Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani
Pas okupimit fashit më 1941, pjesa më e madhe e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, mbeti nën okupimin italian, iu bashkua Shqipërisë londineze duke u themeluar administrata civile me emrin Komisariati i Lartë Civil për “Tokat e Liruara” me qendër në Prizren, e në krye me Fejzi Alizotin, i cili bën organizimin administrativ dhe në fillim themeloi dy prefektura: Prefekturën e Prizrenit dhe të Prishtinës, kurse në shtator 1941 edhe Prefekturën e Pejës.
Në kuadër të Prefekturës së Prishtinës hynte Nënprefektura e Gjilanit dhe Nënprefektura e Ferizajt. Në Gjilan ishin vendosur organet e administratës së Nënprefekturës në krye me nënprefektin dhe Bashkia (Komuna) e qytetit në krye me kryetarin. Nënprefekti ishte organi më i lartë i pushtetit civil në nënprefekturë, kurse kryetari në bashki apo komunë. Nënprefekti emërohej nga Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë dhe kishte nën mbikëqyrje administratën, gjyqet, ekonominë, arsimin dhe kulturën. Në krye të bashkisë së qytetit dhe të komunave në fshatra ishte kryetari dhe këshilli i bashkisë (komunës), i cili kontrollonte administratën e pushtetit lokal.
Sipas Marrëveshjes së Vjenës, nga gjysma e majit 1941, Rrethi i Gjilanit ishte ndarë në zonën okupuese italiane, respektivisht shtetit Shqiptar me 206 fshatra dhe zonën okupuese bullgare, me 20 fshatra të komunës së Vitisë dhe 5 fshatra të Dardanës. Kurse vija e demarkacionit ishte caktuar përgjatë Moravës së Binçës. Kështu, pjesa më e madhe e Rrethit të Gjilanit, gjegjësisht Anamoravës, iu bashkua Shqipërisë nën administrimin italian, ku u vendos administrata sipas modelit të administratës në Shqipërinë londineze
Para Luftës së Dytë Botërore kompetencat e Ulema-Mexhlisit të Shkupit shtriheshin edhe në Kosovë, ku vepronte Myftinija e Prizrenit, rrethveprimi i së cilës shtrihej edhe në Rrethin e Gjilanit. Në një listë nxjerrë nga raporti i Këshillit të Ulemave të Rretheve të Shkupit për popullsinë myslimane për vitin 1938/39, shihet se prej 14 rretheve të Këshillit të Ulemave të Shkupit nënë numrin 1, është shënuar Rrethi i Gjilanit, i cili atëbotë ishte Rrethi më i madh në Kosovë, me 8.357 shtëpi myslimane; me 33.101 meshkuj dhe 30.682 femra, gjithsej: 63.783 banorë të besimit islam.
Vlen për t’u cekur se organet e BI-së imamatet e xhematit, komisionet e Vakëf mearifeve dhe më vonë Ulema-mexhlisi i Shkupit ishin institucione të vetme legale për shqiptarët mysliman të viseve të okupuara, ku ata mund të komunikonin jo zyrtarisht në gjuhën amtare, shqip. Këto organe janë të njohura për rolin e tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe për krijimin e mundësive të rezistencës së organizuar shqiptare kundër pushtuesit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore të gjitha kompetencat e Bashkësive Islame, nga “Tokat e Liruara”- të pjesës më të madhe të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore kaluan nga Ulema Mexhlisi i Shkupit në kompetencë të Kryesisë së Komunitetin Mysliman me qendër në Tiranë. Në Kosovë u formuan Kryemyftinia e Zonës së Prizrenit dhe ajo e Prishtinës, të cilat korrespondonin me Kryesinë e Këshillit të Ulemave në Tiranë. Kryemyftinia e Zonës së Prishtinës përfshinte Myftininë e Gjilanit, Ferizajt dhe Drenicës, kurse Kryemyftinia e Zonës së Prizrenit përfshinte myftinjtë e Pejës, Gjakovës, Suharekës Rahovecit dhe Dragashit.
