OPINION

BASHKËPUNIMI I XHELAL BEUT, KAJMEKAM I GJILANIT, ME IDRIZ SEFERIN

aliriza  Shkruan: Mr. Aliriza Selmani

Kur flitet për ardhmërinë e vendit mund të pohohet me të drejtë se pothuaj askush nga shqiptarët nuk mund të ishte indiferent. Andaj, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në radhët e veta me kohë përfshin njerëz të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Kjo vlen në veçanti për vitet e fundit të sundimit osman kur hasim në zyrtarë të ndryshëm me origjinë shqiptare,të cilët simpatizonin dhe në momente të caktuara edhe ndihmonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në këtë aspekt po përmendim shefin e Shtabit të Korpusit të Tretë Selanikut me qendër në Manastir, Ali Rizah Pashën, i cili ishte shqiptar dhe i biri i mytesarifit të Plevles, Sylejman Pashës.

Në kohën e operacioneve ushtarake osmane të Shefqet Turgut Pashës kundër kryengritjes shqiptare të Kosovës më 1910, konsulli i njohur serb Zh. Baligxhiq nga Selaniku në telegramet e tij,pos tjerash,thotë se Ali Rizah Pasha në Këshillin ushtarak kishte kërkuar që t’u jepej fund reprezaljeve në Kosovë dhe të fillojnë bisedimet me shqiptarët,me arsyetim se nuk kanë ushtarë të mjaftueshëm për t’iu kundërvënë një numri prej 70-80 mijë kryengritësish shqiptarë,në të kundërtën do të jepte dorëheqje. Raportuesi shënon se komandantët ushtarakë kishin rënë në konflikt mes vete dhe shton se oficerët shqiptarë përkrahnin kërkesën e Ali Rizah Pashës. Balugxhiq kishte bindjen se komandanti Ali Rizah Pasha si shqiptar kishte simpati ndaj ëasp lëvizjeje dhe se me një rast i kishte deklaruar haptas në Selanik se ”shqiptarët po bëjnë luftë për ekzistencë” .Konflikti në komandën ushtarake bëri që ministri i Luftës, Mahmut Shefqet Pasha,të marrë komandën dhe të jetë këmbëngulës që në shuarjen e kryengritjes  shqiptare të shkohet deri në fund .

Në vijim të këtij shqyrtimi do të bëjmë fjalë diç më shumë për kajmekamin e kazasë së Gjilanit Xhelal Beun dhe kontributin e tij dhënë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kësaj ane në vitet e fundit të sundimit sundimit osman. Për këtë kemi shfrytëzuar të dhëna dokumentare,shtypin e kohës, kujtime nga njerëz të moshuar dhe pjesëmarrës të ngjarjeve, të mbledhura në terren nga historiani ynë Sadullah Brestovci.

Xhelal Beu ishte shqiptar nga fshati Tërrnoc i Bujanocit, bir i një oficeri osman,për të cilin sallnamet (vjetarët) osmane dëshmojnë se ka shërbyer si kajmekam në kazanë e Gjilanit gjatë vitit hixhrije 1323,që do të thotë nga 1 marsi 1910 deri më 1 mars 1911,pra mu në kohën e kryengritjes masive shqiptare të Kosovës më 1910. Siç dihet, atë vit shqiptarët e rrethit të Gjilanit, të prirë nga Idriz Seferi e të tjerë nga shumë vise të tjera të Kosovës, morën pjesë aktive në luftërat e ashpra kundër ushtrisë osmane të udhëhequr nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha në Grykën e Kaçanikut, Moravën e Epërme, Karadak dhe në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.

