Shkruan: Sali Rexhepi, drejtor Ekzekutiv i Institutit për Demokratizim, Avokim dhe Transparencë
Bashkëpunimi dhe komunikimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qytetarë nuk duhet të jetë vetëm në kohë fushate parazgjedhore, në çdo katër vjet, por i përhershëm për t’i dëgjuar dhe adresuar kërkesat, nevojat dhe propozimet e qytetarëve gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit.
Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në nivel lokal kërkon bashkërendim të ngushtë ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që përfaqësojnë rajonin e Gjilanit, institucioneve të pushtetit lokal, komunitetit të biznesit dhe qytetarëve. Ky bashkëpunim është parakusht për adresimin efektiv të sfidave socio-ekonomike me të cilat përballet rajoni, si dhe për shfrytëzimin e potencialit zhvillimor që ka Gjilani, si një qendër urbane dhe ekonomike në Anamoravë.
Roli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga komuna e Gjilanit, qëndron në artikulimin, harmonizimin dhe lidhjen ndërmjet nevojave lokale dhe politikave kombëtare, ndërsa bashkëpunimi me pushtetin lokal dhe sektorin privat është esencial për krijimin e klimës së favorshme për investime, punësim dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Gjendja aktuale e ekonomisë në komunën e Gjilanit
Ekonomia e Gjilanit në të kaluarën ka qenë e bazuar në industri, agrobiznes, tregti dhe shërbime. Por, me ndryshimin e rrethanave të përgjithshme shoqërore, janë ndryshuar edhe raportet ekonomike dhe mënyra e të bërit biznes. Në rrethana të reja të ekonomisë së tregut, në Gjilan janë krijuar bizneseve te reja në sektorin privat, ku dominojnë bizneset individuale, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por që akoma nuk i plotëson nevojat e qytetarëve dhe punësimin e të rinjve. Aktualisht, në zhvillimin e ekonomisë së Gjilanit kontribuojnë këta sektorë: Industria e ushqimit për prodhimin e produkteve bujqësore dhe ushqimore; Industria e prodhimit te radiatorëve panel dhe gypor; Tregtia dhe shërbimet janë një ndër sektorët më të zhvilluar, duke përfshirë biznese të ndryshme si restorante, hotele dhe shërbime të tjera të konsumit; Industria e ndërtimit ka një trend të zhvillimit në ndërtimin e objekteve të banimit dhe të infrastrukturës, si dhe disa biznese përcjellëse që lidhen me sektorin e ndërtimit.
Sipas të dhënave zyrtare aktualisht ekzistojnë mbi 11,013[1] biznese të regjistruara, ndërsa 7,068 janë biznese aktive, prej tyre biznese individuale me 53.49% dhe NVM me 44.55% .
Sektori privat ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Gjilanit. Por, vlen të potencohet se vetëm 11.98 % e ndërmarrjeve janë të angazhuara në prodhim, ndërsa 74% e bizneseve janë të angazhuara në aktivitete tregtare e shërbyese. (Të dhëna sipas Strategjisë për zhvillimin ekonomik lokal për komunën e Gjilanit 2024-2031).
Kriter kryesor për vlerësimin e ekonomisë së një vendi merret raporti ndërmjet Importit dhe Eksportit. Sipas të dhënave të ASK-së eksporti mbulon importin me vetëm 13,0%.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 komuna e Gjilanit ka 82,901[2] banorë, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2011 ka pasur 90,178 banorë, që tregon se ka rënie të popullsisë prej 7,277 banorë. Çka është edhe më shqetësuese se tendenca e migrimt të rinjve të shkolluar është në rritje e sipër. Po largohet inteligjenca teknike, e cila është shtyllë e zhvillimit ekonomik, specialistët dhe stafi shëndetësor, si dhe shumë profile tjera të shkolluara.
Deputetët e Kuvendit kanë mundësinë që të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Gjilanit, duke i adresuar kërkesat për zhvillimin ekonomik lokal, që lidhen me kompetencat e nivelit e pushtetit qendrorë, që ato t’i trajtojnë në komunikim të drejtpërdrejtë me ministrat e linjës në komisione parlamentare, në Seancë plenare përmes pyetjeve parlamentar, interpelancave dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Posaçërisht vlen të potencohet se angazhimi i deputetëve të Kuvendit duhet të jenë pro-aktivë me rastin e miratimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH-it) dhe Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin fiskal, ngase asnjë Projekt për investime kapitale nuk mund të realizohet nëse nuk është i paraparë me këto dy dokumente.
Vitin e kaluar me deputetët e Legjislaturës së VIII, me të gjitha Grupeve Parlamentare kam realizuar një hulumtim – anketim, sipas metodës së rastit 10% të mostrës, në lidhje me bashkëpunimin e tyre me qytetarë. Në pyetjen e anketës se sa kohë kaloni në takime me qytetarë, përgjigjet e tyre kanë qenë: qytetarët i takojmë “shumë herë”, disa janë deklaruar se qytetarë i takojnë “sipas kërkesave të tyre”, pa specifiku sa kohë ndajnë dhe ku takohen për të bashkëbiseduar me qytetarë. Por, të gjithë janë përgjigjur se nuk kanë zyre të veçanta për deputetë nëpër komuna, ku mund t’i takonin qytetarët.
