OPINION

Prokurimi i Gjilanit në Prokurori

Shefik Surdulli, Këshilltar Komunal /sekretar i Degës së PDK në Gjilan/

Gjilan, 30 janar / Ndonëse me vonesë, megjithate është lajm i mirë, se prokuroria e Gjilanit ka ngritë aktakuzë kundër përgjegjësit të prokurimit në komunën e Gjilanit, z. Salih Kqiku, i dyshuar për zhdukjen e disa lëndëve tenderuese, sikundër që priten edhe ndjekje tjera penale ndaj drejtorëve tjerë të dyshuar për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Në qershorin e vitit të kaluar, PDK në Gjilan, e kishte ngritur shqetësimin e saj për katandisjen e qeverisjes komunale, me theks të veçantë për këto manipulime në arkivin kryesor të zyrës së prokurimit, përmes së cilës mbase ishte konstruktuar rrëfimi për ngritjen e aktakuzës ndaj disa zyrtarëve të qeverisjes së atëhershme komunale të PDK-së, me në krye z. Qemajl Mustafa, ish kryetar komune, ndaj të cilëve edhe më tutje drejtësia nuk e ka prerë punën e saj për ta shpallur pafajsinë e tyre.

Situatën, në këtë relacion, e kishte bërë më të qartë edhe një burim yni, një dokument zyrtar (shih kopjen e dokumentit), i përpiluar më datën 24.10.2014, nga tre zyrtarët komunal; Vehbi Geci (zyrtar i prokurimit), Halit Rexhepi (drejtor i drejtorisë komunale për Siguri dhe Emergjencë), si dhe vet drejtori i Departamentit të Prokurimit z. Salih Kqiku, ku përshkruhet qartazi gjendja kaotike dhe e pasigurisë së lartë të lëndëve arkivore të tenderimeve, në të cilën, në mënyrë “misterioze” ishte vendosur një Organizatë Jo Qeveritare (OJQ).

Prandaj, përgjigjjen se pse ishte thyer arkiva kryesore e zyres së prokurimit dhe pse në të ishte vendosur kjo organizate – OJQ (që e konstatojnë në procesverbal edhe vet zyrtarët e komunës), prokuroria duhet ta kërkojë te kryetari Lutfi Haziri, si autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe ekzekutiv i komunës, i cili edhe sot proklamon qeverisje me „duar të pastra“.

Kështu siç ka filluar, qeverisja e Lutfi Hazirit, edhe në këtë mandat, më shumë do të përballet me prokurorinë e gjyqësinë, se sa me hallet e qytetarëve, të cilët ia dhanë besimin për të dytën herë radhazi.

 

You Might Also Like