Për derisa të bëhej organizimi i administratës fetare e financiare dhe me qëllim të mirëvajtjes së punëve, Dr. Behxhet Shapati-Kryetar i Kryesisë së Komunitetit Mysliman në Tiranë, më 1941, do të kërkojë nga të ngarkuarit zyrtarë islam, në “Tokat e Liruara”, që të vazhdojnë me aktivitetin e tyre e fetarë, administrimin dhe ruajtjen e pasurive vakëfnore dhe të akteve zyrtare të myftinisë e të vakëfeve, dhe se për çdo çështje zyrtare duhej të korrespondonin me Kryesinë e Komunitetit. Një shkresë të tillë, më 21.06.1941, ia kishte dërguar edhe Shaip Rexhepit në Gjilan, me anën e së cilës kërkohej që të vazhdojë me detyrën e Myftiut.3 Pothuaj se e njëjta gjendje do të vazhdojë gjatë gjithë kohës, për këtë flitet edhe në përgjigjen kërkesës nr.19, të datës 30.01.1944, të Kryemyftiut të Zonës së Prishtinës Rexhep Remziut, nga ana e Kryesisë së Këshillit të Ylemave në Tiranë, nr.36, më 10.02.1944, me arsyetimin se “rrethanat e sotshme nuk lejojnë që të merret nji masë pranë P.T. Qeverisë Shqiptare, se asht nji send i vështirë me vu në vijë e në rregull mejtimin t’uaj me anën e Shtetit,” dhe shton “Mbasi në Tokat e Lirueme ende vazhdojnë veprimi i ligjeve si fetare e civile të ish Mbretnisë Jugosllave, tash për tash duhet të vazhdoni e të veproni si ma përpara”.
Bashkësia Islame, që vepronte në kuadër të “Tokave e Liruara”, përveç parullës fetare, kishte dhe atë atdhetare. Imamët dhe nëpunësit fetarë do të qëndrojnë në krye të detyrës që u ishte ngarkuar dhe njëkohësisht do të japin vaze (predikimet) me përmbajtje fetare dhe atdhetare. Kështu, me rastin e festës së 28 Nëntorit u përgatiten manifestime të ndryshme. Në kuadër të këtyre manifestimeve, që për herë të parë po bëheshin në këto vende, Komisariati i Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë me anë të një telegrami nr. 20, të datës 8-XI-1941-XX, kërkon nga Kryesia e Këshillit të Ministrave (Sekretaria e Përgjithshme) në Tiranë që Komuniteti Mysliman të dërgonte një grup kuadrosh, të cilat “lutjet fetare të zakonshme ndër xhamia do t’i bënin në gjuhën shqipe”, meqenëse kishte nevojë për këto kuadro sidomos në Strugë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Rekë-Rodush5.
Një rol të rëndësishëm në këtë detyrë me fjalën e shkruar do ta luajë kryetari i Kryesisë së Komunitetit Mysliman në Tiranë, dr. Behxhet Shapati. Më 17 nëntor të vitit 1941, kryetari i Komunitetit Mysliman, shkel. e tij dr. Behxhet Shapati, i shoqëruar prej hirësisë së tij Muharrem Mullahi, kryemyfti i Zonës së Tiranës, prej z. Sadik Bega, z. Sulejman Bakalli, llogaritar i përgjithshëm i Drejtorisë së Vakëfeve, z. hafëz Muhameti, imami i Xhamisë së Vjetër, z. Hasan Tahsini, z. Vexhëhi Buharaja etj., do t’i bëjë një vizitë Kosovës dhe qendrave të saj, gjatë së cilës ata do të zhvillojnë takime me zyrtarë të BI-së dhe me autoritetet e organeve qeveritare. Qëllimi i vizitës ishte të njihen me punën e efektivave të organeve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe me gjendjen e popullatës së këtushme, siç thuhet, “për t’ ardhur në kontakt së afërmi, me prijësat fetarë dhe me popullësinë myslimane, për të abservuar Vakufet, Xhamitë dhe pasuritë e tyre dhe për të fituar një ide të gjallë e të vërtetë mbi të gjitha problemet fetare që do të rregullohen në të ardhëshmen, si pasojë e bashkimit të tokavet të liruara me Shqipërinë”. Në këtë udhëtim do të vizitohen Prizreni, Gjakova, Peja, Ferizaj, Prishtina dhe Gjilani.
Kjo vizitë ka rëndësi shumë të madhe, sepse, siç thuhet në shtypin fetar të asaj kohe, do të zhvillohen kontakte “me vendet t’ona të liruara si edhe me vëllezërit t’onë, të një gjaku, të një feje dhe të një Atdheu me ne. Do të vihen kontakte me vendet t’ona më të bukura të Kosovës Kreshnike, e cila vuejti për një kohë të gjatë nga shtypja e thundrës së një armiku çnjerëzor. Ishte e para herë që do t’i shihnim këto vise deri dje të robëruara, këto toka të shenjta shqiptare, të cilat vuejtën nën një robëri të egër tridhjetvjeçare që ua kishte marrë frymën, lirinë e fjalës, lirinë e zotërimit të vatravet të tyre, pranë të cilavet banojshin dhe banojnë burra fatosa e heronj” [1]. Duke e përshkruar gjendjen e mjeruar që kish përjetuar populli shqiptar i Kosovës, ndër të tjera, thuhet: ” Armiku s’njihte as të drejtat më elementare të tyre.