Mirë kishte me qenë që komuna e Gjilanit që, me bashkëfinancim nga Fondi për financimin e partive politike dhe buxheti i komunës, t’u siguronte deputetëve të Kuvendit të Kosovës zyra të përhershme, ku ata munden me u taku dhe bisedua me qytetarë, për t’i dëgjuar kërkesat dhe propozimet e tyre dhe për t’i adresuar ato gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit.
Përvojat ndërkombëtare për bashkëpunimin e parlamentarëve me qytetarë
Unioni Ndër-Parlamentar, me seli në Gjenevë, në lidhje me bashkëpunimin e parlamentarëve me qytetarë ka realizuar në hulumtim të përgjithshëm, sipas metodës së rastit, me 600 parlamentarë nga e gjithë bota, se sa orë në javë i kalojnë me qytetarë?
Rezultati i atij hulumtimi tregon se mbi 50% e parlamentarëve i kalojnë mbi 20 orë në javë të punës së tyre me qytetarë, duke i dëgjuar kërkesa, problemet dhe propozimet e tyre.
Ka zgjidhje të ndryshme varësisht nga sistemi politik dhe kultura politike e një vendi.
Në Britaninë e Madhe, parlamentarët kalojnë fundjavën duke punuar në Zonat e tyre zgjedhore dhe kalojnë tre orë në ditë në Parlament gjatë mbajtjes së seancave.
Në Francë, parlamentarët vijnë në Parlament të martën në mëngjes dhe kthehen në vendet e tyre të enjten në mbrëmje. Të premten, të shtunën dhe të hënën deputetë punojnë në zonat e tyre zgjedhore.
Ndërsa në disa vende të tjera evropiane, deputetët janë të përkushtuar më shumë në aktivitetin e tyre në Parlament se sa në Zonat e tyre zgjedhores. Gjermania dhe Holanda, veprimet e deputetëve në zonat e tyre zgjedhore kanë shumë më pak rëndësi sesa në parlament.
Ndërsa te ne, sipas legjislacionit në fuqi, (neni 110.1 i Ligjit nr. 08/l-228 për zgjedhjet e përgjithshme) Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, ndërsa neni 4, paragrafi 1.4 i po të njëjtit ligj parasheh që zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës reflektojnë përfaqësimin gjeografik të të gjitha rajoneve të Kosovës.
Nga praktika e deritanishme, sipas këtij legjislacioni ka rezultuar se përfaqësimi territorial nuk është adekuat për përfaqësimin e të gjitha rajoneve në Kuvendin e Kosovës. Disa komuna janë përfaqësuar me më shumë deputetë krahasuar me numrin e banorëve (zgjedhësve), ndërsa ka komuna që nuk janë të përfaqësuara me asnjë deputetë.
Mandati i deputetit sipas nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës përkufizohet: deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.
Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal për komunën e Gjilanit 2024-2031
Në Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal për komunën e Gjilanit 2024-2031, e cila është hartuar në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik është analizuar gjendja aktuale, janë adresuar kërkesat dhe perspektiva e zhvillimit ekonomik lokal të Gjilanit për periudhën shtatë vjeçare. Por, kjo strategji akoma nuk është miratuar.
Për sot propozoj që të diskutojmë për tri fusha që, sipas mendimit tim, duhet të kenë prioritet për një zhvillim ekonomik të komunës së Gjilanit, si: 1) Arsimi -Edukimi digjital dhe inovacion; 2) Infrastrukturë biznesore dhe 3) Infrastruktura rrugore, pa e mohu rëndësinë e fushave të tjera që janë përfshi në Strategjinë për zhvillimin ekonomik.
- Arsimi dhe edukimi për teknologji digjitale dhe inovacion
Arsimi është faktori kryesor i zhvillimit të një shoqërie. Resurset humane të përgatitura dhe të specializuara paraqesin shtyllën kryesore për zhvillimit ekonomik të një vendi.
Tani po jetojmë në Epokën digjitale, prandaj kërkohet që edhe sistemi i arsimit dhe i ekonomisë t’u përshtatet kërkesave të kësaj epoke. Korrikulat shkollore në të gjitha shkallët e arsimit parauniversitar duhet të përfshijnë mësimin e teknologjisë digjitale, e cila kërkon bashkëpunim ndërmjet DKA, MASHT dhe agjencitë e specializuara të kësaj fushe.
Të shihen mundësitë që nxënësit në shkollimin para universitar, me financim nga MASHT-ti, të pajisjen me IP, në vend të librave me çanta me peshë të rëndë. Të merren shembuj nga shtetet, që e kanë të zhvilluar sistemin më të mirë në botë, si Finlanda.
Por, paraprakisht duhet trajnuar stafin mësimdhënës për të aplikuar teknikat dhe mënyrën e mësimdhënies, që mësimdhënien klasike përmes demonstrimit në drrasë të zezë, ta zëvendësojnë me tabela të mençura dixhitale.
