Fehmi SYLEJMANI, anëtar i kryesisë, qendra në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LVV në Prishtinë.
Potencimi dhe ripërsëritja e vazhdueshme e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për ndërtimin e qeverisjes me duar të pastra dhe dyer të hapura, tashmë është e konsumuar, jo bindëse, e dëshmuar për të kundërtën, një fjali dëshirore për konsum politik, jo reale dhe fare pak shpresëdhënëse si dhe një shprehje tipike e zhargonit të tij të përhershëm retorik.
Përderisa në mandatin e parë kryetari Haziri kishte paralajmëruar me pompozitet të shtuar “qeverisje me duar të pastra”, tash mandatit të dytë, vetëm sa ja ka shtuar edhe fjalinë e varur, fjalisë kryesore, “ me dyer të hapura”.
Çfarë qeverisje patë në mandatin e parë, këtë tashmë të gjithë e dinë , sepse shumë shpejt u dëshmua dhe u përcoll me defekte, deformime , devijime, dështime dhe dyshime për keqpërdorime të ndryshme. Ndërkaq, rasti më i freskët është ai i fundit, suspendimi nga puna i dy drejtuesve të lartë, njërit nga zyra e prokurimit e tjetri nga drejtoria e Urbanizmit, nga vetë kreu më i lartë i komunës. Janë vetëm dy nga arsyet e forta, për të mos i besuar më në asnjë mënyrë kryetarit Haziri, se do të ketë qeverisje me duar të pastra, duke mos prejudikuar edhe disa sektorë të tjerë, që ka ankesa të shumta prej qytetarëve për keqmenaxhim dhe defekte tjera përcjellëse. Si mund të besojmë se do të ketë qeverisje me dyer të hapura, kur gjatë tërë mandatit të parë të tij, në shumë zyra komunale, duhani ka shkuar fjollë, një prej ligjeve më të lehta për të respektuar, e lëre më shumë dukuri tjera dështuese të kësaj qeverisje.
Nuk mund ti besojmë kryetarit Haziri, se pa dijeninë, miratimin dhe bashkëveprimin personal të tij, nuk kanë mundur të kryhen asnjë nga veprimet kriminale të „identifikuara“ tani vonë edhe nga prokuroria dhe gjykatat. Prandaj
edhe më tej qytetarët gjilanas vetëm sa do të mashtrohen me premtime boshe, me një oratori rutinore , politike, demagogjike, partiake të kryetarit Haziri, teksa nuk pritet edhe më tej të ketë zbutje të varfërisë , punësime për të rinj, hapje të vendeve të reja, zhvillim ekonomik, projekte të reja, rregull e rend, pastërti, shërbime shëndetësore më të mira, mirëqenie, arsim më cilësor, infrastrukturë , ….
Nuk është transparente vetëm puna me zyre të hapura, kjo mund të jetë vetëm kozmetike, për sy të publikut, por puna transparente e komunës do të duhej të ishte respektimi i dispozitave ligjore i të gjithëve, llogaridhënia dhe përgjegjësia si dhe masat ndëshkuese karshi atyre që i shkelin këto rregulla. Zaten, në këtë rrafsh, deri më tani edhe përkundër që ka pasur vërejtje dhe shkelje të dispozitave ligjore ka munguar vullneti dhe veprimi konkret nga vetë shefi i komunës për të penalizuar shkelbërësit.
Dhe krejt në fund po e potencojmë një thënie të një mendimtari të njohur botëror se “Nuk të dëmtojnë vetëm ato që vijnë, por edhe ato të kaluarat”.