Më datën 25. 11. 1941, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar së bashku me suitën e Tij do ta vizitojë Gjilanin, qytet ky, për të cilin autori i këtij reportazhi thotë se ishte “hambar i Kosovës”. Në hyrje të qytetit të Gjilanit delegacioni pritet prej një grumbulli të madh të popullatës shqiptare me prijësat fetarë e qeveritarë në krye, që i kishin dalë për ta përshëndetur. Myderrizi i Medresesë “Atik” në Gjilan, Haki Taibi, mban fjalën e rastit të mirëseardhjes. Ai foli me një gjuhë të mprehtë, të pastër, thjesht shqipe, i cili, ndër të tjera, përmend ajetin Kur’anor: “Ve lekad ketebna fiz-zeburi min ba’didh-dhikri ennel-arda jerithuha ibadijes-salihune”. Një mesazh i qartë, që shprehte ndjenja, shumë emocione dhe zotime. Shprehte pikëpamjen universale të islamit në lidhje me jetën e kësaj bote domethënjen e të cilit e kuptuan si delegacionit dhe ulematë e tjerë. Fjalimi i Haki Myderrizit ishte mjaft i bukur dhe i thekshëm. Na bëri përshtypjen më të madhe të gjithëve, thotë autori i këtij reportazhi, dhe vazhdon të tregojë se urime dhe lavdërime iu bënë Myderrizit të ri nga të gjitha anët. Shihet se populli e donte. Ky zotëronte një kulturë të shëndoshë.6 .
Sipas të dhënave memoriale për nder të delegacionit, në oborrin e shtëpisë së Mustafë Agës, Sabit efendiu shtron një drekë, ku, përveç Haki myderrizit dhe mulla Idris Gjilanit, ishte edhe Halim Orana, Sabit efendiu, Aqif Tetova, Sulejman Ashkija, Ibrahim Orana etj. Pasi drekuan, Kryetari i Komunitetit, i shoqëruar nga krerët fetarë dhe qeveritarë vizitojnë medresenë “Atik”, ku, siç thotë autori i këtij reportazhi, takohen me shumë studentë të kësaj medreseje. Një djalë i ri, 12- vjeçar, i cili e kishte bërë hifzin (kishte mësuar tërë Kur’anin përmendsh) këndon një ashere të “Kur’anit” , të cilit, Shkël. e Tij, Kryetari i Komunitetit, nga kënaqësia e madhe që ndien prej këtij djaloshi nxori dhe i jep një dhuratë. Mandej i vizitojnë edhe katër xhamitë e qytetit..7
Siç merret vesh nga dokumentet arkivore, me rastin e kësaj vizite në Gjilan, titullarit të Komunitetit Mysliman popullsia e qytetit i ankohet për pazotësinë e z. Shaip Rexhepi për detyrën si myfti. Pazotësinë e myftiut ata e bazojnë në disa fetva të lëshuara gabimisht, me ç’rast kërkojnë shkarkimin e tij nga detyra e myftiut. Në bazë të ligjit të komuniteteve, Shaip Rexhepi ishte shkarkuar nga pozita e myftiut në Gjilan dhe sipas urdhëresës së nënshkruar nga Kryetari Dr. Behxhet Shapati, më 19.12.1941, në vend të tij ishte emëruar Idriz Hajrullahu. Për këtë ndryshim e kishin njoftuar edhe Nënprefektin nga i cili kishin kërkuar zbatimin e këtij vendimi. Mirëpo siç flasin të dhënat dokumentare të kohës, Idriz Hajrullahu edhe pse lëshonte fetfana nga zyra e tij, të nënshkruara dhe të vulosura me vulën e tij- shqiponjën dykrenore, kurse populli e pranonte si Myfti, megjithatë aplikimi zyrtar i tij do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 1943, kur edhe do ta japi betimin. Për evitimin e parregullsive të shfaqura në Myftinin e Gjilanit, Dr. Behxhet Shapati kishte angazhuar Myftiun e Gjakovës, Fahri ef. Ilazin për të zhvilluar hetime.8
Për shkak të shkarkimit të tij nga detyra e Myftiut, Shaip Rexhepi do ankohet në Ministrinë e Tokave të Liruara në Tiranë, e cila me shkresën nr. 17, të 17.01.1942, do të kërkojë skjarime për këtë nga Kryesia e Komunitetit Mysliman. Në përgjigjen e tij nr. 21/1, të 26.01.1942, dërguar kësaj ministrie, Dr. Behxhet Shapati pos tjerash të shkru: “Popullata e qytetit kishte parashtruar pazotsisë e kryetarit, për detyrën e Myftiut. Kjo pazotsi e ti u vërtetue në disa fetfana që kishte lëshue. Por i pëmenduni që nuk iu bind urdhrit të kësaj kryesie tue mbajt arbitrarisht, në baz të ligjit të komuniteteve i kemi shkru Nënprefekturës për t’a largue nga zyra dhe me ia dorzu zyren Myftiut të riemnum…” 9 Mirëpo për habinë ky edhe matej për një kohë do të mbetet në krye të Zyrës së Vakëfit në Gjilan. Vlen për të shtuar se Shaip Rexhepi edhe para Luftës së Dytë Botërore kishte ushtruar detyrën e Myftiut në Gjilan, detyrë të cilën për një kohë do ta ushtrojë edhe pas luftës, kur edhe ishte anëtarë i Këshillit të Rrethit.
