërimin kundër Moskës dhe humbjet ushtarake në Ukrainë do t’i bëjnë forcat e armatosura ruse më të prirura ndaj konflikteve, rebelimeve dhe braktisjes nga ajo pjesë e korpusit të oficerëve që nuk përbëhet nga rustë etnikë. Ata do të pyesin gjithnjë e më shumë pse duhet ta sakrifikojnë jetën e tyre për imperializmin moskovit. Kthimi i dhjetëra mijëra veteranëve ushtarakë të traumatizuar dhe të zhgënjyer në shoqërinë ruse do ta kriminalizojë më tej vendin dhe do t’i rrisë mundësitë për dhunë kundër institucioneve

shtetërore dhe konflikte të armatosura më të përhapura. Nëse Kremlini e shpall një mobilizim masiv, do ta vendoste Rusinë në një gjendje lufte, do ta përkeqësonte frikën dhe zemërimin në shoqërinë ruse, do ta rriste numrin e viktimave të luftës dhe do ta varfëronte më tej ekonominë.

Në frontin ekonomik, sanksionet ndërkombëtare do të kenë një sërë efektesh negative. Edhe pse para luftës, Rusia pretendonte rreth 640 miliardë dollarë në valutë të huaj dhe rezerva ari, pjesa më e madhe e tyre mbahej jashtë shtetit dhe u ngri nga sanksionet. Rusia u shkëput nga tregjet perëndimore të kapitalit dhe u bë e paaftë për të marrë hua; dhe në korrik 2022, ajo teknikisht dështoi në borxhin e saj të jashtëm. Ekonomia ruse pritet të tkurret deri në 15 për qind gjatë vitit 2022 dhe standardi i jetesës për shumicën e qytetarëve ka të ngjarë të bjerë në nivelet sovjetike të para vitit 1980. Një rritje dramatike e papunësisë pritet pasi kompanitë private ruse mbyllen dhe qindra ndërmarrje të huaja janë larguar nga vendi. Rritja e shpenzimeve shtetërore për luftën do ta zvogëlojë prodhimin në sektorët civilë. Megjithëse papunësia ka mbetur e fshehur nga largimet e vonuara nga puna dhe shtyrjet e përkohshme të pagave, miliona punëtorë do ta gjejnë veten të tepërt në pjesën e fundit të vitit 2022. Përveç kësaj, largimi masiv i të rinjve dhe të arsimuarve do të vazhdojë. Mungesa e ushqimeve dhe e ilaçeve do të përshpejtohet, inflacioni do të rritet dhe shumë prodhues do ta ndërpresin prodhimin për shkak të mungesës së komponentave nga jashtë.

Kontrollet perëndimore të eksporteve do ta pengojnë Rusinë nga importimi i inputeve jetike si mikroçipet për sektorët e saj të prodhimit, qofshin ato ushtarake apo civile. Rrjetet e transportit të vendit do të fillojnë gjithashtu të prishen pasi kontratat e sektorit të aviacionit, sistemet rrugore dhe hekurudhore bëhen gjithnjë e më të rrënuara dhe të uritura nga investimet, fabrikat e makinave të ndërtuara nga kompanitë perëndimore mbyllen dhe zinxhirët e furnizimit prishen. Edhe shtetet joperëndimore si Kina nuk janë të gatshme të investojnë në projekte të mëdha energjetike dhe tranziti, ndërkohë që Rusia mbetet nën sanksionet ndërkombëtare. Ndërprerja e lidhjeve me kompanitë perëndimore të energjisë do ta lërë Rusinë pa teknologji të fundit në shpimin dhe kompresimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke e penguar kështu zhvillimin e

fushave të reja energjetike dhe infrastrukturës. Për më tepër, mungesa e fondeve të huaja do të kontribuojë në prishjen e disa projekteve dhe madje investitorët kinezë e kanë reduktuar interesin e tyre për depozitat e energjisë në veri të Rusisë.

