OPINION

Isa Bajçinca – personalitet poliedrik

Në njëvjetorin e shkuarjes në amshim të Profesor Isa Bajçincës

Të flasësh për prof. Isa Bajçincën është lehtë dhe vështirë njëherësh. Mbase duket paradoksal një konstatim i këtillë kundërthënës, porse vërtet është kështu. Është lehtë, sepse për të mund të flitet gjatë e gjatë, sepse ka çfarë të thuhet për personalitetin e tij kompleks e poliedrik prej gjuhëtari, pedagogu, kolegu, bashkëpunëtori etj. Mirëpo, pas kësaj menjëherë shfaqet antipodi i lehtësisë, vështirësia: çfarë të thuhet e çfarë të mos thuhet, kur e tërë jeta tij ishte mbushulluese në rrafshin e studimeve gjuhësore, duke përfshirë të gjitha fushat: fonetikën, fonologjinë, morfologjinë, sintaksën, semantikën, stilistikën dhe pragmatikën, duke qenë shembull praktik për një nivel të lartë të kulturës së gjuhës, qoftë në të shkruar, qoftë në të folur, në rrafshin e pedagogut universitar dhe ligjëruesit të kulturës së gjuhës në medie. Pragmatizmi i tij shpërfaqej edhe në transmetimin e dijes së fushave të gjuhësisë tek receptuesit, qofshin ata nxënës, studentë apo njerëz të rëndomtë, të cilët nuk i lidh profesioni për studimet gjuhësore. Ai ishte një personalitet kompleks profesional, një erudit i njëmendtë.

Unë pata fatin ta kisha mësimdhënës gjatë studimeve, por bashkëpunimi dhe komunikimi me të intensifikua sidomos pas luftës së vitit 1999 dhe çlirimit të Kosovës, posaçërisht nga vitet 2000 të shekullit XXI, kur, me nismën e tij dhe të një grupi studiuesish, mësimdhënësish, gazetarësh e dashamirësish të gjuhës, u formua Shoqata e Gjuhës Shqipe e Kosovës, kryetar i së cilës që nga themelimi u zgjodh prof. Isa Bajçinca dhe sinonim i së cilës ishte dhe ka mbetur prore dhe tani. Ai ishte përfaqësues i denjë i tiparit qytetërues të popullit, nivelit të lartë të kulturës së gjuhës dhe në vazhdimësi i kundërvihej një gare absurdi, që ishte dhe është e pranishme në vazhdimësi ndër ne dhe ka marrë përmasa shqetësuese: kush do ta përbaltë më shumë gjuhën, kush do të thyejë më tepër normat e përcaktuara të rregullave drejtshkrimore, kush do ta degradojë më tepër të folurit dhe të shkruarit shqip, rrjedhimisht kush do të rrënojë edhe ato pak veçori të dëshmisë së qytetërimit tonë, të cilat u ndërtuan me mund shekullor nga breza e breza personalitetesh të shquara të kombit.

Në qershor të vitit 2015, për të katërmbëdhjetën herë me radhë, përmbyllëm veprimtarinë e Konkursit të kulturës së gjuhës “Gjuhëtari i ri”, në ballë të së cilës ishte prof. Isa Bajçinca. Në të çdo vit merrnin pjesë mijëra nxënës të shkollave të mesme të ulëta të të gjitha trojeve etnike shqiptare, nga klasa VI deri në klasën IX, duke shfaqur njohuritë e tyre për fushat gjuhësore: drejtshkrim, morfologji, sintaksë, shkathtësi komunikimi, kulturë shkrimi nëpërmjet një eseje të shkurtër etj.

Viti 2016 ishte pa praninë fizike të profesorit të nderuar Isa Bajçinca, por edhe pa konkursin e kulturës së gjuhës. Mungesën e tij fizike e ndiem e po ndiejmë të gjithë ne që e njohëm, por edhe ata që nuk e njohën, por e deshën dhe e duan gjuhën tonë. Ai u prehtë në paqe, e kujtimi për të qoftë i përjetshëm./ Sulejman Dërmaku, prof.

Prishtinë, 22 dhjetor 2016

You Might Also Like