Shefik Surdulli
Atje n’kufi…
Mallkuar qofsh
Atin
në mos e shalofsh
kalur të ngjitesh bjeshkës
tejpërtej t’i rashë
deri n’kufi
një kujtim këndej
nga atje ku s’ka më njeri.
Kanë thënë
sall varret kanë mbetë.
Po
janë tonat
Atyre jepu jetë.
Janë ca të moçme
të kthyer në legjendë
rrethue me gurë lëmashk
atyre bjeru në gjunjë
se u kemi hak
U bënë roje për kufi
aty ku tash
nuk ka më njeri.
Lësho dhe një za,
si i çmendur bërtit
Bëhu sikur çoban’t po i thërret
Atit bjeri kamxhik
azdise të hingellojë
Si në lamë kur e nget
Ta degjojnë varret
t’kujtojnë
se aty ka jetë.
Shkrepe dhe një pushkë
për nderim
Për lavdinë e tyre
ma sill një kujtim.