Vështirësitë ekonomike do ta përkeqësojnë gjithashtu tjetërsimin rajonal, me një potencial për shpërthime sociale në qytetet dhe qytezat më të vogla, ku kostot ekonomike të luftës dhe sanksioneve kanë qenë më të theksuara. Edhe lidhjet fizike midis Moskës dhe shumë rajoneve do të preken pasi disa aeroporte rajonale janë mbyllur për shkak të më pak avionëve dhe uljes së kërkesës së konsumatorëve. Ndërsa subvencionet e Moskës bien, shumicës së rajoneve do t’u mungojnë rezerva të mjaftueshme për t’i mbështetur ekonomitë lokale dhe shërbimet sociale. Buxhetet rajonale do të vuajnë pasi u bëhen kërkesa në rritje për ta mbajtur publikun të qetë duke e kontrolluar inflacionin dhe duke ofruar shërbime thelbësore. Ndërsa ekonomia tkurret, guvernatorët më largpamës do të kërkojnë t’i mbrojnë pozicionet e tyre dhe t’i parandalojnë trazirat lokale duke mbajtur burime dhe pagesa për Moskën. Pa eksporte në shkallë të gjerë të energjisë, buxheti thjesht nuk mund t’i përballojë shpenzimet e nevojshme për ta mbajtur federatën të paprekur. Shumë prej rajoneve të Rusisë do të kërkojnë të ardhura alternative për të mbijetuar, qoftë duke e kufizuar shfrytëzimin nga Moska të burimeve të tyre natyrore ose duke iu drejtuar shteteve fqinje për lidhje të drejtpërdrejta ekonomike. Ndërsa buxheti i vendit shterohet dhe të ardhurat e tij nga energjia bien, çdo nxitje për të qëndruar në federatën e dështuar do të zvogëlohet me shpejtësi dhe brishtësia e shtetit rus do të bëhet gjithnjë e më transparente.

Në frontin politik, lufta kundër Ukrainës nuk arriti ta rivendoste “konsensusin e Krimesë” në mbështetje të regjimit. Spastrimet politike do të përshpejtohen në të gjitha institucionet shtetërore për t’i çrrënjosur ata që e kundërshtojnë luftën dhe politikat e regjimit të Putinit. Ndërsa lufta vazhdoi të tërbohej me perspektivën e rritjes së opozitës vendase, regjimi i ka bërë përgatitjet për vendosjen e ligjit ushtarak dhe kufizimin e mëtejshëm të fjalës dhe lëvizjes së lirë. Duke u përballur me humbjen në Ukrainë dhe në skenën ndërkombëtare në përgjithësi, Putini mund t’i kërkojë kokat e turkut duke i synuar pakicat fetare dhe etnike. Kjo mund t’i thellojë ndarjet etnike dhe të gjenerojë konflikte të reja.

Kundërshtimi i publikut ndaj luftës në Ukrainë ka qenë i dukshëm në një lëvizje nëntokësore në rritje të rezistencës që e përfshin hakerimin e faqeve mediatike pro Kremlinit, shmangien e obligimit për luftë për meshkujt e rritur (draftit ushtarak), kërcënimet me bomba telefonike dhe sulmet me zjarrvënie ndaj komisariateve ushtarake ku kryhet shërbimi i draftit ushtarak (obligimit për luftë). Për më tepër, një numër në rritje i ukrainasve në Rusi, përfshirë ata të zhvendosur nga lufta e vitit 2022, do të bëhen më të vetëdijshëm kombëtarisht dhe do ta kundërshtojnë Kremlinin. Përveç kësaj, lëvizjet për çlirim kombëtar janë gjallëruar në pjesë të ndryshme të federatës; për shembull, në maj 2022, aktivistët indigjenë që përfaqësonin gjashtë lëvizje kombëtare e njoftuan krijimin e Lidhjes së Kombeve të Lira – një platformë politike për dekolonizimin e popujve indigjenë në Federatën Ruse dhe fitimin e sovranitetit të çdo kombi.

