Sportet luftarake

Aris Halimi boksieri premtues që po synon majat e boksit kosovar

Njëri ndër boksierët më premtues të Klubit të Boksit “Drita” dhe boksit kosovar, Aris Halimi nga Gjilani, po hap me hapa të sigurt shtigje të gjata drejt suksesit në ring. 18-vjeçari, i cili spikat si për talentin në sport ashtu edhe si nxënës shembullor, po përgatitet për debutimin e tij të rëndësishëm në konkurrencën e seniorëve.

Përtej pasionit dhe përkushtimit në sport, Arisi është një nxënës i dalluar që ndjek mësimet në Shkollën e Mesme Teknike. Megjithatë, pasditet e tij i kushtohen stërvitjeve intensive. Prej shtatë vitesh, ai punon çdo ditë me synimin për t’u ngjitur në piedestalin më të lartë të boksit.

Në kategorinë deri në 65 kilogramë, Arisi ka krijuar një profil të jashtëzakonshëm si boksier. Deri më tani, ai ka zhvilluar 12 meçe në kategoritë e reja, duke shënuar fitore në të gjitha përballjet. “Me boks kam filluar tani e shtatë vite në KB ‘Drita’, nën drejtimin e trajnerëve të dëshmuar Musli Zymberi, Nazim Halili dhe Leotrim Rexhepi,” shprehet Arisi.

“Jam shumë me fat që i kam këta tre trajnerë të dëshmuar, nga të cilët po mësoj fshehtësitë e boksit në ring. Deri më tani kam boksuar në 12 meçe në kategoritë e reja ku i kam të gjitha fitore. Nga ky vit, për herë të parë do të paraqitem në konkurrencën e seniorëve, ndërsa synimi im është që sa më parë t’i mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

” Sfida e radhës, dhe më e rëndësishmja për momentin është Kampionati Shtetëror i Boksit, i cili do të mbahet më 4 prill në qytetin e Pejës. Ky do të jetë testi i tij i parë i vërtetë si senior.

“Do të jetë hera e parë që boksoj në konkurrencën e seniorëve. Më 4 prill do të ndeshem për titullin e kampionit në boksin e Kosovës. Synimi im është të shpallem kampion në këtë kategori, për të shpërblyer familjen time e cila më përkrah në çdo moment, si dhe trajnerët e mi,” shton me optimizëm 18-vjeçari.

Nuk ka dyshim se boksit gjilanas dhe atij mbarëkosovar po i lind një talent i madh. Një sportist si Aris Halimi, që ndërthur disiplinën në shkollë me talentin në ring, meriton të mbështetet në çdo formë të mundshme për të arritur potencialin e tij të plotë.

You Might Also Like