Shkruan: Ismajl Kurteshi
Të nderuara kolege dhe koleg asambleistë,
po më vjen mirë që Grupi i këshilltarëve të PDK-së e ka sjell në Kuvend për diskutim çështjen e kufijve ndërkomunal. Unë personalisht jam për hapjen e kësaj çështjeje, për diskutim, por gjithashtu jam për një modifikim të kësaj iniciative.
Të nderuar,
para se ta propozoj modifikimin, më lejoni që t’i them disa fjalë në lidhje me decentralizimin në baza etnike, që është padrejtësia më e madhe që i është bërë Kosovës, e sidomos Anamoravës, pas luftës së fundit.
Pas dështimit të elaborateve serbe për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe shëndrrimin e Kosovës së okupuar në tokë serbe, Serbia Millosheviqiane u angazhua për ndarjen e një pjese të Kosovës në emër të të drejtave të serbëve që jetonin në Kosovë. Këtë ide ata ia imponuan ndërkombëtarëve, përmes refuzimit që serbët të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.
Për t’i nxitur serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e vitit 2002, shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Mihajl Shtajner, ju premtoi serbëve lokal që do të fillojë procesi i decentralizimit në baza etnike. Pas presionit të madh ndërkombëtar dhe shantazheve nga Serbia, përfaqësuesit e Kosovës, në bisedimet e Vjenës, pranuan që procesi i decentralizimit i paraparë në Planin e Ahtisarit të fillojë.
Qytetarët e Kosovës duke e kuptuar se organizimi i pushtetit mbi baza etnike do ta dëmtojë shumë Kosovën, e kundërshtuan këtë proces.
Reagimi më i ashpër kundër decentralizimit në baza etnike, ndodhi në Anamoravë, ku u themeluan tri komuna të reja me shumicë serbe: Parteshi, Kllokoti dhe Ranilluku, ndërsa komunës së Artanës iu falën 9.400 hektarë tokë të komunës së Gjilanit.
Në Gjilan gjatë vitit 2005 dhe 2006 rinia dhe aktivistët politik, nga të gjitha partitë politike, organizuan debate, në të cilat morën pjesë diplomatë të vendeve të ndryshme, politikanë shqiptar dhe serbë, Organizata joqeveritare etj.
Në këtë kuadër u organizuan demonstrata kundër decentralizimit në baza etnike.
Kuvendi i Komunës së Gjilanit në vitin 2006 e miratoj një rezolutë përmes së cilës u kundërshtua decentralizimi në baza etnike.
2 / 2
Në Gjilan dhe Viti u organizua peticioni kundër decentralizimit, që u nënshkrua nga 30.000 qytetarë.
Në formularët e peticionit të përgatitur në Gjilan thuhej:
Ne qytetarët e Gjilanit, nënshkrues të këtij peticioni;
Jemi kundër decentralizimit në baza etnike;
Ne kërkojmë që reformat e pushtetit lokal të fillojnë pas definimit të statusit të Kosovës, të pranueshëm nga qytetarët e saj, të bazuar në Kartën Evropiane dhe përvojat më të mira të vendeve evropiane dhe vendeve të regjionit.
Përkundër kundërshtimit të qytetarëve të Kosovës decentralizimi i ideuar në Beograd, i përkrahur nga ndërkombëtarët dhe i pranuar nga udhëheqja e vendit u jetësua.
Kështu Gjilani nga 515 km sa i kishte para decentralizimit ra në 391 km.
Anamorava nga katër komuna sa kishte atëherë, tani u bë me shtatë komuna, katra prej tyre me shumicë serb edhe pse në këto komuna jetonin më pak se 20.000 banorë ose rreth 5% e popullatës së përgjithshme.
Kosova iu imponuan 10 komuna politike, të cilat po e pengojnë funksionalitetin e shtetit, dhe të cilat me nxitjen e Beogradit, po angazhohen për asociacionin që qon drejt ndarjes së pjesës veriore të Kosovës.
Të nderuar kolegë,
propozoj që ne si këshilltarë, së bashku me iniciuesin t’i drejtohemi Ministrisë së Pushtetit Lokal që ta rishqyrtoj çështjen e decentralizimit në baza etnike kurse komunës së Artanës t’i drejtohet me kërkesë që 9.400 hektarët e grabitur para 15 viteve, t’ia kthej komunës së Gjilanit.
Ju faleminderit!