Libri

Dy poezi nga Sabit Rrustemi

Dy poezi nga Sabit Rrustemi
 
SI DO T”RROJË KJO BOTË PA TONËN DASHURI
Ma fal atë Zemër të njomë
pulset e së cilës janë ngadalësuar
nëpër këto ngrica kohe
që kapluar kanë botën
e ta bëj një me zemrën time
Ky puls i imi
që s’pushoi asnjë çast për Ty
le të shkrihet në një puls të vetëm
e le t’rrahë për ne të dy
imja dashuri
Këtij planeti
i duhet një shpirt i paqtë
moj (f)Loçkë
një shpirt me gjuhë mjalti
si Ti
Merr çka të duash prej meje
merr e mos m’kurse
sall le t’pulsojë zemrës sate
kjo dashuri njerëzore
Në zgrip të gjallnisë
na solli barbaria e kësaj kafshe
me erë veriu
e frymë njeriu
ëndrra ime
Sa herë t’kam thënë e po ta përsëris
si do t’rrojë kjo botë
pa tonën dashuri
( 4 Mars 2022 )
 
TI DHIMBJE E DASHURI E PA FUND
( Ukrainasëve që po e mbrojnë atdheun e tyre me çdo çmim )
Nuk jemi parë as prekur
sepse s’jemi njohur ende Jamala
a unë dhimbjen tënde
bartur nëpër shekuj mbi supe e breza
e kam dëgjuar
E dëgjoja e dridhesha prej atyre gjëmave
si sot atdheu yt
si dje atdheu im
nga e njëjta barbari
Pak punë pse nuk e kuptoja atë gjuhë
i lexoja pamjet tua
nisur prej buzëve
syve
duarve
Asaj ecjeje përplasjeje nëpër euroëndrra
e euroshpresa në të cilat rropatesha
dhe unë
Jamalë
M’i përlote sytë
sepse ndjenjat e bënë të veten
ky gjak që lëvizë nëpër vena
anise ti dje as që mendoje për mua
siç bëj unë sot e s’të heq nga mendja
A pate kohë për t’i mbyllur sytë në natën që iku
( anise të zezat tona ende s’ikën )
Si e prite këtë mëngjes pa puthje
e një përshëndetje që falë dashuri
mes asaj katrahure
ku granatimet shpërndahen vetëtimthi
e s’janë kafe mëngjesi
po
ngjethma trishtuese shpirti
Fatin e nënave tona ndjen tash ti
at fat të zi motrash e të dashurash
që uroj t’mbetet në histori
Nuk do ta kisha dëshiruar
një përgjasim fatesh si ky
as Ty
po mbaju
se kalon edhe kjo furi
me ata djajë të zi
Unë sot në anën tënde jam
lutem
uroj
falë atij zëri që dhe tash e dëgjoj
Jamalë
Jamalë
Siç e bëre për vete në botë
dhe e lidhe për Fatin Tënd
( ku jam dhe unë )
mbroje atë ëndërr lirie
që e gjakove me ngulm
Ti dhimbje
e dashuri e pa fund
si imja Kosovë
( 25 – 27 shkurt 2022 )

You Might Also Like