DEKLARATË LIDHUR ME THIRRJET PUBLIKE TË KOMUNËS SË GJILANIT!
1. Varg e Vi është organizata më aktive kulturore në Anamoravë, e themeluar në vitin 2011 nga artistë të disiplinave të ndryshme artistike.
Si bashkëthemelues formalë, në Ministrinë e Administratës Publike figurojnë tre ish-anëtarë. Por për disa vjet, asnjëri nga ta nuk është më anëtar i organizatës, rrjedhimisht as drejtori aktual i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i Komunës së Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, i cili është dorëhequr jo qe disa ditë, javë, muaj, por qe disa vjet, madje edhe dorëheqja e tij ka qenë prej çdo pozite, qoftë edhe si anëtar i organizatës. Kjo gjë mund të verifikohet me një klikim në çdo aktivitet të organizatës në sajtin zyrtar www.vargevi.com
, me qasje të lirë të çdo qytetari, gazetari dhe autoriteti në deklaratën e dorëheqjes para shumë vjetësh të Zeqirit, me ofrim të pasqyrës financiare bankare dhe me dëshmi materiale e bankare për çdo shpenzim, pagë e mëditje për çdo auditor; me qasje në Departamentin e Regjistrimit të OJQ-ve, në dëshminë e çdo vizitori të aktiviteteve tona të deritashme dhe në dëshminë e çdo të kontraktuari për Penelin dhe Talian e Flakës.
2. Çdo aktivitet i organizuar nga Varg e Vi bëhet në pajtim me Ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, Udhëzimin Administrativ për funksionimin dhe organizimin e OJQ-ve, Rregulloren për Subvencione, statutin dhe në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet e tjera në fuqi. Sa i përket cilësisë së projekteve, janë komisionet përkatëse profesionale që vlerësojnë dhe gjykojnë atë.
3. Pretendimet e një asambleistes së LDK-së, një organizateje aplikuese në thirrjen e fundit publike komunale, një portali dhe disa personave të afërt me ish-Kryetarin e Komunës, për kinse konflikt interesi në thirrjet publike të komunës nga Varg e Vi, janë të pasakta, të pabazuara askund, të jashtëkontekstualizuara dhe jo parimore. Si qenka konflikt pse Drejtori i Kulturës paskësha rastisur të ishte njëri nga bashkëthemeluesit e Varg e Vi-së para 11 vjetësh dhe nuk qenka edhe fakt se ai është larguar plotësisht qe shumë vjet edhe nga të qenët anëtar i Varg e Vi-së?!
4. Varg e Vi angazhohet me aktivitetet e saj prej themelimit dhe është përkrahur nga Komuna Gjilanit edhe në kohën e ish-Kryetarit Qemajl Mustafës, edhe përmes thirrjeve publike edhe në kohën e ish-Kryetarit Lutfi Hazirit – me disa nga politikat e të cilit nuk jemi pajtuar, për shkak edhe të mospërmbushjes së deklaratës së zotimit, të nënshkruar në vitin 2013, në hapësirat e Varg e Vi-së me të gjithë kundërkandidatët e tjerë, dhe jemi përkrahur edhe tash me qeverisjen e Alban Hysenit.
5. Njëri nga anëtarët e organizatës, është angazhuar nga shoqëria civile, jo si anëtar partie, duke u ofruar hapur me opozitën, vetëm që të krijohen në të ardhmen disa praktika më të mira në qeverisjen për kulturë, pavarësisht që nesër mund të qeverisë ky subjekt politik apo ndonjë tjetër. Prej këtij angazhimi, Komuna e Gjilanit ka fituar vetëm disa vlera të shtuara sa i përket transparencës publike dhe monitorimit më të gjerë të organizatave që aplikojnë tash e tutje për vitet e ardhshme. Duke dashur të sulmohet një politikan lokal, është shpifur edhe për anëtarin që veç ka qenë i angazhuar për një vizion tjetërqysh mbi kulturën në Gjilan. Pra, shpifjet janë veç për një gjë: doli hapur kundër ish-Kryetarit të Komunës dhe tash, “eja ta sulmojmë dhe të shpifim kundër tij”. Pikëllimi me humbjen dhe hidhërimi me çdokend, po çon në shpifje.
