Klubi i Dritës ka pasuruar vitrinat e saj edhe me një kupë, ngase në ndeshjen e Superkupës së Kosovës në Futboll, që është zhvilluar në Antalia në Turqi, ia ka dalë që të mposhtë Prishtinën dhe me plot meritë ka ngritur lart trofeun e çmuar.
Prishtina më mirë e nisi ndeshjen dhe që në minutën 8, pas një pasimi të gjatë, topi erdhi deri te Veliu, i cili shpërtheu nga e majta, harkoi në brendi dhe pas një intervenimi të ngathtë të mbrojtjes së Dritës, topi erdhi deri te Kryeziu, i cili nga afërsia qëlloi këndin e majtë të poshtëm të Malokut për rezultatin 1:0.
Në minutën 32, Drita pati rastin më të mirë nëpërmjet Lirridon Balajt, i cili gjuajti nga 16 metra, por topi për pak shkoi skaj shtyllës së majtë pingule të Gjokajt.
Në minutën 37 u dha penalti për Dritën, pasi që Boueye i Prishtinës e rrëzoi në brendi Blerim Krasniqin dhe gjyqtari turk Turkmen dha penalti . Nga pika e bardhë gjuajti Besnik Krasniqi që dërgoi topin në këndin e majtë të poshtëm të Gjokajt.
Në minutën 45, pas një kundërsulmi të shpejtë të Dritës, Harun KIariq nga prapa e ndali Almir Ajzerajn dhe mesfushori i Prishtinës u ndëshkua me karton të kuq. Nga gjuajtja e lirë Drita ka mundur të shënojë Drita, por në dy raste topin e ka ndalur portieri Gjokaj dhe rezultati i pjesës së parë mbeti 1:1.
Në pjesëlojën e dytë fillimisht ka rrezikuar Ajzeraj nga e majta, por gjuajtjen e tij e priti Gjokaj. Rrezikoi edhe Bejtullai nga largësia, por Gjokaj sërish priti e pas harkimit të Bejtullait në minutën 50, Abazaj me kokë qëlloi këndin e poshtëm të majtë të Prishtinës për rezultatin 2:1.
Në minutën 78, Faton Maloku për mrekulli priti gjuajtjen e devijuar të Ilijevskit, duke i pamundësuar ekipit kryeqytetas që të barazojë rezultatin.
Në minutën e fundit, Drita pati mundësinë që të sigurojë fitoren, por zëvëndësuesi Oniks Grezda ndonëse ishte i vetmuar para portës gjuajti jashtë pingules së djathtë të portës së Prishtinës.
Ky është trufeu i shtatë i Dritës në histori, katër herë kampion, i një herë fitues i Kupës së Kosovës dhe dy herë fitues i Superkupës së Kosovës në Futboll. /kryelajmi.com/.





