Futboll

Drita nis festën, është kampione e Kosovës në futboll

Drita është kampione e re e Kosovës në futboll. Skuadra gjilanase e siguroi titullin e kampionit të dielën me fitoren 1:0 ndaj Llapit.

Drita ka siguruar titullin e kampionit katër xhiro para fundit të edicionit 2024/2025.

Iljasa Zulfiu e shënoi golin e fitores për Dritën ndaj Llapit. Ai realizoi nga një goditje dënimi në minutën e 84-t të ndeshjes në Gjilan.

Drita i ka 69 pikë, 12 më shumë se Ballkani i vendit të dytë. Por gjilanasit i kanë fituar të gjitha tri ndeshjet me Ballkanin, kështu që edhe në rast se në fund skuadrat kanë pikë të barabarta, Drita do të jetë e para.

Pikërisht dominimin e Ballkanit e ka ndërprerë Drita. Ballkani i Suharekës i kishte fituar tre titujt e kaluar të kampionit.

Për Dritën e Gjilanit është titulli i katërt i kampionit. Të parin e kishte fituar në vitin 2003. Më pas triumfoi në kampionat edhe në edicionin 2017/18 dhe së fundi në edicionin 2019/2020. Prishtina më pas ishte kampione në edicionin 2020/2021, ndërsa Ballkani i fitoi tre titujt e kaluar.

Drita ka dominuar thuajse gjithë kampionatin dhe gradualisht bëri shkëputje me skuadrat tjera pretendente. Dhe të dielën, në ndeshjen e xhiros së 32-të, e siguroi titullin e kampionit. Prishtina mbetet skuadra më e suksesshme me 11 tituj të kampionit.

Drita tani është e dyta me katër tituj, ndërsa nga tre i kanë Ballkani, Feronikeli dhe Besa e Pejës.

You Might Also Like