Debatik Curri është shfaqur në konferencë për media në prag të duelit kampional ndaj Dritës, derisa ka theksuar rëndësinë për të vijuar ecurinë e rezultateve pozitive.
Shefi shtabit teknik të ‘kuqebardhëve’ ka potencuar që është ndeshje e veçantë, por që nuk vendos fatin e kampionatin.
“Jemi në një momentum të mirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Përballemi me një kundërshtar tejet cilësor, që ka zhvilluar ndeshje të mira edhe në arenën ndërkombëtare. Mirëpo, ne duhet të fokusohemi te ndeshja jonë. Për mua është ndeshja e parë në derbi dhe kam një ndjesi të mirë. Kemi patur kohën e mjaftueshme për tu përgatitur për këtë ndeshje dhe besojmë që ekipi që do të gabojë më pak do ta fitoj ndeshjen”.
Rezultatet e fundit?
“Ne duam që ta vazhdojmë këtë ecuri të rezultateve pozitive, pasi që garën e kemi me skuadrat që janë lartë nesh, pasi që synimi ynë është të jemi aty. Mirëpo, ndeshjet derbi janë të veçanta dhe nuk shikohet renditja tabelare, apo forma e skuadrave. Kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën edhe tani nuk ka se si të jetë ndryshe”.
Derbi në kampin e Gjilanit?!
“Ndeshje e radhës, por më veçantë, sikurse për lojtarët, trajnerët, ashtu edhe për tifozët. Nuk e kemi euforinë e ndeshjes, por do kemi kujdes dhe do mundohemi të shfrytëzojmë çdo moment që na jep ndeshja”.
Ekipi?
“Gjithë futbollistët janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme, përveç Robert Rrahmit, i cili është duke u kthyer nga lëndimi dhe nuk do ta kemi në dispozicion deri në pranverë”.





