OPINION

Banorët e Myçibabës jetojnë si në kohën e gjyshërve të mi

   Xhylije Ibrahimi

Në Myçibabë, një fshat i brezit kufitar, banorët jetojnë si në kohën e gjyshërve të mi. Ende bartin ujë me gomar, nga një largësi prej 1.200 metra. Fshati nuk ka as infrastrukturë bazike.

Pushtetarët e deritashëm e kanë lënë pas dore një zonë kufitare, që është pjesë shumë e rëndësishme e sovranitetit të Kosovës.

Uji nuk është i vetmi problem për 15 familjet e mbetura në këtë fshat, me rreth 90 banorë. As fëmijët nuk kanë rrugë të hairit deri në shkollë. Tre prej tyre udhëtojnë në këmbë nga Lipovica, nëpër një rrugë dheu, më shpesh e mbuluar nga balta, se sa e tharë.

Në këtë zonë kanë mbetur kryesisht familjet që nuk kanë pasur kushte të shpërngulen në qytet. Ka që këtë sakrificë e bëjnë edhe nga dashuria për vendin e tyre. Shumica jetojnë prej asistencës sociale dhe pa perspektivë për të ardhmen.

Banorët thonë se nga pushtetarët u janë premtuar kushte më të mira, sa herë është dashur të ngjiten atje lart për të kërkuar votën. Por, asgjë nuk është bërë deri tani.

Sërish shkojnë me të njëjtat premtime. Banorët thonë se kësaj here nuk do të mashtrohen më.

You Might Also Like