6. Edhe kur kanë kaluar projektet tona, edhe kur janë mbështetur minimalisht, edhe kur nuk janë përkrahur, kemi kritikuar qeverisjet lokale e qendrore. Mjetet financiare nuk janë të asnjë qeveritari, por të qytetarëve, duke përfshirë edhe taksat e tatimet tona si qytetarë. Në qeverisjen e kaluar jemi ankuar në Komisionin e Ankesave, për shkak të diskriminimit të organizatës sonë veç pse kemi kritikuar politikat lokale, duke ndarë mjetet financiare pa transparencë dhe joproporcionalisht në përputhje me përvojën e organizatave aplikuese, bagazhit, të qenët aktive sistematikisht, e jo veç për thirrje publike.
7. Në thirrjen publike të fundit për Flakën e Janarit, të thirrur për OJQ nga ish-qeverisja lokale e Hazirit, ne aplikuam si çdo organizatë tjetër. Projekti i Penelit të Flakës kaloi me 4750 euro për artet pamore dhe 15500 euro për Talian e Flakës. Shumica e këtyre mjeteve i janë ndarë dhjetëra artistëve, për aspektin teknik, logjistik, ushqimor, për të cilat dorëzohet raporti i detajuar për autoritetin publik. Këto “mijëra euro”, shumica e tyre janë menaxhuar për ngjarjet kulturore si Peneli dhe Talia e Flakës, siç ka ndodhur për çdo vit nga komuna, e jo për anëtarët e Varg e Vi-së. Prandaj, një portal që shtrembëroi të vërtetën me fjalitë “njeriu i prapaskenave” dhe si i fitoi “mbi 20 mijë euro”, janë krejtësisht të pasakta, të pavërteta dhe shpifje, të cilat në një vend tjetër me besim në institucionet e drejtësisë, do të na çonin edhe në vullnetin për padi për shpifje. Sidoqoftë, edhe këtë jemi duke e diskutuar, por ndërgjegjja aq e pastër morale, besimi se duke goditur politikisht, jemi kolateral i këtij sulmi, na ka demotivuar paksa të merremi më tutje me këtë gjë dhe një kërkimfalje publike, do të ishte inkurajuese për gazetari profesionale dhe etike.
8. Nga 4750 eurot e Penelit të flakës janë paguar kryesisht kuratori nga Prishtina, pesë artistët vizuelë si pjesëmarrës nga tërë Kosova – ku njëri prej tyre është edhe përfaqësues i Kosovës për vitin 2022 në Bienalen e Venecias dhe ca anëtarë punonjës të organizatës me shuma minimale karshi punës intensive dhe me shumë vëllim për një kohë shumë të ngjeshur. Shumica e këtyre artistëve kanë lënë edhe disa nga veprat e tyre artistike si dhuratë për Komunën e Gjilanit. Po të njëjtëve u janë paguar edhe kontributet dhe të gjitha detyrimet tatimore e shtetërore, ku paraja sërish i është kthyer shtetit. Krejt këto mund të shihen në pasqyrën financiare bankare dhe të pyetet çdo person.
9. Nga 15 mijë e 500 euro të Talias së Flakës, kanë përfituar rreth 100 artistë nga trupat mysafire teatrore pjesëmarrëse, juria, organizatorët, koktejet, fituesit e çmimeve të festivalit, përzgjedhësi i shfaqjeve, punëtorët teknikë, muzikantët, 300 katalogë me ngjyra etj. Kush e njeh abc-në e Penelit dhe Talias së Flakës, e di mirë se sa shpenzohet për këta dy sektorë të veçantë të kulturës.
10. Krahasuar me organizimet thuajse të përvitshme mbi 30 vjet të Flakës së Janarit, nën organizimin tonë për herë të parë, janë shpëtuar mjete financiare të taksapaguesve. Shihni raportet financiare të përvitshme për Flakën e Janarit dhe bëjeni krahasimin me shpenzimet e vitit 2022!
