Cilësia në arsim po vazhdon të bie
Nga informata që iu shpërnda këshilltarëve komunal të Gjilanit, në seancën e mbajtur me 24 shkurt, në lidhje me suksesin në gjysmëvjetorin e parë, në shkollat e komunës së Gjilanit, për vitin shkollor 2021-2022, lehtë mund të konstatohet se gjendja në arsim nuk është e mirë, madje është më e keqe se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar shkollor.
Këtij konstatimi po ia bashkëngjesim disa pjesë të informatës zyrtare të Drejtorisë Komunale të Arsimit ku krahasohet suksesi i gjysmëvjetorit të parë të këtij viti me atë të vitit të kaluar shkollor kështu që:
Në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020- 2021, me sukses pozitiv e kishin mbaruar 61.91% të nxënësve. Ndërsa, gjysmëvjetorin e parë të këtij viti (2021-2022), me sukses pozitiv e përfunduan 56.32% të nxënësve ose 5.59% më pakë se në vitin paraprak.
Edhe krahasimi i mungesave dëshmon për trendin negativ në shkollat tona. Derisa në gjysmëvjetorin e parë të vitit të kaluar shkollor, për kokë nxënësi kishte nga 6.73 mungesa, në periudhën e njejtë të këtij viti shkollor numri i mungesave u rritë në 10.80 për kokë nxënësi.
Nga informatat e njejta mësojmë se edhe suksesi i nxënësve të klasave: I-V krahasuar me suksesin e nxënësve të klasave lX-Xll dallon shumë.
Derisa, cikli i ulët (kl. I-V) gjysmëvetorin e parë të këtij viti shkollor, 99.43% e nxënësve e ka përfunduar me sukses pozitiv, përqindja e nxënësve të shkollave të mesme të larta (lX-Xll), që e kanë përfunduar gjysmëvjetorin me sukses pozitiv, është ulur, në 56.32%.
Në raport nuk ka të dhëna se sa është përcjell puna e mësimdhënësve nga inspektorët e arsimit dhe drejtoritë e shkollave?
Gjithashtu nuk dihet se sa është mbajtur mësimi praktik në shkollat profesionale?
Pse kanë mbetur të panotuar 60 nxënës?
Pse mungojnë shënimet për mbi 400 nxënës?
Cili është numri i mungesave të mësimdhënësve? E kështu me radhë.
Megjithatë nga kjo informatë vërtetohet edhe zyrtarisht se rënja e cilësisë në arsim nuk ka të ndalur.
Deri kur kështu?
Ismajl Kurteshi, 26. 02. 2022.