Futboll

Vllaznia përshëndetet me Superligën

Vllaznia e Pozharanit është përshëndetur me Superligën pa e bërë një vit në të. Pozharanasit që kishin bërë historinë, në Superligë me një përbërje krejt ndryshe nga ajo që e fitoi Ligën e Parë nuk arritën të bëjnë shumë.

Entuziazmi i pozharanasve tërësisht u shua këtë të enjte, kur pësuan nga Vllaznimi. Në fakt, Vllaznia u mundua shumë në pjesën e parë, kurse edhe në të dytën pati dy raste të mira shënimi, por kjo ishte e tëra nga ta, ngase Vllaznimi, që njëherë e lodhi mirë Vllazninë, në pjesën e dytë futi nga banka lojtarë të freskët, të cilët bënë ndryshimin.

Fillimisht në minutën 73, Henry Chibuese ka realizuar për epërsinë e gjakovarëve, kur pasi ka marrë një top nga thellësia, mirë i është shmangur mbrojtjes dhe me një gjuajtje për tokë nga largësia ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të portierit të Vllaznisë. Tre minuta pa u kryer ndeshja Lekë Vula ka realizuar për golin e dytë të gjakovarëve, kurse në këtë pjesë të lojës ekipi gjakovar ka qëlluar edhe një shtyllë.

You Might Also Like