Moska e ka një histori të gjatë të mashtrimit të perëndimorëve dhe të përshkrimit të perandorisë së saj si të pathyeshme. Në një mishërim të mëparshëm perandorak, komunizmi sovjetik dhe internacionalizmi socialist supozohej të siguronin shpëtimin për të gjithë njerëzimin derisa u ekspozuan si mashtrim që nuk funksionon. Rusia e sotme e ka krijuar një imazh të statusit të fuqisë së madhe, fuqisë ekonomike dhe fuqisë ushtarake që po shpërbëhet në Ukrainë dhe po e zbulon se vetë struktura shtetërore qëndron në themele që po kalben. Sipas analistëve perëndimorë, në prag të luftës, dezinformimi shtetëror i Rusisë ishte i sofistikuar dhe bindës. Në realitet, ai nuk arriti ta bindte askënd jashtë një grupi të ngushtë besimtarësh të vërtetë se Moska po e zhvillon një luftë të drejtë të “denazifikimit” në Ukrainë. Përpjekjet për ta kontrolluar narrativën kanë dështuar për shkak të ekspozimit të hershëm të synimeve të luftës së Kremlinit nga shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe nga një fushatë efektive e informacionit nga qeveria ukrainase dhe shoqëria civile. Në mënyrë të ngjashme, aftësitë shumë të lavdëruara të luftës kibernetike të Rusisë duken të ekzagjeruara, pasi Ukraina ishte dukshëm e përgatitur mirë për çdo ndërprerje digjitale të infrastrukturës së saj kritike. Një tjetër dobësi e dukshme ka qenë rënia e operacioneve të inteligjencës ruse, siç është evidente në dështimet për ta parashikuar shkallën e rezistencës së armatosur të Ukrainës.

Ngërçi ushtarak i Rusisë ose humbja në Ukrainë do ta zbulojë dobësinë e natyrshme të Kremlinit, dhe rezistenca ukrainase dhe suksesi do t’i frymëzojë kombet e nënshtruara në Federatën Ruse që të kërkojnë autonomi dhe pavarësi. Sanksionet ekonomike gjymtuese që i rrëzojnë standardet e jetesës do të provokojnë trazira publike, revolta rajonale dhe luftëra për pushtet brenda dhe ndërmjet elitave të ndryshme. Si një tregues i ankthit të regjimit, Moska mund ta shfuqizojë çdo zgjedhje të drejtpërdrejtë të guvernatorëve rajonalë në të gjitha subjektet federale, nga frika e votimit protestues dhe perspektivës së kandidatëve jo besnikë që kalojnë përmes sistemit ekzistues të filtrave. Gjersa sanksionet e dobësojnë më tej ekonominë, shumë guvernatorë do të ekspozohen gjithashtu ndaj pakënaqësisë në rritje të publikut dhe kundërshtimit politik lokal. Intensifikimi i betejave politike në një ekonomi në kolaps do të kulmojë në thyerjen e shtetit dhe shfaqjen e entiteteve të reja që do ta refuzojnë projektin perandorak delirant (deluziv) të Moskës.

Në një skenar të tillë në zhvillim, NATO nuk duhet të ndërhyjë ushtarakisht nëse territori i saj nuk shkelet; por mund të inkurajojë dhe zhvillojë lidhje politike, ekonomike dhe të sigurisë me shtetet e reja që dalin nga një perandori ruse e shkatërruar. Pavarësisht nga dështimet e saj në rritje, Moska ka ende mjete të mjaftueshme ushtarake për t’i dëmtuar fqinjët e saj dhe rënia e shtetit mund të nxisë operacione më të dëshpëruara dhe më të rrezikshme kundër interesave perëndimore. Megjithëse Kremlini nuk do të jetë në gjendje t’i rindërtojë aftësitë e tij ushtarake konvencionale për ta sfiduar një NATO të bashkuar, veçanërisht nëse mbahen sanksione të rrepta ndërkombëtare, ai mund të përdorë ende fuqi të konsiderueshme për t’i sulmuar fqinjët më të vegjël. Prandaj, Aleanca duhet të përgatitet për një sërë përgjigjesh, nga parandalimi dhe mbrojtja deri te angazhimi aktiv ushtarak, në mënyrë që ta frenojë nga përhapja çdo pasojë shkatërruese të çarjes së afërt të Rusisë.

Janusz Bugajski

4 korrik 2022

Burimi:

Bugajski, Janusz. “Failed State. A Guide to Russia’s Rupture.” Washington, The Jamestown Foundation (2022).

https://jamestown.org/wp-content/uploads/2022/07/Russias-Rupture-MS-full-text-Final-web.pdf

You Might Also Like