Diell Jerliu, karateisti i talentuar nga Klubi i Karatesë “Agim Ramadani-Katana”, po tregon vlera të larta në sportin e karatesë, pavarësisht se është vetëm 12 vjeç. Me disiplinë, përkushtim dhe pasion, ai po dëshmon se është një nga talentet më premtues të këtij sporti.
Karrierën e tij e nisi në moshën 9-vjeçare, duke shfaqur menjëherë potencial të madh.
“Në sportin e karatesë jam dashuruar që fëmijë. Më pëlqejnë sfidat dhe sportet luftarake, por krahas karatesë, në asnjë moment nuk i lë pas obligimet shkollore,” thekson Diell Jerliu, i cili ndjek mësimet në klasën e VII në SHMU “Thimi Mitko”, ku gëzon respektin e shokëve dhe mësuesve të tij.
Përveç rezultateve të shkëlqyera në sport, Dielli ka edhe ambicie të mëdha për të ardhmen. “Me sportin e karatesë do të merrem gjatë. Synimi im është që Kosovës t’i sjell medalje nga kampionatet evropiane, botërore dhe olimpike,” shprehet ai me entuziazëm.
Deri më tani, ai ka fituar disa medalje në kampionate dhe turne të ndryshme, duke e përfaqësuar me sukses klubin e tij, KK “Agim Ramadani-Katana”. Trajneri i tij, Shkëlzen Bala, është i bindur se ky talent do të lërë gjurmë në karate. “Dielli është një talent i rrallë. Çdo ditë po arrin rezultate kulminante dhe jam i sigurt se shumë shpejt do të dëgjojmë për të në nivele më të larta. Ai do të na bëjë krenar me paraqitjet e tij,” thekson trajneri Bala.
Në këtë klub të njohur të karatesë, punohet me përkushtim dhe profesionalizëm, duke nxitur zhvillimin e talenteve të rinj si Diell Jerliu, i cili me punë dhe vullnet të madh, synon të bëhet një kampion i vërtetë.