Në kohën e masivizimit të kryengritjes për të cilën kishte dhënë kontributin e vet në mënyrë të fshehtë edhe Xhelal Beu, në kohën e marrjes së Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit shqiptarë, për shkak të dyshimit, valiu i Kosovës  u ishte drejtuar agallarëve e bejlerëve gjilanas me një telegram, duke i pyetur se a po e ndihmon ne kryengritjen. Se ata në të vërtet e simpatizonin kryengritjen, e disa ishin vënë në shërbim të saj së bashku me kajmekamin Xhelal Beun, flet edhe  letra raportuese e mësuesit serb nga Gjilani në shërbim të qeverisë serbe, Zhivko Popoviq, dërguar konsullit të përgjithshëm të Serbisë në Shkup dhe kjo e fundit e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Beograd. Nga kjo shihet se valiu shfaqte një dozë dyshimi te këta feudal dhe te kajmekami. Po atë ditë në mbrëmje (më 24 prill), agallarët e bejlerët, të shtyrë nga kajmekami, kishin mbajtur mbledhje dhe kishin lajmëruar valiun se nuk janë me kryengritës dhe se janë besnikë të sulltanit e të Kushtetutës. Jemi të bindur se këtë arsyetim e kishin bërë vetëm sa për të fshehur dyshimin, sepse raportuesi në fjalë konstatonte se këtyre fjalëve nuk mund t’u besohej pasi që këtu në Gjilan kjo është një fshehtësi e njohur, se të gjithë janë me shqiptarët (kryengritësit, A.S), e bile edhe nëpunësit dhe vet kajmekami, i cili mburrej me luftën e shqiptarëve.. Gjatë një ndeje, thuhet në letër, ai ishte shprehur haptas duke thënë se “Shqiptarët po luftojnë për liri dhe unë po ua kamë lakmi trimërive të tyre”. Raportuesi shton më tej se “nuk është çudi që kajmekami të fliste mirë e me mburrje për shqiptarët, sepse ai vet është shqiptar, ndërsa gjaku nuk është ujë”.

Xhelal Beu kishte lidhje të drejtpërdrejtë edhe me udhëheqësit kryesor të Lëvizjes Kombëtare të Rrethit të Gjilanit, Idriz Seferin, dhe me të tjerët, por ky bashkëpunim ka qenë shumë sekret dhe i vazhdueshëm. Lidhur me këtë flet edhe burgosja formale e Idriz Seferit, Ramë Abdylit, Shabi Kajollit e disa të tjerëve që ishte bërë diku në mars të vitit 1910 dhe sipas marrëveshjes paraprake mes tyre vetëm sa për t’i humbur gjurmët e bashkëpunimit dhe të ndihmës që Xhelal Beu po i jepte Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Këtë  e vërteton fakti se kjo burgosje ishte bërë në zyrën e kajmekamit dhe  se “të burgosurit patën gjithçka të hanë e të pinë”. Këtë burgosje formale e vërteton edhe ardhja e djalit të Idriz Seferit, Isufit, që të nesërmen me një grup malësorësh të Karadakut për ta nxjerrë Idrizin me shokë nga burgu, gjë që edhe u arrit pa kurrfarë rezistence. Gjatë kohës  së daljes nga burgu Idrizi në shaka i kishte thënë Xhelal Beut: “Edhe unë po të burgosi”.

Pas rikthimit të Grykë së Kaçanikut nga Shefqet Turgut Pasha dhe derisa po vazhdonin luftimet e ashpra midis kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane në Moravën e Epërme dhe në Karadak, Xhelal Beu, i vetëdijshëm për vendosmërinë e pushtetit qendror osman që në shuarjen e kryengritjes do të shkohet deri në fund dhe për masakrat  që do të pasonin, bëri disa përpjekje për ndërprerjen e operacioneve të mëtejme ushtarake dhe për arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Për këtë qëllim kishte dërguar disa përfaqësues në Ferizaj për të biseduar me kryekomandantin Shefqet Turgut Pasha, mirëpo kjo nuk u arrit, sepse, siç shkruante edhe  konsulli Rakiq nga Prishtina, po këto ditë nga Shkupi për në Gjilan ishte nisur një njësi e madhe ushtarake.

