Aktakuzë ndaj personit se i premtoi 10 euro për ta votuar ish-kryetarin e Kamenicës dhe tjetrit se e fotografoi këtë votë
Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Fidan Dërmakut, duke e akuzuar atë se në ditën e zgjedhjeve komunale ka kërkuar nga i akuzuari tjetër, Almir Rexhepi, që ta votojë Partinë Social Demokrate (PSD), respektivisht ish-kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, dhe si kundërshpërblim ky i fundit do t’i merrte 10 euro.
Aktakuza në fjalë është ngritur më 23 nëntor të këtij viti, përkatësisht nëntë ditë pas ditës së zgjedhjeve komunale të 14 nëntorit të këtij viti dhe si e tillë, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, Fidan Dërmaku dhe Almir Rexhepi ngarkohen me veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212, paragrafi 1, respektivisht 2 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në pesë vjet.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Fidan Dërmaku më 14 nëntor 2021, në Kamenicë, në vendin e quajtur “Pasqyra e Kamenicës”, është takuar me të akuzuarin Almir Rexhepi dhe nga i njëjti ka kërkuar që ta votojë numrin 127 (PSD-në), ta fotografojë votën dhe më pas si kundërshpërblim do t’ia jepte 10 euro.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë të saj, i akuzuari Almir Rexhepi pasi paraprakisht është marr vesh me të akuzuarin Fidan Dërmaku për ta votuar subjektin politik në fjalë dhe si kundërshpërblim t’i marr 10 euro, shkon voton dhe me celular e fotografon votën e tij, me ç’rast paratë nuk arrin t’i marrë pasi hetohet dhe arrestohet nga policia.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.