Libri

DO TË VIJ ME DIELLIN NË DUAR ( Sime bijë, Klodianës)

Avdush Canaj

Ti sot e ke
ditëlindjen e dytë
po unë jam larg
s’mund të uroj
as të të puth sytë

po të mundja
do të bëhesha zog
të fluturoja kah ti
me një thes dhurata
e përqafime një mijë
e një s’më lënë prangat
në të errten qeli
..
sigurisht tash je rritur
vishesh vetë
mbase ke mësuar
edhe vargje për lirinë
unë ta kam harruar
hijen
trëndelinë

dikur të merrja për dore
dhe dilnim në sheti
ti s’ecje
ti fluturoje si dallëndyshe
hareje
lëpije akullore dëshire

të bleja një
e ti kërkoje tri

thoshe
një për dacin
një për macjen
që rreziten në çati

s’ta prishja qejfin fare
të kisha këngë që rritet
këngë kitare
..
çdo ditë në dritarëzën
time të hekurt
guguron një lumbardhë
më ngjan në zërin tënd
krejtësisht pranverë
dua ta përkëdhel
të shuaj mallin për ty
po ajo ka frikë
ikën te mami i vet
me flatrat në erë
..
meqë s’mund të vij
këto vargje zemre
pas erës në këtë natë
po t’i çoj dhuratë

ti mos u mërzit
rritu
unë prangat do t’i thyej
një ditë
do të vij me diellin në duar
që t’i të jesh gjithmonë
e qeshur
gjithmonë
e gëzuar

Burgu i Foçës,
qershor 1985

Nga libri “ A fle peshku me pizhame”,Shtëpia Botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2008.

You Might Also Like