11. Me këtë transparencë duam të themi se titulli tendencioz i një portali se kinse vetëm drejtori i organizatës ose organizata i ka përfituar këto mjete, shkelë të gjitha parimet e gazetarisë profesionale dhe s’ka të bëjë me etikën gazetareske, edhe pse ne paraprakisht ia kemi dërguar edhe raportin financiar këtij portali, kur na kanë dërguar pyetjet për intervistë. Varg e Vi kërkon të shtohet buxheti për kulturën, si emancipim shoqëror, si çlirim shpirtëror, ndërgjegjësim kolektiv, përmirësim i mirëqenies së artistëve në Kosovë, si dhe pasurim të jetës kulturore sidomos në komunat edhe jashtë Prishtinës. Për tendencën e njollosjes së imazhit tonë, të kultivuar me dinjitet mbi një dekadë, jemi duke e diskutuar edhe mundësinë për padi, bazuar në Ligjin kundër Shpifjes.
12. Tani në kohën e kryetarit Hyseni, ne nuk duam të jemi të privilegjuar më tepër se na takon, por vetëm dëshirojmë garë të barabartë, vlerësim të kapaciteteve organizative dhe vlerësim profesional të projekteve aplikuese në thirrjet publike. As diskriminim negativ e pozitiv ndaj aplikuesve, por as relativizim i çdo aplikuesi, duke i rrafshuar organizatat për nga cilësia e projekteve aplikuese, sfondi, përvoja, historiku i gjatë si OJQ, CV, aktivitetet në të kaluarën etj. Qytetarët artdashës të Gjilanit e më gjerë, e dinë se cila është organizata më aktive dhe më jetëgjatë në Anamoravë në dhjetë vjetët e fundit. Ne nuk aktivizohemi veç në kohë thirrjesh publike si OJQ, pasi që artin e kemi pasion dhe i japim kuptim jetës sonë, si dhe kemi një interesim të fuqishëm për të qenë kontributdhënës për artin në shoqëri, komunë, qytet, shtet.
13. Varg e Vi, do të aplikojë dhe ka të drejtë të fitojë (nëse komisionet vlerësuese me pavarësinë e tyre mendojnë kështu) në çdo thirrje publike të çdo qeverisjeje lokale e qendrore në fushën e artit dhe kulturës. Ato janë mjete të taksapaguesve dhe ato aktivitete në radhë të parë, bëhen për qytetarët, për publikun dhe artdashësit.
14. Thirrja e fundit publike e Komunës së Gjilanit në këtë vit ka qenë e një standardi të ri, në kuptimin e publikimit me kohë të udhëzimeve dhe dokumenteve të tjera të nevojshme, në web-in e komunës, formularëve me rubrika të detajuara, si obligime që derivojnë nga rregullorja e Ministrisë së Financave, ligjeve në fuqi për financimin nga mjetet publike dhe në fund mjetet që janë ndarë, nuk janë ndarë me logjikën “për të gjithë ngapak”. Ndërsa për të gjitha pretendimet e tjera, arsyet e anulimit, janë përgjegjëse organet që vlerësojnë, monitorojnë, auditojnë dhe hetojnë punën e çdokujt.
15. Urojmë që thirrja e ardhshme publike për OJQ-të kulturore, të shkojë për së mbari, në mënyrën më të mirë, etike dhe ligjore, sa të mos ketë nevojë të anulohet përsëri. Ne do të riaplikojmë sërish dhe nuk biem nën presionin e denigrimin me forma të papërshtatshme ndaj nesh, veçmas në kohën kur kemi një lehtësi të paparë në Kosovë, të denigrimit e rrënimit të çdo personaliteti, organizateje, pasi që interneti na jep lirinë për të “bërtitur” në hapësirë publike, dosido.
16. Varg e Vi është kundër shpifjeve, pasaktësive dhe të pavërtetave. Ndërsa është adhuruese e ankesave, peticioneve, protestave, denoncimeve, aktivizmit qytetar, vetëm me fakte, sepse kështu ishim dhe jemi edhe ne.
Me respekt,
Varg e Vi