Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se gjatë ditës së sotme janë marrë mostrat e 60 personave që do të testohen për të parë nëse janë prekur me virusin COVID-19 apo jo.
“Sot janë marrë 60 mostra për testim. Janë kontakte të personave që janë konfirmuar gjatë ditëve të fundit me COVID-19 në komunën tonë”, ka thënë Ismajli.
Ismajli tha se edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus.
Ai deklaroi se punonjësit e komunës të cilët kanë pasur kontakt me të po qëndrojnë të izoluar.
“Drejtori ka pasur kontakt me stafin e vet, në mesin e 60 personave që do të testohen janë edhe punonjësit e komunës, 25 persona të cilët po qëndrojnë të izoluar”, deklaroi Ismajli.
Në Gjilan deri me tani janë konfirmuar 98 raste me koronavirus.
Nga ta janë shëruar 71 persona, 25 janë aktivë ndërkaq 2 kanë vdekur.