ARSIMI

Duhani, ky vrasës i heshtur

Milona njerëz humbin jetën si pasojë e sëmundjeve që i shkakton konsumimi i duhanit. Miliona njerëz edhe më tej vazhdojnë të thithin tymin që heshtazi vret njerëz.

Fushatat kundër pirjes së duhanit vazhdojnë në tërë botën, por ato po janë të pafuqishme përballë prodhuesëve agresivë e tregtarëve të cilët gjenerojnë miliona, duke përfituar në fatkeqësinë e njerëzve.

Tymi vrastar më së shumti godet gjeneratat e reja, sidomos adoleshentët që herët nisin konsumimin e duhanit, kurse pikërisht në këtë temë, nxënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmerti” kanë nisur një projekt, me të cilin mëtojnë që të japin kontributin e tyre në parandalimin e pirjes së duhanit. Në projektin e titulluar “Përdorimi i duhanit nga adoleshentët”, ata theksojnë se këtë project e kanë nisur me qëllim që të vetëdijësojnë adoleshentët me dëmet që mund të shkaktojë përdorimi i duhanit. Ata kanë investuar mjekë specialistë të reparteve të ndryshme, psikologë e sociologë dhe nga ta kanë marrë sugjerimet se cilat janë sëmundjet që shkakton konsumimi i duhanit, sikurse që kanë hulumtuar edhe faktorët sociologjikë dhe ata psikologjikë që ndikojnë tek të rinjtë për të konsumuar duhanin.

Nxënësit kanë hartuar një pyetësor brenda dhe jashtë shkollës, nga i cili ka rezultuar se ka nxënës, të moshës 17-18 vjeçare, të cilët e konsumojnë duhanin dhe se ta që të fillojnë me konsumimin e duhanit kanë ndikuar shoqëria, problemet familjare, kureshtja e stresi. Disa nga ta kishin tentuar që të ndërprenë konsumimin e duhanit, por mbetja në shoqëri me duhanxhinj i shtyri ata që përsëri të fillojnë konsumimin. Nxënësit në shumicë janë në dijeni për problemet që i shkakton duhani, por ata edhe më tej vazhdojnë konsumimin. Kjo dukuri negative është në të gjitha shkollat e mesme të komunës së Gjilanit.

Për dëmet që shkakton duhani, tregojnë edhe mjekë specialistë sipas të cilëve duhani është shkaktar i shumë sëmundjeve të mushkërive, të zemrës dhe të organeve të tjera të njeriut, të cilat më pas mund të sjellin edhe deri te vdekja e pacientëve.

Se sa ësjhtë i dëmshëm duhani, nxënësit kanë demonstruar edhe nëpërmjet një eksperimenti të bërë, ku shihen dëmet që i shkakton nikotina, katrani, monoksidi e dyoksidi i karbonit.

Nga ky hulumtim i bërë ka dalë përfundimi se  ka shumë faktorë psikologjikë dhe sociologjikë të cilët ndikojnë tek të rinjtë që të konsumojnë duhanin, i cili është i dëmshëm në zhvillimin dhe rritën e tyre të mëtejme si dhe për shëndetin e tyre.

Sëmundjet më të shpeshta që shkakton konsumimi i duhanit nga adoleshentët janë sidomos sëmundjeve e organeve respiratorë, të mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe sëmundje të tjera, të cilat sjellin probleme të mëdha për shëndetin e njeriut dhe në fund përfundojnë me vdekje.

Hulumtimi ka nxjerrë në pah që duhet një vetëdijesim i të rinjve që të këshillohen për  të mos konsumuar duhanin, kurse ata që e kanë nisur konsumimin t’a ndërpresin atë sa më parë, ngase ai e dëmton shëndetin. Konsumimi i duhanit ka efekt negativ edhe për ambientin në të cilin jetojmë.

Sidomos më të rrezikuarit janë pacientët që vuajnë nga sëmundje të mushkërive dhe ata që kanë probleme me zemër, andaj ata duhet që menjëherë të ndërpresin pirjen e duhanit, ngase ai e keqson shëndetin e pacientëve.

Dëmet që i shkakton duhani janë të mëdha dhe janë të pariparueshme, por gjithmonë ka një mundësi për të ndërruar stilin e jetës, duke e rritur  aktivitetin fizik, duke përdorur  ushqim të shëndetshëm dhe  duke e shmangur stresin.

Në realizimin e këtij projekti kanë marrë pjesë profesorët që kanë qenë udhëheqës të projektit, si dhe nxënësit që kanë qenë realizues të këtij projekti, kurse e tërë kojë punë është pasqyruar në një emision të Radio Star dhe portaleve gjilanase.

You Might Also Like