
Shkruan: Bashkim Isufi
Në hyrje të fshatit Uglar vazhdon të ekzistojë një deponi ilegale e mbeturinave, vetëm pak metra larg Deponisë Regjionale të Mbeturinave, e cila menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. Kjo deponi ilegale përbën rrezik për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve që frekuentojnë këtë zonë.
Me datë 03.03.2023, Komuna e Gjilanit ka miratuar Planin Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave 2023–2027 (01 Nr. 016-32608 datë 03.03.2023). Ky plan nuk është vetëm një dokument formal, por një instrument strategjik që përcakton objektivat, masat konkrete dhe burimet financiare për menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë plan janë paraparë mjete financiare të planifikuara për eliminimin e deponive ilegale: 30,000.00 € për vitin 2023; 25,000.00 € për vitin 2024; 20,000.00 € për vitin 2025; 15,000.00 € për vitin 2026 dhe 10,000.00 € për vitin 2027.
Për më tepër, sipas Ligjit Nr. 04/L-060 për Menaxhimin e Mbeturinave, komunat janë të obliguara jo vetëm të hartojnë plane të tilla, por edhe t’i zbatojnë ato në praktikë, duke garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

Pavarësisht se në objektivin e katërt të planit parashihet qartë strategjia dhe financimi për largimin e deponive ilegale, deponia në hyrje të Uglarit vazhdon të qëndrojë aty prej vitesh, pa asnjë ndërhyrje konkrete nga institucionet komunale.

Siç dihet, propozimi i buxhetit për vitin 2026 është paraqitur dhe miratuar në Kuvendin Komunal në shumën prej rreth 41,928,924 euro.
Pjesë e këtij buxheti është edhe buxheti i ndarë për vitin 2026 për Drejtorinë për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, në shumën prej 5,394,801.00 euro. Brenda kësaj shume, janë planifikuar 250,000 euro për shpenzime komunale, në kuadër të të cilave do të duhej të përfshihej edhe shuma prej 15,000.00 euro, e paraparë në Planin Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave për vitin 2026, për eliminimin e deponive ilegale.

Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, duhet të ndërmarrë pa vonesë masa konkrete për eliminimin e kësaj deponie ilegale, duke siguruar njëkohësisht zbatimin e plotë dhe efektiv të Planit Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave.






