!
Gjilan, 26 tetor 2018 – Refik Aliu nga “Dardania” e Gjilanit, e ka pasur të zorshme t’i hap dritaret në stinën e veres shkaku i kundërmimit të madh që krijojnte lumi “Mirusha”.
Por, tash situata ka ndryshuar pasi Komuna e Gjilanit në bashkëfinancim me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor po vazhdojnë me sukses punimet në ndërtimin e shtratit të këtij lumi në pjesën pas furrës “Aroma”.
“Ky investim na e ka ndryshuar jetën për 80 për qind për të mirë. Prej majit deri në fund të shtatorit nuk kemi mujtë me dalë në ballkon një kafe me pi prej erës së keqe. Po shihet që po punohet mirë dhe ky investime e ka rritur vlerën e shtëpive tona që e kemi për skaj të lumit. Kjo për neve është një mrekulli dhe e falënderojmë shumë kryetarin Lutfi Haziri”, i ka thënë Refik Aliu kryetarit të Gjilanit, teksa ky i fundit me bashkëpunëtorët I ka inpektuar punimet aty.
Kryetari Haziri është ndar i kënaqur me dinamikën e punimeve, duke thënë pas fazës së parë të punimeve, do të bëhet edhe shëtitorja mbi lum.
“Kjo është faza zhvillimore e ndërtimit të lumit Mirusha, në pjesën ku fillon lagja, “Dardania” e deri në rrugën qarkore. Pasi janë ndërtuar gypat për ujërat e zeza, në fazën e dytë do të rregullohet shëtitorjam, ku do të integrohen gypat e ujërave atmosferik, ndriçimi, trotuaret dhe elementet tjera përcjellëse. Definitivisht, problemit më madhor në Gjilan po i vjen fundi”, ka thënë kryetari Haziri.
Ky projekt do të integrohet me projektin e Stadiumit të Qytetit dhe me kampusin e shkollave të mesme.