Përkundër rrethanave të vështira për shkak të okupimit fashist dhe gjendjes së luftës, gjatë gjithë kohës ishin bërë përpjekje të vazhdueshme për një konsolidim të aktivitetit fetar islam midis Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman, me qendër në Tiranë dhe BI në “Tokat e Liruara”. Kjo shihet edhe nga mesazhi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Hafiz Sherif Langut dhënë përmes Radio Tiranës, më 12 qershor 1942, drejtuar besimtarëve mysliman në tokat Shqiptare, ku në kuadër të programit të paraqitur, paraqiti edhe vështërsitë e organizimit dhe veprimit të këtij këshilli. Në kuadër të çështjeve kryesore ishte pika e katërt e programit, në të cilën thuhej: “Të bëhen përpjekje për të gjetur një mënyrë logjike të shkrirjes më të shpejtë shpirtërore, vëllazërore ndërmjet vëllezërve mysliman që jetojnë në “Tokat e lirueme” me vëllezërit që jetojnë në “nënën Shqipëri”10.
Vëmendje të veçantë Komuniteti Mysliman do ti kushtojë rrezikut nga depërtimi i ideologjisë komuniste në trevat shqiptare. Kjo e shtyri Kryetarin e Kryesisë së Këshillit të Ulemave në Tiranë në krye me H. Sherif Langun, që ti drejtohet me një Qarkore nr. 694, të datës 6.10.1942, e cila ka një përmbajtje të thukët, me anën e së cilës do ti bëhej apel të gjitha Kryemyftinive e Myftinive të Komunitetit Mysliman Shqiptarë që me predikimet e tyre nëpër xhami, në korniza të mësimeve islame, ti bëjnë më dije myslimanët shqiptarë, për rrezikun e tmerrshëm që i kërcënohet atdheut e fesë prej rrymës bolshevike, ateiste dhe të fillojnë, pa humbur kohë, menjëherë, me rastin e Bajram Sherifit, meqë është në prag dhe të vazhdojnë gjithnjë duke shfrytëzuar çdo rast të volitshëm. Sepse siç thuhet në Qarkore, “Kulshefra moskovite bolshevike, anmike e njerzis, mohuese e Perëndis, shtypse të çdo ndiesije fetare e morale po përpiqet me derdhun helmin e vet edhe në popullin t’onë të pastër me anënë e agjentave të shitun ose të verbuem” dhe vazhdon “Autoriteti qeveritar asht tue ba detyrën e vet me të tana mjetet e forcës pa lanë mbas dore as mëshirën ku e lyp rasa e as këshillën bindëse as fjalën e ambël. Por është detyra jonë ma tepër, detyra e kujdestarve të shpirtrave, me i ndriçue vllaznit t’onë myslimanë mbi rrezikun e tmershëm qi i kërcërnohet Atdheut e fes s’onë prej rrymës bolshevike e me i dhanë dorën Qeverisë me autoritetin t’onë fetarë, me fjalën t’onë këshilluese e bindëse, me vazët (predikimet) t’ona ndër xhamia.”11
Rrethanat e krijuara dhe “koha delikate”, në të cilën po kalohej shtruan nevojën para Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman në krye me Hafëz Sherif Langun që të marri hapa konkret rreth rregullimit dhe organizimit të mirëfilltë të degëve fetare në “Tokat e Liruara”. Për këtë qëllim më 10. 05.1943, do të kërkoj nga Ministrinë e Drejtësisë se shtetit, të dhëna të hollësishme për rregullimin administrativ të Prefekturave, Nënprefekturave dhe Komunave në këto vise. Nga përgjigja e shkresë dhe lista e dërguar nga ana e kësaj Ministrie, më 10.06 1943, shihet se në Rrethin e Gjilanit pos Nënprefekturës vepronin 14 komuna dhe ato: Komuna e Qendrës, Ajnovc, Boston, Vaganesh, Partesh, Parallovë, Pozhoran, Velekincë, Ropotovë Rogoqicë, Ranilluk, Sllatinë, Kamenicë dhe Hogosht .12
Këshilli i Ulemave të Komunitetit Mysliman Shqiptar, në mbledhjen e mbajtur, më 21.07.1943, duke pasur parasysh nevojën urgjente të emërimit të Kryemyftive në “Tokat e Liruara”, pasi shqyrtoi gjendjen në ato vise, mori Vendimin nr,398, për krijimin e dy Kryemyftinive të Zonave me qendër në Prishtinë dhe në Prizren dhe zgjodhi e Rexhep Remziun Kryemyfti për Prefekturën e Prishtinës dhe Hasan Islamin për Prefekturën e Prizrenit, për të cilët thuhej se janë të pajisur me cilësi të larta për atë detyrë. Njëherit kishte ngarkuar Kryesinë e këtij Këshilli për t’ia parashtruar Qeverisë Mbretërore për dekretim sipas nenit 24 të Statutit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. 13
