Në historinë e futbollit të Kosovës, rrallë herë gjen figura që kanë besnikërinë dhe pasionin për një klub të vetëm si Afrim Shahini. Me plot 32 vite karrierë të pandërprerë në shërbim të FC Dritës fillimisht si portier dhe më pas si trajner, Shahini është shndërruar në një rekordmen absolut dhe një simbol të gjallë të klubit gjilanas.
Ish-gardiani, i cili për 14 vite mbrojti portën e “Intelektualëve”, dhe tash e 18 vite shërben si trajner i portierëve (dhe herë pas here si kryetrajner i përkohshëm), ka qenë dëshmitar dhe protagonist i të gjitha epokave të klubit nga vështirësitë e pasluftës, betejat për mbijetesë, e deri te dominimi i sotëm në futbollin kosovar.
Karriera e Shahinit si futbollist është e mbushur me suksese që kanë lënë gjurmë. Ai ishte pjesë kyçe e ekipit që solli trofetë e parë të mëdhenj në Gjilan pas luftës. Në vitin 2001 ai ngriti Kupën e Kosovës, ndërsa dy vite më vonë, në vitin 2003, ishte ndër protagonistët kryesorë që i dhuruan Dritës titullin e parë historik të Kampionit.
“Ishin vitet menjëherë pas luftës. Ishim kthyer nga arat e livadhet në stadiumet tona. Ishte një eufori e madhe, shikuesit i mbushnin shkallët e stadiumit gjer në 10,000 vetë. Kishim futbollistë shumë cilësorë në ato vite dhe arritëm të fitojmë së pari Kupën e Kosovës e më pastaj edhe titullin e Kampionit nën drejtimin e kryetarit Selami Osmani – Bezi,” kujton sot Shahini me nostalgji, 23 vite pas atij suksesi.
Pas varjes së dorezave në gozhdë, Shahini nuk u largua. Që nga viti 2008, ai ka marrë rolin e trajnerit të portierëve, duke u bërë pjesë e pandarë e stafit teknik. Puna e tij profesionale është kurorëzuar me një seri të re trofesh nën epokën e presidencës Bunjaku-Murseli.
Si pjesë e stafit teknik, Shahini ka fituar tre tituj të tjerë kampioni (2017/18, 2019/20 dhe 2024/25) dhe dy Superkupa të Kosovës (2018, 2025/26).
“Si trajner në FC Drita jam nga viti 2008, tani e 18 vite, dhe jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj familjeje të madhe futbollistike. Kemi një super staf dhe futbollistë ku secili i ka të ndara detyrat. Kam pasur fatin të shpallem tri herë kampion si trajner, duke treguar se në FC Drita punohet në mënyrë profesionale,” thekson Shahini.
Ai gjithashtu vlerëson lart rëndësinë e Superkupës: “Është kënaqësi e veçantë të jesh fitues i Superkupës së Kosovës, pasi aty takohet Kampioni me fituesin e Kupës. Të dalësh fitimtar në këtë duel është një ndjenjë e papërshkrueshme.”
Përpara se Drita të kthehej në një superfuqi të futbollit kosovar, ajo kaloi momente kritike ku rrezikoi rënien nga elita. Në këto momente dramatike, Afrim Shahini mori përgjegjësinë si udhëheqës i skuadrës, duke e shpëtuar klubin.
“Ishin vite të vështira. Në kampionatin 2014-2015 ishim në barazh me Flamurtarin në ‘Riza Lushta’. Unë udhëhiqja skuadrën dhe ishin momente shumë të sikletshme. Barazuam 1-1 dhe shpëtuam pas penalltive,” tregon Shahini.
Drama vazhdoi edhe vitin pasues (2015-2016) sërish kundër Flamurtarit në Drenas, ku Drita mbijetoi sërish me penallti pasi kishin barazuar rezultatin ne minutat e fundit, si dhe në vitin 2016-2017 kur mposhtën Dukagjinin 2-1. “Këto ishin vite të mbijetesës, por dëshira për klubin na bëri të triumfojmë në momentet e fundit, për t’u ringritur vetëm një vit më vonë.”
Me ardhjen e investitorëve Flamur Bunjaku dhe Valon Murseli në vitin 2016, FC Drita nisi dominimin. Shahini shprehet i privilegjuar që punon nën këtë drejtim, duke përmendur edhe kontributin e Feti Murselit dhe Valon Zymberit.
Ky stabilitet i ka mundësuar Shahinit të vendosë një rekord unik: ai numëron 39 ndeshje ndërkombëtare në kompeticionet evropiane si pjesë e stafit të Dritës.
“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që i përkas kësaj familjeje. Të punosh nën drejtimin e këtyre njerëzve që po bëjnë emër jo vetëm në Kosovë por edhe në arenën ndërkombëtare, është privilegj,” përfundon Shahini.