                  Nga mesi i majit 1910. në kazanë e Gjilanit ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe kishin pasur masa ndëshkimore të Sh .T Pashës kundër kryengritësve dhe familjeve të tyre. Edhe në këto rrethana Xhelal Beu kishte dhënë kontributin e tij të pamohueshëm . me qëllim që të shpëtonin nga ndjekjet dhe gjyqet ushtarake ,shumë pjesëmarrësve të kryengritjes u shpërndante vërtetime zyrtare me anë të të cilave se ata nuk kishin marrë pjesë në kryengritje,gjë që u mundësonte që të ktheheshin të lirë në familjet e veta. Lidhur me këtë konsulli M.Rakiq në raportin e tij të  12 majit 1910 njoftonte ministrin e Jashtëm M. Milovanoviq, se “Kryengritësit e anës së Gjilanit kanë filluar të kthehen në kthehen në shtëpitë e tyre dhe për këtë ndihmoi shumë kajmekami,I cili vetë iu ndante shqiptarëve (lexo kryengritësve)vërtetime zyrtare,ma anë të cilave dëshmijnë se nuk kanë marrë pjesë në luftëra dhe se në saje të këtyre vërtetimeve nuk kanë marrë pjesë në luftëra dhe se në saje të këtyre vërtetimeve nuk do të preken as nga gjyqi ushtarak”.Konsulli në fjalë kishte bindjen se “këso vërtetimesh mund të gjenden me siguri edhe tek shqiptarët e vrarë në luftëra”. Në vijim të të njëjtit raport jepen të dhëna se kajmekami i kishte urdhëruar fshatarët serbë të këtyre anëve t’i merrnin gjërat të cilat më parë kryengritësit i kishin zënë nga ushtria dhe që tani po i kthenin te organet e pushtetit,me urdhër që të mos i tregonin emrat e atyre nga të cilët i kishin marrë. Ai po ashtu i kishte urdhëruar oficerët e xhandarmërisë dhe zaptijet që të mos bënin hetime në  këtë aspekt.

Këto të dhëna dëshmojnë se Xhelal Beu nuk po e kursente veten dhe po përpiqej që në kuadër të kompetencave e mundësive të tija të kontribuonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Gjatë “yrfijes“ së Turgut Pashës armët kishin filluar të mblidheshin edhe nga popullsia serbe e disa fshatrave të kazasë së Gjilanit. Mendojmë se kjo ishte bërë me iniciativën e kajmekamit Xhelal Beu,aksion ky që kishte pasur efekt,dhe,siç shkruante edhe shtypi i kohës,brenda një kohe të shkurtër ishte mbledhur një sasi e konsiderueshme armësh. Mirëpo,kjo kishte shkaktuar reagime të ashpra të shtypit serb,qeverisë serbe dhe të deputetëve serbënë Parlamentin osman,gjë që bëri që aksioni të ndërpritet.

Për shkak të dyshimit të shtuar edhe ndaj vetë kajmekamit,më 5 maj 1910 në Gjilan qëndroi ministri i Luftës Mahmut Shefqet Pasha, i shoqëruar nga Sh.T.Pasha,kryetar i Gjyqit Ushtarak në Ferizaj.Të nesërmen,të lidhur edhe me roje të fortë,u dërguan për në Ferizaj e pastaj në burgun e Shkupit, Sahit Aga,dy djemt e të cilit, Hasani e Hyseni,ishin në radhët e kryengritësve,pastaj Mustafë Sylejmani ,kryetar i komunës dhe mik i Bajram Currit si dhe Shefki ef. i afërm i Hamdi Novobërdes. Ato ditë ashpërsohen edhe në Gjilan e rrethinë,por,megjithatë,mund të thuhet se në sy autoriteteve ushtarake në Gjilan solli Beqir Sadovinën e varur në Sadovinë, i cili qëndroi i varur edhe në Gjilan dhe Mulla Maxheren e varur në Kaçanik,ndërsa pak më vonë edhe vëllezërit Mustafë, Adem dhe Ibrahim Kabashi,organizatorë të kryengritjes,të vrarë në Kabash e të cilët i solli dhe i varrosi në Gjilan.