Përkundër përpjekjeve të Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman me qendër në Tiranë, për tu vu një rregull i plotë i organizimit fetar në “Tokat e Liruara”, nga të dhënat dokumentare të kohës shihet se gjatë gjithë kohës pos Statutit të komunitetit, ishin në aplikim edhe ligjet dhe rregulloret e vjetra fetare islame të ish Ulema Mexhlisit të Shkupit. Kjo aplikohej në rregullat e pranimit të nëpunësve dhe të imamëve në Kosovë, në sigurimin e të ardhurave të tyre nga arka e komunitetit etj. Kështu derisa Kryemyftiu i Zonës së Prishtinës Rexhep Remziu, me shkresën nr.19, të datës 10.01.1944, kishte kërkuar ndryshime, mori përgjigjen ashtu me shkrim nr.36, më 10.02.1944, nga ana e Kryetarit të Këshillit të Ulemave Sherif Langu, se tani për tani duhet të vazhdoni si më parë duke porositur “që t’i urdhëroni të gjithë funksionarët fetarë për të vazhduar në predikimet e tyre me një vullnet dhe energji të plotë”.14
Nga korrespodenca e Zyrës së Vakëfit të Komunitetit Mysliman në Gjilan me Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë, shihet për parregullsitë që e kishin përfshirë këtë zyre. Sipas Shkresës së lëshuar nga Zyra e Vakëfit në Gjilan, nr. 217/II të dt. 6/X/1943, me të cilën sekretari i Vakëfit, Hilmi Kallaba, i drejtohet Drejtoriës së Përgjithshme Financiare dhe Vakëfnore- Tiranë, se Këshilli i Vakëfit Mysliman në Gjilan nuk funksionon, nuk mban mbledhjet e nevojshme, ndonëse anëtarët e tij thirren nga “dhjetë herë, prandaj mbeten veprimet e Vakfit gjithherë mbrapa…” Anëtarë të këtij këshilli atëbotë ishin: Abdullah Okllapi, Hasan Sherifi, Tahir Rama-Krça dhe Ibrahim Meha. 15
Me marrjen e kësaj shkrese, Drejtoria e Përgjithshme Financiare Vakëfnore e Tiranës, duke kuptuar se si qëndron gjendja “n’at Zyrë”, me një shkresë të veten nr. 242/II, të datës 8/XI/ 1943 v., me qëllim të përmirësimit të gjendjes, do t’i drejtohet Kryesisë së Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman-Tiranë, duke e njoftuar se “n’at Zyrë vazhdon nji-çrregullim ndër veprime”, me lutje “të shpejtohet emnimi i Myftiut i cili mandej duhet të marri masa për zgjedhjen e nji Këshillit të ri”.- siç thuhet në shkresën e nënshkruar nga Salih Vuçiterni dhe, ai do të jetë Idris Hajrullahu, më parë Bash Vaiz i Ylema Mexhlisit të Shkupit. Mulla Idris Gjilani, me vendimin e Këshillit të Ylemave nr. 548, datë 10.XI.1943, emërohet Myfti në Gjilan dhe në bazë të Aktit 26 të Statutit të Komunitetit Mysliman, në zyrën e Kryemyftinisë së Zonës së Prizrenit u betua si vijon:
“I nënshkruemi Idris Hajrullahi betohem në emër të Perëndisë se do të jem besnik i shtetit Shqiptar, i Statutit, i Atdheut e se do të kryej detyrën t’eme me ndërgjegje të pastër Kombëtare, tue ruejt besnikriën kundrejt urdhnave fetare dhe tue respektue plotsisht Statutin e gjith rregulloret e Komunitetit.” Akt betimit është bërë më 5 dhjetor 1943 sipas urdhrit të Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman të Tiranës nr. 361/I datë 17.XI.1943.16 Duhet cekur se detyrën e Myftiut të Gjilanit, Idriz Hajrullahu e ushtronte edhe më parë, për çka flasin shkresat e lëshuara nga zyra e tij me nënshkrim dhe vulën në të cilën është gdhendur shqiponjën dykrenore. Ky njëherit ushtronte edhe detyrën e Vaizit-Predikuesit shëtitës.
Tani e tutje Këshilli i Vakëfit i Gjilanit është më aktiv, fiton cilësi të re të punës, organizimi i tij ngrihet në nivelin e duhur. Në krye të tij qëndrojnë ulematë e dëshmuar, mbrojtësit e kauzës kombëtare për Shqipërinë Etnike. Mulla Idris Hajrullahu si myfti dhe Kryetar i Vakëfit në Gjilan së bashku me Haki Taipin-anëtar i Këshillit dhe Myderriz i Medresesë “Atik” në Gjilan, së bashku me anëtarët tjerë të Këshillit, i cili ishte i plotë dhe me ndikim, ndërsa besimtarët do të jenë gjithnjë e më pranë tyre.
