Libri

Arsimi shqip gjatë viteve të 90-ta nga këndvështrimi i tre autorëve francezë

(Ky vështrim është paraqitur në promovimin e librit ,,Shkolla e Popullit: dhjetë vjet lufte të padhunë në Kosovë 1990 – 1999’’, të autorëve Jean-Yves Carlen, Jean-Claude Moog, Jean-Marc Muller)

Shkruan: Enver Sadiku

Menjëherë pas luftës në Kosovë, bashkë me disa kolegë, mësimdhënës të gjuhës frënge ishim mysafirë te miqtë tanë francezë në Kolmar për të marrë përvoja të reja në mësimdhënie dhe shpesh nëpër vizita të ndryshme në institucione shkollore, temë e pashmangshme ishte Kosova e sapo dalë nga lufta dhe arsimi nën kushte okupimi. Për opinionin francez ishte i paimagjinueshëm mësimi nëpër shtëpi-shkolla, nëpër bodrume, pa mjete të konkretizimit e nën syrvejimin dhe dhunën e çdoditshme nga pushteti okupues.

Për shumëkë ishte e pabesueshme se një trajtim i tillë i nxënësve dhe mësimdhënësve nga Kosova po ndodhte në zemër të Evropës. Në atë që po rrëfenin mësimdhënësit nga Kosova asnjë fije dyshimi nuk e kishin miqtë e Kosovës Jean-Yves Carlen, Jean-Claude Moog, Jean-Marc Muller dhe të tjerë, disa nga të cilët në vitet nëntëdhjeta kishin qëndruar në Kosovë dhe nga afër kishin parë se si mësohej e punohej në kushte të tilla.

Angazhimi i tyre për senziblizimin e çështjes së Kosovës në Francë dhe për ndihmë ndaj arsimit shqip nuk kishte pushuar asnjëherë dhe tashti kur në Kosovë frymohet lirshëm, ata i ishin rrekur punës për hartimin e librit me titull ,,Shkolla e Popullit: dhjetë vjet lufte të padhunë në Kosovë 1990 – 1999’’.

Autorët e këtij libri, që në titull i ikin termit shkolla paralele, shtëpi-shkolla apo me epitete të tjera që zakonisht përdoreshin në atë kohë, por këto shkolla i quajtën shkolla të popullit, ngase dyert e atyre shtëpive i kishte hapur vetë populli, ato financoheshin, mbështeteshin e ruheshin nga populli, që ishte një vlerë e veprim i paparë e i pa shembullt ndonjëherë në kontinentin e vjetër.

Në foto autorët e librit Jean-Yves Carlen, Jean-Claude Moog dhe Jean-Marc Muller

Autorët e librit, duke qenë se që nga fillimvitet e nëntëdhjeta ishin të njohur me politikën jo të dhunshme të shqiptarëve, të kërcënuar nga ish-regjimi disa herë kanë vizituar Kosovën, kanë shkruar libra e artikuj nëpër mediat franceze e shumica prej tyre duke qenë edhe mësimdhënës kanë qenë në dijeni të vazhdueshme me arsimin shqip në Kosovë. Në hartimin e librit, përpos përvojave të veta, autorët e këtij libri kanë marrë dëshmi edhe nga mësimdhënës, prindër e nxënës. Ata kanë shfrytëzuar dokumente e bibliografi për të hartuar një libër me vlerë, i cili lexuesit i vije në gjuhën frënge dhe i përkthyer në gjuhën shqipe.

Deri më tashti, libra të tillë janë të botuar edhe në Kosovë, por e veçanta e këtij libri është se autorët e tij duke qenë francezë nuk janë të ndikuar kombëtarisht dhe në mënyrë të paanshme paraqesin fakte e dëshmi për arsimin në periudhën 1990 – 1999.

Në libër është paraqitur një historik i shkurtër i Kosovës, me theks të veçantë me zhvillimet e viteve të nëntëdhjeta, ku shkollat e popullit paraqiten si rezistencë qytetare. Autorët në mënyrë kronologjike shkruajnë për presionin që u organizua mbi mësimdhënësit shqiptarë për pranimin e plaprogrameve që imponoheshin nga ish-pushteti, ndarjen e qëllimshme të nxënësve nëpër turne të veçanta mësimi, pas të cilëve u realizua helmimi masiv i nxënësve me mësim në gjuhën shqipe, pushimin e mësimdhënësve nga puna e më pas edhe përjashtimin e nxënësve nga objektet shkollore, kohë pas të cilës filloi mësimi nëpër shtëpi-shkolla. Këtu duhet cituar fjalët e njërit nga autorët Jean-Yves Carlen, i cili thekson se përballë pushtimit serb, pati mobilizim mbresëlënës e të fuqishëm të popullatës për të mbrojtur shkollën e vet dhe përkundër vështirësive dhe frikës që mbillnin forcat serbe ishte entuziazmi që e nxiste marrja sërishmi e shkollës së tyre në dorë nga popullata shqiptare që përbënte tharmin e rezistencës civile kosovare.

