OPINION

“Derbi Drita – Gjilani”, botim i mirëseardhur për historinë e sportit të futbollit në Kosovë

Vepra “Derbi Drita – Gjilani”, e autorit dr. Enver Sadiku, profesor, studiues, historian dhe gazetar, është prurje ekskluzive për nga rëndësia e argumentimit dhe publikimit në fushën e historisë së sportit në Gjilan, në rajonin e Anamoravës, në Kosovë dhe më gjerë.

Ky botim, i cili del në dritë me rastin e jubileut të 30-vjetorit të kryendeshjes së futbollit ndërmjet klubeve gjilanase FC Drita dhe SC Gjilani, arrin vlerë të shtuar për nga dimensioni historik dhe profesional që sjell, duke ndërlidhur të kaluarën sportive me aktualitetin dhe perspektivën e sportit në Kosovë.

Historia e sportit në Kosovë paraqet një fushë të veçantë brenda rezultateve mbi të kaluarën tonë, e cila zakonisht është trajtuar në kuadër të makroprojekteve të historisë kombëtare.

Në rezultatet e historiografisë dhe arkeologjisë shqiptare, në mënyrë të tërthortë janë përfshirë edhe çështje që lidhen me zhvillimin dhe rolin e jetës sportive gjatë periudhave të ndryshme historike.

Gjurmë të aktiviteteve fizike, si garat, ushtrimet trupore dhe veprimtaritë luftarake, që mund të konsiderohen si forma të hershme të sportit, dëshmohen ndër paraardhësit tanë përmes burimeve historike dhe arkeologjike.

Në shekullin e XX-të, në Evropë, futbolli u konsolidua si një ndër sportet më të përhapura dhe më me ndikim, duke u organizuar në mënyrë institucionale me themelimin e FIFA-s, më 1904 dhe të UEFA-s, më 1954.

Këto zhvillime e avancuan futbollin si pjesë integrale të jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore evropiane, duke reflektuar transformimet e përgjithshme të kontinentit gjatë kësaj periudhe, të cilat me ritëm entuziast përfshinë edhe popullin shqiptar, në mënyrë të veçantë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në rrethanat e përgjithshme politike dhe kombëtare nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë shekullit XX, depërtimi, organizimi dhe zhvillimi i jetës sportive, veçanërisht i futbollit, përbën një arritje kualitative në historinë shoqërore të shqiptarëve.

Futbolli, përtej rolit dhe funksionit të tij sportiv, u shndërrua në një mjet të rëndësishëm të ruajtjes së identitetit kombëtar, të vetëmohimit e solidaritetit shoqëror dhe të shpresës e aspiratës për të drejta njerëzore dhe liri kombëtare.

Ky sport reflektoi shpeshherë tensionet dhe ndryshimet rrënjësore politike të kohës, duke shërbyer si hapësirë simbolike e vetëdijes dhe qëndresës kombëtare.

Në këtë kontekst, zhvillimi i ndeshjeve të futbollit në Kosovën e viteve ’90 të shekullit XX merr një kuptim të veçantë historik e politik.

Gjatë kësaj periudhe, e karakterizuar nga represioni sistematik dhe politikat shtypëse e diskriminuese të regjimit serb ndaj popullsisë shqiptare, futbolli u bë një formë e organizuar e qëndresës në kuadrin e aspiratave dhe përgjegjësisë historike.

Ndeshjet e zhvilluara ndërmjet klubeve shqiptare, sidomos ato ndërmjet FC Dritës dhe SC Gjilanit, nuk ishin vetëm ngjarje sportive, por edhe manifestime të përkushtimit kombëtar, të rezistencës së institucionalizuar e mirëorganizuar shqiptare, si dhe të aspiratës për dinjitet kombëtar e liri njerëzore.

Fushat e improvizuara të futbollit, në këtë kuptim, u kthyen në hapësira identiteti, realiteti dhe aspirate shqiptare.

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës në vitin 1999, procesi i ndërtimit dhe i rindërtimit të përgjithshëm shoqëror e kombëtar përfshiu edhe sferën sportive, ku futbolli zuri vend qendror në jetën publike.

Përpjekjet për riorganizimin institucional të Federatës së Futbollit të Kosovës, për ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe për profesionalizimin e klubeve, përbënin pjesë integrale të ndërtimit të normalitetit shoqëror pas luftës.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, futbolli i Kosovës u afirmua ndërkombëtarisht si pjesë e barabartë e familjes evropiane dhe botërore të sportit.

Këto rezultate e avancuan ndjeshëm nivelin profesional dhe konkurrues të futbollit në vend, duke krijuar mundësi reale për pjesëmarrje në garat evropiane dhe për afirmimin e identitetit sportiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, dy klubet emblemë të qytetit të Gjilanit, FC Drita dhe SC Gjilani, kanë luajtur një rol të veçantë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditës sportive.

Kryendeshjet ndërmjet tyre, të zhvilluara për më shumë se tri dekada, paraqesin jo vetëm rivalitetin sportiv gjilanas, por edhe një trashëgimi të pasur kulturore e qytetare, që ka kontribuar në artikulimin, konsolidimin dhe avancimin e sportit në Kosovë, duke kaluar përmasat e gjeografisë sportive, lokale dhe shtetërore.

Rrjedhimisht, vepra “Derbi Drita – Gjilani”, në kuadrin e trajtimeve dhe studimeve bashkëkohore shqiptare, e cila shfaqet si një histori e ndërthurur e qëndresës, e pasionit dhe e përparimit shoqëror e institucional, shënon një hap të rëndësishëm në argumentimin dhe pasqyrimin e historisë sportive në Kosovë, të ndarë në tri periudha: të paraluftës, të pasluftës dhe të pavarësisë-integrimit.

Ajo, me pasqyrimin prej tridhjetë vitesh të ndeshjes së futbollit ndërmjet KF Dritës dhe SC Gjilanit, zë një vend të rëndësishëm në kolanën e botimeve të literaturës sportive të Kosovës, duke i dhënë sportit dhe të apasionuarve të futbollit një kontribut të theksuar me të arritura të larta e afirmative.

Për historinë dhe sportin e Kosovës, kjo vepër përfaqëson një hulumtim, studim dhe botim të mirëseardhur.

Dëshira e madhe për prezantimin e sportit në profesionin e gazetarisë, puna e vullnetshme dhe e përkushtuar, serioziteti dhe përvoja shumëvjeçare, respektivisht saktësia metodologjike dhe vlera e jashtëzakonshme e këtij botimi, e bëjnë autorin, dr. Enver Sadiku, të denjë për përgëzime të veçanta, ndërsa dy klubet e futbollit, FC Drita dhe SC Gjilani, mbeten gjithnjë meritore për mirënjohje të thellë dhe të përhershme.

Gjilan, 16.02.2026 Dr. Fitim RIFATI, redaktor shkencor i librit

You Might Also Like