                  Meqë diplomacia dhe shtypi serb i kohës nëpërmjet konfidentëve  të tyre në Gjilan ishin të njoftuar për ndihmën që Xhelal Beu po i jepte Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të asaj ane, bënin përpjekje që atë ta diskreditonin para pushtetit qendror osman. I vetëdijshëm për këtë, Xhelal Beu,mu në valën e arrestimeve dhe të mbledhjes së armëve nga shqiptarët, u mundua ta bënte një hap diplomatik, apo një lloj “rehabilitimi” formal para kësaj fushate.Në të vërtetë ai kishte urdhëruar burgosjen e dy mësuesve dhe 12 qytetarëve të tjerë serbë në Gjilan me akuzën si të dyshimtë. Kjo bëri që në Gjilan të vinte kryeprifti serb Prota Setiq me qëllim që të ndikonte për lirimin e tyre. Siç njoftonte konfidenti serb nga Gjilani, Prota Setiq ishte pritur dhe përcjellë mirë nga ana e pushtetit e në veçanti nga kajmekami,”ndaj të cilit ekzistonte dyshimi”, dhe shton se “ata qëndruan gjatë në bisedë dhe darkun së bashku”. Raportuesi në fjalë shprehte habinë duke thënë se “një gjë e tillë nuk më është e qartë dhe se çka do të thotë kjo zoti e di”. Para përcjelljes së kryepriftit, Xhelal Beu i kishte shpërndarë nëpër çeli të posaçme. Nga të dhënat e mësipërme shihet se kjo taktikë e kajmekamit të Gjilanit kishte pasur efekt.

Në bazë të të dhënave memoriale mësojmë se Xhelal Beu edhe më parë si oficer osman dhe pas emërimit si kajmekam kishte treguar interes për hapjen e shkollave në Gjilan e rrethinë dhe për këtë qëllimi kishte formuar një komision që do të shqyrtonte mundësinë e hapjes së një shkolle shqipe në Përlepnicë, fshat afër Gjilanit. Mirëpo,kjo iniciativë kishte hasur në kundërshtimin e disa feudalëve vendës,Siç  duket,meritë e Xhelal Beut ishte po ashtu që në Gjilan e rrethinë në vitin 1909-1910 të funksiononin disa shkolla shqipe.

Edhe në aspektin ekonomik Xhelal Beu kishte dhënë kontributin e tij si kajmekam, për çka dëshmojnë të dhënat e kohës. Kështu, pas ndërtimit të hekurudhës Selanik-Mitrovicë 1873, pjesa më e madhe e eksportit dhe importit të mallrave të kazasë së Gjilanit ishte e orientuar në këtë drejtim. Nga kjo kohë rëndësi më të madhe kishte fituar rruga Gilan-Ferizaj,e meremetuar më 1895 me iniciativën e Xhelal Beut. Lidhur me këtë gazeta serbe e Shkupit “Zakonitost”,më 28 tetor 1910,pos tjerash,shkruante:”tashmë 23 ditë me urdhrin e kajmekamit Xhelal Beu është duke u meremetuar rruga Gjilan-Ferizaj.

Se Xhelal Beu po vepronte në të mirë të çështjes kombëtare dhe kundër synimeve imperialiste serbe ndaj këtyre viseve,flasin këto të dhëna:Parlamenti osman kishte miratuar ligjin për lidhjen e kontratave me shkrim ndërmjet çifligarit dhe çifçiut me anë të të cilave çifligarët do të ndiheshin më të sigurt dhe çdo kontest do të zgjidhej me gjyq. Pati raste kur disa çifçinj serbë kundërshtuan nënshkrimin e kontratave. Kështu,kur disa sish të fshatit Kufcë kundërshtuan këtë,agallarët gjilanas ua kishin marrë tokën dhe tani po e punonin vetë. Kur këta çifçinj u ankuan te kajmekami në Gjilan ai iu kishte thënë se “ju jeni qiraxhinj në tokë të huaj dhe nëse këtu nuk ju duket mirë,mund të shkoni në Jemen ku keni tokë sa të doni”.Lidhur me këto sjellje të kajmekamit,Spira Ristiq më 22 janar 1911 i shkruante konsullit të përgjithshëm të Serbisë në Shkup,duke shprehur habinë për qëndrimin e kajmekamit ndaj të ankuarve dhe thoshte:”Çifçinjtë e kanë të drejtën mbi tokën të cilën e punojnë”. Po ashtu,kur pas shpalljes së amnistisë,në janar të vitit 1911,mytesarifi i Prishtinës e kishte liruar nga burgu Hamdi Novobërdën e Gjilanit, aktivist i dalluar i Lëvizjes në këto anë, serbët e Gjilanit ishin ankuar te kajmekami me pretekst se ai e kishte vrarë priftin serb Kataniq dhe u ishte kërcënuar të tjerëve. Mirpo, Xhelal Beu i kishte refuzuar ankesat e tyre duke iu thënë se vrasja e popit ishte vrasja politike dhe se më të rrezikshëm janë mësuesit serbë se Hamidu.