Po ashtu, këta patriotë kulturëdashës së bashku me sekretarin e Vakëfit të Gjilanit, Hilmi Kallaba, ishin angazhuar në përhapjen në rrethe sa më të gjera të revistës “Kultura islame” të Tiranës, në nënprefekturën e Gjilanit. Për aktivitetin shembullor të tyre dhe të bujarisë së pajtimtarëve, revista në fjalë në numrin e mars-prillit 1944, kishte falënderuar këta dhe 37 abonentë të tjerë të kësaj ane. 17.
Për të mënjanuar çdo çrregullim ndër veprime, Kryesia e Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman në Tiranë, i drejtohet me një Qarkore Kryemyftinive, Myftinive dhe Zyrave të Vakëfit në “Tokat e Liruara”, duke i porositur që sa më parë të dërgojnë listat me të dhëna për numrin e popullsisë myslimane të çdo xhemati, numrin e xhamive, teqeve, medreseve dhe mesxhideve, kohën e ndërtimit të tyre etj.18
Pas pak Inspektoria e Komunitetit Mysliman në Tiranë, më 23.06.1944, kishte përgaditur listat e nevojshme, të përkthyera në gjuhën shqipe, me të dhëna për Këshillat e Xhemateve dhe numrin e shtëpive myslimane, nga rrethveprimi i Këshillit të Ulemave në Shkup, bazuar në raportet të marruna nga zyrat e rrethveprimit për vitin 1935.
Nga këto lista shihet se Zyra e Vakëfit e Rrethit të Gjilanit, kishte 25 Këshilla të Xhematit dhe ato ishin:
Këshillat e Xhematit | Nr. i shtëpive | Gjatë LDB | |||
1. “Atik” (Gjilan) | 129 | Shqipëri | |||
2. Çarshi (Gjilan) | 270 | – II – | |||
3Lagja Vis (Deremëhallë) | 364 | – II – | |||
4. Pidiq | 332 | Bullgari | |||
5. Bresalc | 348 | Shqipëri | |||
6. Cërrnicë | 334 | – II – | |||
7. Sllakovc | 283 | – II – | |||
8. Pozhoran | 327 | – II – | |||
9. Smirë | 312 | Bullgari | |||
10. Lubishtë | 381 | – II – | |||
11. Llashticë | 344 | – II – | |||
12. Caravajkë | 399 | – II – | |||
13. Sllatinë | 399 | Shqipëri | |||
14. Malishevë | 278 | – II – | |||
15. Pogragjë | 315 | – II – | |||
16. Dobërçan | 329 | – II – | |||
17. Zarbincë | 305 | Gjysma nën bullgari | |||
18.Rogoqicë | 408 | Shqipëri | |||
19. Hogosht | 296 | – II – | |||
20. Desivojcë | 333 | – II – | |||
21. Koretin | 286 | – II – | |||
22. Kremenat | 360 | – II – | |||
23. Svircë | 341 | – II – | |||
24. Krrilevë | 347 | – II – | |||
25. Marevc | 408 | – II – | |||
E njëjta Inspektori, më 27 .06.1944, i solli Këshillit të Ylemave tri lista që paraqitnin të dhëna të hollësishme për xhamitë dhe teqet në “Tokat e Liruara” në Kosovë. Listat ishin të nxjerra nga raporti i Këshillit të Ulemave të rrethveprimit të Shkupit për vitin 1938/39.19
Sipas këtyre të dhënave Rrethi i Gjilanit kishte gjithsej 64 xhami; të mbajtura në gjendje të mirë ishin 53 xhami; të rrënuara ishin 10 xhami;gjysmë e rrënuar ishte një xhami; 19 xhami ishin me minare nga guri, kurse 7 minare ishin nga druri; pa minare ishin 28 xhami. Të ndërtuara me material të fortë ishin 52 xhami; prej materialit më të dobët ishin 11 xhami. Qyteti i Gjilanit kishte 4 xhami, ndërsa fshatrat 60 xhami. Xhami të ndërtuara deri në vitin 1912 ishin 45, kurse prej vitit 1912-1930 ishin ndërtuar 7 xhami; prej 1930-40 janë ndërtuar edhe 12 xhami. Nëpunës –imamë ishin 62 veta.
