Në 80- vjetorin e themelimit të Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, prof. dr. Ruzhdi Ushaku, studiues i njohur i ka dhuruar kësaj biblioteke disa nga librat studimorë të tij, duke pasuruar fondin e kësaj biblioteke me libra, të cilët janë shumë të mirëseardhur për lexuesit gjilanasë.
Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku, ka qenë drejtori i parë shqiptar në Bibliotekën e Gjilanit, në fund të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Ai për një kohë kishte punuar edhe profesor i Gjuhës Frënge dhe i Gjuhës Latine në Gjimnazin “Zenel Hajdini” për të kaluar më pas në Univerisitetin e Prishtinës, në Katedrën e Degës dhe Letërsisë Frënge, ku ka punuar deri në pensionimin e tij.
Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, ka falënderuar profesorin Ushaku për kontributin e tij në rritën e kësaj biblioteke, kurse ka theksuar se librat e dhuruar do të jenë në shërbim të lexuesve dhe studiuesve, derisa dr. Ruzhdi Ushaku, ka theksuar se pas Ulqinit, Gjilanin e konsideron si vendlindjen e tij të dytë, ngase aty kishte nisur punën në procesin edukativ e arsimor dhe se ka kujtime shumë të mira nga koha e qëndrimit të tij në Gjilan në vitet e gjashtëdhjeta.
Pas ceremonisë së shënimit të tetëdhjetëvejtorit të Bibliotekës Ndërajonale në Gjilan, profesor Ushaku është ndalë në një bisedë të gjatë me ish- nxënës dhe ish- studentë të tij të dikurshëm që në fakt i përngjante një ligjërate për lashtësinë e gjuhës shqipe, studime mbi këtë gjuha të vjetër e të pasur.