Mendojmë se pushteti qendror osman deri diku ka ditur për aktivitetin dhe kontributin e Xhelal Beut dhënë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kësaj ane, por për shkak të situatës momentale dhe autoritetit që ai gëzonte në popull nuk mori masa të ngutshme kundër tij. Këtë e bëri më 1911,kur ishin marrë masa kundër shqiptarëve të dyshimtë në poste të ndryshme të pushteti osman dhe Xhelal Beu ishte transferuar nga Gjilani dhe po atë vit në krye të redifëve shqiptarë  ishte dërguar për ta shuar kryengritjen arabe në Jemen. Edhe atje Xhelal Beu kishte luajtur rol pozitiv dhe kishte vënë kontakte me imam Jahjanë, njërin nga prijësit e kryengritjes arabe, duke u marrë vesh që të mos luftonin mes vete seriozisht, sepse të dy palët,si shqiptarët ashtu edhe arabët,po luftonin për të njëjtin ideal-për t’u çliruar nga sundimi osman.

Më 1912 Xhelal Beun e hasim kajmekam në kazanë e Kumanovës. Emërtimi i tij në këtë detyrë ishte bërë me kërkesën e popullsisë shqiptare të asaj ane, diku nga fundi i vitit 1911. Edhe gjatë kësaj kohe Xhelal Beu i kontribuoi aktivitetit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe i vazhdoi kontaktet e fshehta me Idriz Seferin, Isa Boletinin dhe prijës të tjerë, për çka flasin edhe raportet austriake të kohës. Mendojmë se aktiviteti patriotik i Xhelal Beut bëri që shumë oficerë,ushtarë dhe xhandarë osmanë,të cilët ndodheshin në shërbim në anën e Kumanovës,të dezertonin për t’iu bashkuar kryengritësve në kazanë e Gjilanit dhe në vise të tjera.

Për autoritetin që Xhelal Beu gëzonte te popullsia shqiptare e kazasë së Gjilanit flet edhe kjo e dhënë:Kur në gjysmën e parë të korrikut 1912 kryengritja kishte marrë hov edhe në kazanë e Gjilanit dhe konfliktet me ushtrinë e xhandarmërinë osmane ishin të shpeshtuara,korrespondenti i “Politikës” së Beogradit shkruante se më 11 korrik. I thirrur urgjent nga valiu i Kosovës,Mashar bej,erdhi në Gjilan kajmekami i Kumanovës Xhelal Beu, i cili me kërkesën e shqiptarëve ishte emëruar kajmekam i Gjilanit, sepse kajmekami i mëparshëm ishte i padëshirueshëm dhe pas vrasjes së Mydirit të Hogoshit edhe këtë e kishin dënuar me vdekje dhe nuk guxonte të lëvizte nga qyteti.  Për këto ndërrime në Gjilan diplomacia serbe ishte njoftuar nëpërmjet konfidentit të saj në Gjilan-drejtorit të shkollës serbe të qytetit, Milan Nikshiq, i cili më 15 korrik 1912 njoftonte për këto ndryshime dhe shprehte mendimin se ky është një gjest manipulimi i shqiptarëve me pushtetin osman.

Gjatë Luftës së Parë Botërore Xhelal Beu qe vrarë nga një oficer i lartë i ushtrisë turke për shkak të një mosmarrëveshje dhe për shkak se nuk i kishte kryer urdhrat e tij.

Nga e tërë kjo që u tha shihet se Xhelal Beu si kajmekam i Gjilanit i kishte dhënë një kontribut të çmuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kësaj ane,prandaj personalitetet si ky dhe të ngjashëm meritojnë një vështrim të posaçëm.

 

(Për shkak të natyrës së portalit, nga ky punim janë hequr fusnotat)

 

 

 

You Might Also Like