Viti

Bekim Azizi, rizgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë

Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e parë të rregullt. Me këtë rast në këtë mbledhje me shumicë votash u zgjodh z.Bekim Azizi si kryesuesi i Kuvendit Komunal.
Kjo mbledhje ishte udhëhequr nga kryesuesi mbledhjeve të Kuvendit, z.Basri Aliu i cili edhe propozoi rendin e ditës, në të cilën ishte paraparë edhe dhënie e betimit të anëtares së Kuvendit Komunal, znj. Yllka Qamili.
Megjithatë jashtë rendit të ditës por me pajtimin e shumicës për votim hyri edhe një propozim vendimi që parasheh formimin e dy drejtorive të reja në këtë komunë si: Drejtoria për Zhvillim Ekonomik si dhe drejtoria për Siguri dhe Emergjenca. Ishte pikërisht ky propozim vendim shkas që anëtarët e Kuvendit Komunal të Vitisë nga radhët e LVV-së në shenjë proteste të lëshojnë mbledhjen duke mos marrë pjesë në votim pasi që ata u shprehën të pakënaqur që kryesuesi i mbledhjeve z. Aliu nuk pranoj të diskutohet për këtë pikë pa hyrë në rend të ditës.
Megjithatë edhe kjo pikë është votuar me shumicë të votash si dhe është bërë betimi i anëtares, Yllka Qamili. Ndërkaq lidhur me votimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë z. Bekim Azizi mori 18 vota pro dhe 1 kundër të anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje. Ai falënderoj të gjithë ata që kanë pasur besim që ai të rizgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë. Përndryshe z. Azizi edhe në mandatin e shkuar kishte kryesuar këtë organ.

You Might Also Like