Sipas listës në fjalë Rrethi i Gjilanit kishte gjithsej 7 teqe, nga të cilat 3 teqe të sektit Sadi; 2 teqe Bektashi; 1 teqe Rufai dhe 1 teqe Kaderi. Të gjitha të materialit të dobët. Nga to 5 teqe ishin privat dhe 2 të vakëfit.20
Në bazë të urdhëresës nr.150, të datës 18.04.1943, të Kryesisë së Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman në Tiranë, Zyra e Vakëfit të Komunitetit Mysliman në Gjilan, së bashku me shkresën përcjellëse nr.119, më 21.05.1943, i kishte përcjellur për Tiranë dy lista me të dhënat e kërkuara, për imamët e xhemateve që paguhen nga arka e komunitetit mysliman dhe listën e xhematëve që paguhen nga populli. Listat mbante datën 21.05.1943, XXI, të përgaditura dhe të nënshkruara nga ana Kryeimamit (Imami disciplinor) të Vakfit Sylejman Jakubi, dhe të vulosura dhe vërtetuara nga Kryetari i Vakfit Shuajib (Shaip)Rexhebi.
Në listën e Xhemateve, që paguheshin nga arka e Komunitetit Musliman figurojnë 18 imamë dhe këta ishin:
Nr. Xhemati | Emri e mbiemri i | Emëruar nga | Nr.i dekretit | data e emër.
|
1.“Atik”-Gjilan | Sylejman Jakubi | Ul.M. i Shkupit | 3303/35 | 14.12./35
|
2. Dobërçan | Emin Shaqiri | -//- | 3090/33 | 3.11.33 |
3. Rogoçicë | Shevki Kallaba | -//- | 3097/33 | 3.11.33 |
4.Derem-Gjilan | Omer Bajrami | -//- | 3102/33 | 3.11.33 |
5. Malishevë | Mehmed Behluli | -//- | 3138/33 | 27.1133 |
6. Koretin | Muharrem Hasani | -//- | 3317/35 | 14.12.35 |
7. Marevc | Sejfedin Ademi | -//- | 3099/33 | 3.11.33 |
8 Desivojcë . | Tefik Jakubi | -//- | 4083/34 | 6.01.34 |
9. Hogosht | Faik Behluli | -//- | 6201/37 | 10.03.37 |
10.Krilevë | Ismail H. Jakupi | -//- | 3295/35 | 14.12.35 |
11. Pozhoran | Shuqri Sylejmani | -//- | 2396/35 | 14.12.35 |
12. Cernicë | Vehbi Ilijasi | -//- | 3091/33 | 3.11.33 |
13. Meshinë | Fetah Rexhepi | -//- | 3289/35 | 14.12.35 |
14.Çarshi Xh.Gjilan | Ismail Ramushi | -//- | 3092/334 | 27.11.33 |
15. Sllatinë | Ukshin Hajrullahi | -//- | 1558/35 | 22.07.45 |
16. Bresalc | Adem Shabani | Ndodhet në shërbim-i propozuar për emërim
|
||
17. Svircë | Hamza Jakupi | -//- | ||
18. Sllakovc | Rizah Jusufi | -//-21
|
Në shkresën përcjellëse të kësaj liste të xhematëve zyrtare, jepen të dhëna për transferimin e disa imamëve nga një vend në një vend tjetër. Kështu nën numrin 1, dekreti për Sylejmon Jakubin, i cili flet për dekretim në Xhematin Smirë, pas një kohe ishte i transferuar me nr.3881, të datës 17.10 1938 në Xhematin “Atik” në Gjilan; nën numrin 8, Tefik Jakupi dekreti i të cilit flet për dekretim në Xhematin Krrilevës, pas afër një viti ishte transferuar, me nr.3881, të datës 13.01.1938, në Xhematin e Desivojcës; nën numrin 9, Faik Behluli dekreti i të cilit shkruante për Xhematin e Svircës, ishte transferuar me nr.3574, të datës 21.09.1937, në Xhematin e Hogoshtit; nën numrin10, Ismajl Jakubi, dekreti i të cilit këndonte për imam në Xhematin Desivojcë, ishte i transferuar me nr. 3881, të datës 13.01.1938, në Xhematin e Krrilevës dhe numri 13, Fetah Rexhebi dekreti i të cilit shkruante për imam në Xhematin Pidiq, ky pas afër pesë vitesh do të transferohet, me nr. 5599, të datës 30.05.1940, në Xhematin e Meshinës. Ndërkaq në numrin 16, 17 dhe 18, janë akoma të pa emëruar por ndodhen me shërbim në këto xhemate zyrtare.22
Në listën e imamëve të xhematit-imamëve privatë, që paguheshin nga populli, të po kësaj date, figurojnë emrat e 29 imamë dhe këta ishin:
Xhemati | Emri e mbiemri | Emëruar nga | Nr. i dekretit
|
1.Xhedid Xhmi-Gjilan | Ndodhet pa imam | ||
2. Uglarë | Kurtesh Zejnullahu | Ul. Mexh. i Shkupit | 8399/10.01.40