Gjithashtu, kërkohet një bashkëpunim i DKA me komunitetin e biznesit se për cilat drejtime të shkollave profesionale ka nevojë ekonomia e Gjilanit.
Meqenëse në rajonin tonë funksionon edhe UKZ, i cili mund ta zgjerojë numrin e programeve në drejtimin e Shkencave Kompjuterike me qëllim të përgatitjes së kuadrove të nevojshme për ekonominë bashkëkohore digjitale.
Janë të shumta shtete në botë që kanë investuar strategjikisht në teknologjinë digjitale, duke e përdorur atë si motor për zhvillim ekonomik, rritje të produktivitetit dhe transformim të modelit të tyre ekonomik.
Për ilustrim, shtetet që kanë investuar në teknologji digjitale dhe kanë pasur zhvillim të hovshëm ekonomik, si Estonia që ka investua në teknologji digjitale, E-qeverisje, shërbime publike online, ka pasur ndikim ekonomik, duke tërhequr investimet e juaja dhe rritjen e PBB.
Koreja e Jugut, ka investuar në zhvillimin dhe përurimin e AI, edukim në teknologjinë digjitale dhe në robotikë, që ka ndikuar në rritjen e prodhimit dhe të eksporteve të teknologjisë, që ka ndikuar në rritjen e PBB.
Singapori, Malajzia, etj. që kanë investua dhe zhvilluar edukimin dhe ekonominë digjitale kanë pasur një zhvillim të shpejt ekonomik, rritje PBB dhe përmirësim të jetesës për qytetarët e tyre.
- Investimet në Infrastrukturë biznesore
Infrastruktura biznesore që aktualisht posedon Komuna e Gjilanit është Inkubatori i Biznesit, në të cilën ushtrojnë veprimtarinë e tyre disa biznese fillestare.
Por, për një zhvillim më të shpejtë nevojitet bashkëpunimi i autoriteteve të komunës së Gjilanit me autoritet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe me Agjencinë për Zhvillimin e Investimeve të Kosovës (KIESA) për themelimin e një Parku të Biznesit apo të një Zone të Lirë Ekonomike do të ishte me interes të veçantë për zhvillimi ekonomik të Gjilanit.
Themelimin i një Parku të Biznesi (PB), në të cilin mund të akomodojë biznese të madhësive dhe sektorëve të ndryshëm; ndihmon zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme lokale; ulë koston fillestare në infrastrukturë dhe mirëmbajtje; mundëson zhvillim të qëndrueshëm; mund të shërbejë si qendër për bashkëpunim dhe inovacion mes bizneseve, etj.
Ndërsa me themelimin e Zonës së Lirë Ekonomike (ZLE) ekonomia lokale ka mundësinë e tërheq së investime të huaja, ngase ofron përjashtime tatimore, doganore dhe stimuj të tjerë që janë tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.
Autoritetet e pushteti lokal dhe atij qendrorë duhet të përcaktohen se cili variant është më i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik të komunës së Gjilanit.
- Investimet në infrastrukturë rrugore si parakusht për zhvillimin ekonomik të Gjilanit
Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, e filluar që nga viti 2017, akoma nuk përfunduar. Ndërtimi i kësaj autostrade dhe vazhdimi i saj me Luginën e Preshevës do të kishte ndikime të shumëfishta për zhvillimin ekonomik të Gjilanit, ngase do të mundësonte qarkullimin dhe bashkëpunimin e bizneseve me tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe do të nxiste investimet e huaja në Gjilan.
Gjithashtu, bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë për ndërtimin e Hekurudhës prej Portit të Durrësit deri te Porti i Thatë, në Fushë Kosovë do të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. Me interes strategjik për zhvillimin ekonomik të rajonit të Anamoravës do të ishte që kjo hekurudhë të vazhdohet dhe të lidhet me Korridorin e 10 të hekurudhave.
Transporti Multimodal ka ndikim të madh në zhvillimin e një vendi, ngase ai lehtëson dhe përshpejton qarkullimin e mallrave të ndërmarrjeve vendore në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, si ka efekt multifunksional në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Me qëllim të tejkalimit të sfidave dhe zhvillimit të ekonomisë së Gjilanit kërkohet një bashkëpunim dhe angazhim më i madh edhe komunitetit të bizneseve, i shoqërisë civile dhe i qytetarëve që gjatë hartimit të strategjive zhvillimore dhe planeve rregullative të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete.
Gjithashtu, OJQ dhe qytetarët duhet të jenë aktive dhe të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga organet kompetente për zbatimin e strategjive dhe projekteve të miratuara.
Bashkëpunim ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pushtetit lokal, komunitetit të biznesit, OJQ-ve dhe qytetarëve është thelbësor për demokratizimin e shoqërisë, zhvillimin më të shpejt e të qëndrueshëm, që tërheq edhe investimet huaja, për krijimin e vendeve të reja punës dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së përgjithshme për banorët e Gjilanit.
[1] Burimi ATK, https://www.atk-ks.org/
[2] ASK