Në një mbrëmje të mbushur me emocione, art dhe muzikë, edicioni i dhjetë jubilar i International Albanian Brass Festival u shënua me një koncert të veçantë në ambientet e Bibliotekës #COD në Kryeministrinë e Shqipërisë.
Ky aktivitet erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes festivalit dhe Operës së Kosovës, duke sjellë për publikun shqiptar një përjetim artistik që performuesit nga Kosova e bënë akoma më interesant.
Në qendër të koncertit ishte promovimi i botimit më të ri muzikor “14 këngë popullore për kuintet tunxhi”, të aranzhuara nga Maestro Edmond Doko. Ky projekt sjell një qasje të re në interpretimin e muzikës popullore shqiptare, duke e përshtatur atë për kuintet tunxhi e vokal.
Në skenë u ngjitën solokëngëtarja nga Gjilani, Elona Sadiku, tenori Liridon Sadriu, ansambli instrumental Albanian Brass Quintet, si dhe ansambli vokal Okteti Plus nga Kosova. Artistët interpretuan pjesë të përzgjedhura nga libri i ri. Ky koncert pason suksesin e shënuar më herët në Prishtinë, në kuadër të festimeve për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe erdhi në Tiranë përsëri. Ky koncert dëshmoi edhe një herë fuqinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet institucioneve dhe artistëve shqiptarë.