|
3. Bukovik | Ramadan Ejubi | i pa emëruar i vend. me pëlqim të fshatit
|
|
4. Capar | Bejtullah Sylejmani | -//- | |
5. Velekincë | Iljas Salihi | Kësh.i Ul.të Tiranës,
|
nr. 41/d.23.01/43 |
6. Busavatë | Nevzad Hoxha | i pa emëruar, i vend. me pëlqim të fshatit | |
7. Shipashnicë | Ramadan Sallahi | -//-
|
|
8. Hodonovc | Shevki Rexhepi | Ul. Mexh. i Shkupit
|
nr. 3635/40 |
9. Muqivërc | Fehmi Hasani | I pa emëruar i vend. Me pëlqim të fshatit | |
10. Kranidell | imami i vdekur dhe ndodhet pa imam
|
||
11. Dajkovc | Kamber Muslia | i pa emëruar i vend. me pëlqim të fshatit
|
|
12. Karaçevë e Epër | . Shauajib Aliu | -//- | |
13.Karaqevë e Posht | Destan Salihi | -//- | |
14.Xhed. Xh.Dobërçan | Hafiz Vehbiu | -//- | |
15. Topanicë | Rexheb Ademi | -//- | |
16. Tërpezë | Ramadan Avdiu | -//- | |
17. Ajkobillë | Ali Osmani | -//- | |
18. Tugjec | Ramadan Azemi | -//- | |
19. Kopernicë | Ali Idrizi | -//- | |
20. Poliçkë | Riza Osmani | -//- | |
21. Vriçevc | Ajet Selimi | -//- | |
22. Novobërdë | Idriz Ademi | -//- | |
23. Makresh | Hasan Januzi | -//- | |
24. Vërbicë | Avdulla Neziri | -//- | |
25. Komogllavë | Asllan Sherifi | -//- | |
26. Terstenik | Riza Luta | -//- | |
27. Sadovinë | Arif Sherifi | -//- | |
28. Zhujë | Islam Hysejni | -//- | |
29. Zajçevc | Ed-hem Hoxha | -//-23
|
Sipas kësaj liste, vetëm numri 2, 5 dhe 8, atëbotë kishin dekretin (vendimin), dy nga Ulema Mexhlisi i Shkupit dhe njëri nga Komuniteti Mysliman në Tiranë..
Nga listat e cituar, të përpiluara më 1943, shihet se në kuadër të Nënprefekturës së Gjilanit, 47 xhami të fshatrave dhe qytetit ishin aktive në të cilat ishin vendosur imamët.
Në këto lista nuk bëhet fjalë për Medresenë “Atik” në Gjilan dhe Myderrizin e saj Haki ef. Sermaxhajn. Në një listë të mëhershme, me nr. 38/41, të datës 16.08.1941, të kërkuar nga Komuniteti Mysliman në Tiranë, të lëshuar nga Zyra e Vakëfit në Gjilan nënshkruar nga Shaip Rexhepi-Myfti, janë të shënuar emrat e 23 imamëve xhamive të xhamive si imam zyrtarë të rrethit të Gjilanit dhe të dy myderrizëve të Medresesë së këtushme Haki Taibit dhe Mehmet Sadikut të Groshinës së Shkupit. Në formularët e veçantë pasojnë të dhënat biografike për të gjithë imamët dhe dy myderrizë. Lidhur me biografitë e myderrizëve të këtushëm thuhet: “Merhmet Sadiku është i lindur më 1907, ka të kryer 4 vjet të shkollës fillore dhe 12 vjet të Medah Medresesë në Shkup, të kryer më 1934. Ky edhe më parë ka qenë Myderriz në Medrersen në Gjilani, vendimin e punës e kishte deri më 1.06.1941, kurse rrogën më parë e ka patur nga direksia e Shkupit kurse tani e ka rrogën 500 dinarë”. Ndërkaq në formularin për myderrizin tjetër Haki Taibin thuhet: ”I lindur më 1914 në Hogosht, me vendbanim në Gjilan, shkolla fillore dhe diploma e medresenë në Shkup (Medah A.S). Studimet i ka mbaruar më 1940. Shërbimin ushtarak e ka të kryer më 1938/39. Edhe më parë ishte myderriz i medresesë në Gjilan. Rroga mujore 1000 dinarë. I pa martuar”. Pasojnë nënshkrimet.24 Për të gjithë këta thuhet se marrin rroga nga fondi i Komunitetit Mysliman në Tirane, mirëpo nga shkresat e mëvonshme të Zyrës së Vakëfit në këtë qytet, shihet se si Haki Taibi si Myderriz por edhe disa të tjerë, nuk merrnin të ardhura nga arka e Komunitetit dhe punonin pa kurrfarë pagese, pa kurrfarë shpërblimi.
Të gjithë imamët dhe nëpunësit të emëruar nga ana e Komunitetit Mysliman kishin për obligim me e dhanë betimin e besnikërisë ndaj Perëndisë, Shtetit Shqiptar dhe Statutit të Komunitetit.