Pata kënaqësinë të vizitoj kompaninë “AG-GLASS Sh.P.K.”, e cila me punën e saj ka sjellë inovacion dhe cilësi në qytetin tonë.
Ajo që e bën këtë ndërmarrje të veçantë është xhamprerësja moderne, pajisje e teknologjisë së fundit, që e vendos këtë kompani në nivelin më të lartë të prodhimit dhe përpunimit të xhamit në nivel Republike.
Me këtë investim, “AG-GLASS”, ka ngritur standardin e punës, dhe është shndërruar në veprimtari të suksesit të bizneseve tona vendore.
Kjo është dëshmia më e mirë se me guxim, dije dhe vizion mund të ndërtohen kompani që i bëjnë nder Gjilanit dhe tërë Kosovës.
Një falënderim i madh për drejtuesit dhe gjithë punëtorët e kësaj kompanie për mikpritjen dhe përkushtimin.
Ata na dëshmuan se puna e ndershme dhe besimi në të ardhmen janë çelësi i suksesit.
Zotohemi që do të jemi bashkë me bizneset vendore dhe do t’i jetësojmë mundësitë e tyre potenciale të zhvillimit.
Çfarë kënaqësie me e pa se si gratë ndërmarrëse janë përfaqësueset dhe ambasadoret më të mira të Gjilanit deri në Amerikën tejoqeanike.
Bashkë me kandidatin tonë për Asamble Komunale, Isa Musliji, vizituam një prej bizneseve të fuqishme të qytetit tonë “MINNA Fashion”.
Pas këtij suksesi që ka bërë jehonë jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë vendit, qëndron zonja Vjollca, një grua e jashtëzakonshme që prej shumë vitesh udhëheq me profesionalizëm dhe përkushtim këtë ndërmarrje, duke krijuar vende pune për mbi 100 gra të Gjilanit.
Fustanet e saj marrin pjesë në tërë Evropën e deri në Amerikën e largët.
Ky është vullneti i jashtëzakonshëm se si puna, vizioni dhe guximi shkojnë përtej suksesit.
Ne zotohemi që si qeveri e ardhshme lokale, do të jemi pranë çdo biznesi, për t’i mbështetur e për t’i fuqizuar, sidomos, gratë ndërmarrëse, sepse besojmë se zhvillimi i qytetit tonë fillon pikërisht nga fuqizimi i ekonomisë dhe i njerëzve tanë.
Faleminderit zonja Vjollca për mikpritjen dhe punën kolosale që po e bëni.
Kaluam një ditë fantastike në Livoç të Ulët, duke vizituar biznesin e Xhavit Shkodrës për prodhimin e kërpudhave “Green Group-Kosova”.
Ishte një mundësi e shkëlqyer të shikonim nga afër punën dhe pasionin që ai ka vendosur në këtë projekt.
Bashkë me të dhe me kandidatët tanë për Asamble Komunale, Sami Ahmeti dhe Burim Elezi, biseduam për sfidat dhe mundësitë që ofron kjo industri, dhe si mund ta mbështesim më shumë biznesin lokal në qeverisjen e ardhshme.
Faleminderit, Xhavit Shkodra, për mikpritjen dhe për ndarjen e përvojës tuaj biznesore.
Bashkë do të jemi në ditë të mira, e në ditë të bekuara për zhvillimin e ekonomisë së qytetit tonë!
Së bashku me kandidatët për Asamble, Demush Vokshin e Sami Ahmetin, patëm nderin të vizitojmë Shoqatën e të Verbërve në Gjilan, të udhëhequr nga z. Bajram Spahiu.
Në këtë takim shumë miqësor, u njohëm nga afër me sfidat dhe përditshmërinë e tyre, por mbi të gjitha me forcën, vullnetin dhe këmbënguljen për të mos u ndalur asnjëherë.
Këta njerëz, me gjithë vështirësitë që përballen, janë model frymëzimi për të gjithë ne.
Një qytet i denjë dhe me përplot të mira ndërtohet duke i dëgjuar të gjithë, sidomos ata që shpesh lihen anash.
Ne si ekip kemi vullnet dhe vendosmëri që zëri i tyre të përkthehet në vendime konkrete, në politika të qarta e në mbështetje konkrete.
Baki, faleminderit nga zemra për mikpritjen dhe besimin.
Ky besim është përgjegjësia jonë më e madhe dhe ju siguroj që nuk do të jeni asnjëherë të harruar, e të lënë anash.
Dera e Komunës së Gjilanit për ju dhe të gjitha kategoritë tjera, do të jetë e hapur me zemër të madhe dhe me përkushtim e trajtim institucional.