Boksieri profesionist nga Gjilani, Erdonis Maliqi, ka arritur një sukses të madh në karrierën e tij duke fituar titullin prestigjioz WBC Youth në kategorinë deri në 72 kg. Meçi u zhvillua në sallën “Hall Du Paire” në qytetin Verviers të Belgjikës, ku Maliqi triumfoi ndaj kundërshtarit kolumbian, Miguel Vasquez.
Në një meç të fortë me tetë raunde, 24-vjeçari Maliqi dominoi tërësisht, duke e rrëzuar kundërshtarin në nokdaun në raundin e tretë dhe të tetë. Në fund, gjyqtarët vendosën njëzëri në favor të tij, duke i dhënë kështu fitoren dhe titullin ndërkombëtar të rinisë në boksin profesionist.
“Ishte një kundërshtar shumë i fortë, me përvojë të madhe në ring. Kolumbianët njihen për stilin cilësor dhe qëndrueshmërinë e tyre. Por arrita ta kontrolloj meçin që nga fillimi dhe të fitoj të gjitha raundet. Ky titull i dedikohet familjes sime, popullit tim dhe stafit tim. Jam krenar dhe ky sukses më hap edhe më shumë shtigje në boksin profesionist,” deklaroi Maliqi pas ndeshjes.
Ky ishte meçi i shtatë profesional për Maliqin, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, duke dëshmuar vazhdimisht talentin dhe përkushtimin që e karakterizon.
Ai ka bërë të ditur se pas katër muajsh e pret një sfidë e re në boksin evropian: “Nuk kam kohë të pushoj. Do të filloj menjëherë përgatitjet për sfidat e reja që më presin në tetor ose në fillim të nëntorit. Synimet e mia janë të qarta: të shkëlqej edhe në arenën evropiane.
” Me këtë sukses, Erdonis Maliqi konfirmon edhe njëherë se është një prej boksierëve më premtues të Kosovës, i gatshëm për të përfaqësuar vendin në skenat më të mëdha të boksit evropian dhe botëror.