Autori e vëren qartë se arsimi ishte shtylla e qëndresës së asaj kohe dhe se po të ndërpritej arsimimi i të rinjve, ai do të përbënte një rrezik shtesë për kohezionin në komunitetin e tyre. Ishin këto shkolla që mbanin frymën e rezistencës, por që në to mbizotëronte vendosmëria drejt rrugës së lirisë. Në këtë pjesë autori nuk lë pa përmendur edhe rolin që kishte udhëheqja e atëhershme në krye me kryetarin Ibrahim Rugova dhe përpjekjet për afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare e në të cilën gjithsesi se është i pamohueshëm edhe roli i autorëve të këtij libri për sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Francë.

Në këtë libër kanë zënë vend edhe dëshmitë autentike të mësimdhënësve, që autorët i kanë marrë si dëshmitarë, të cilët drejtpërsëdrejti kanë punuar nëpër shtëpi-shkolla dhe në sistemin arsimor nën okupim. Dëshmitarët qofshin ata mësimdhënës, nxënës të dikurshëm e prindër ishin dëshmitarë real të këtyre zhvillimeve, por autorët e librit paraqesin edhe mënyrën se si disa nga këto ngjarje ishin paraqitur në shtypin francez të kohës. Kjo pjesë ilustrohet edhe me disa fotografi që shpërfaqin dhunën serbe mbi shqiptarët, por edhe me fotografi nga mësimi në shtëpitë-shkolla.

Në pjesën e tretë të librit, autori Jean-Marc Muller vë në pah se ky hulumtim i tyre në masë të madhe u drejtohet lexueseve francezë. Ai i konsideron shkollat paralele si një kapitull të lavdishëm në historinë e madhe të pavarësisë së Kosovës. Duke qenë një mësimdhënës me përvojë, Mylleri bënë një krahasim të sistemit arsimor të ish-Jugosllavisë, atë kosovar dhe atë francez, ai vë në pah rolin e madh në arsimimin e gjeneratave që ka aftësimi i mësuesve. Ai pasi gjen se Kosova kishte kaluar nëpër një periudhë të vështirë, e cila gjithsesi se është reflektuar në cilësinë e arsimit, megjithatë vlerëson se Kosova nuk duket e pashpresë dhe se shumë shpejt do të zë hapin me vendet evropiane, por që duhet kapërcyer pengesat siç janë formimi profesional i mësimdhënësve, përmirësimi i gjendjes materiale të tyre, furnizimi me material mësimor dhe kërkesa të tjera.

Në pjesën e katërt Jean-Claud Moog bën një krahasim të gjendjes në krahinën e Alzasit në Francë me atë të Kosovës. Alzasi është një rajon dygjuhësorë, ku gjuha e rajonit është një e folme gjermanike, por që e folmja e saj është e kufizuar te të moshuarit dhe zonat rurale dhe që po bëhet një përpjekje e madhe për ruajtjen e saj. Sipas tij, nga një gjuhë e shumicës, ajo tashti është bërë një gjuhë e margjinalizuar dhe sipas tij kjo vije si pasojë e veprimeve politike dhe shkaku i çrrënjosjes së saj nga sistemi shkollor. Moog në libër paraqet një shpjegim historik për Alzasin dhe zvogëlimin e numrit të popullatës që flasin alzasisht për arsye nga më të ndryshmet dhe kur krahason atë me rastin e Kosovës, Moog gjen se kushtet politike dhe historike të Kosovës kanë lejuar një unitetet të popullsisë dhe ishte vullneti popullor dhe guximi kolektiv për ta ruajtur qenien e vet me çmimin e sakrificave materiale, pasigurisë dhe rrezikut fizik me vite të tëra. Dhe kur bënë krahasimin me Alzasin, ku kanë mbetur vetëm 10 shkolla fillore asociative për ruajtjen e alzasisishtes, Moog shkruan se në Kosovë kjo rezistencë dhe kjo lavdi kolektive themeloi dhe forcoi institucionin arsimor.

Libri ,,Shkolla e Popullit: dhjetë vjet lufte të pa dhunë në Kosovë 1990 – 1999’’ i autorëve Jean-Yves Carlen, Jean-Claude Moog, Jean-Marc Muller është një kontribut i çmuar që dëshmon se edhe përkundër gjendjes nën okupim të popullatës shqiptare shumicë në Kosovë, pos rezistencës me veprime politike edhe mësimi në shkollat e popullit ishte një periudhë e lavdishme e rezistencës drejt pavarësisë së Kosovës. Ky është një libër që pasuron hulumtimet e gjertanishme për arsimin shqip nën okupim, është shtytës për plotësimin dhe hulumtimet e mëtejme, por gjithashtu është një dëshmi dhe udhërrëfyes se rruga për në BE do të jetë më e shkurtër me një arsim më cilësor, ku respektohen gjuhët dhe kulturat e ndryshme.

Gjilan, 26.10.2024

You Might Also Like