Gjilan

Jasharajt jetojnë përgjithmonë, si legjenda të kombit tonë

Gjilan, 5 mars 2022 / Për nder të 5 marsit – manifestimit tradicional ‘Epopeja e UÇK-së’, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancë solemne, ku kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se më 5 mars mbushën 24 vjet nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe 55 anëtarëve të familjes së tij, ku një familje e tërë, me një unitet mendimi e veprimi, lufton dhe bie për çlirimin dhe krijimin e një shteti, Kosovës.

Sakrificën e madhe historike të familjes Jasharaj, ne kemi për obligim ta përçojmë brez pas brezi, sepse ata vdiqën për të mos u harruar kurrë.

‘Ata jetojnë në mendjet dhe zemrat tona, ata na frymëzojnë për të çuar përpara idealet e tyre. Vuajtjet e tyre janë forca jonë. Qëndresa e palëkundur e tyre na tregon se sa e shtrenjtë është liria”, ka thënë më tutje kryetari Hyseni, duke nënvizuar se beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për ta jetësuar idealin e brezave për të jetuar të lirë.

‘Sot, ne u falemi atyre, sot ne jemi këtu vetëm për t`i kujtuar emrat e viktimave të kësaj masakre, të kësaj beteje, por edhe për ta nderuar kujtimin e tyre, sepse ata jetojnë përgjithmonë, si legjenda të kombit tonë.

‘Shtëpia e Jasharajve është simbol i qëndresës stoike e historike, ajo është prova e prekshme e përjetimit të masakrës së fëmijëve dhe e rikujtimit se çka u sakrifikua për liri.

Përmes tyre dhe sakrificës së tyre, ne flasim me gjuhën e kujtesës, nuk harrojmë vuajtjet e së shkuarës, sepse të gjithë dhanë diçka, por dikush i dha të gjitha.

Dëshmorët e kombit janë vlera jonë e përhershme dhe historike’, ka thënë ndër të tjera, në fjalën e tij të rastit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Kurse, Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, tha se muaji mars na sjell në mendje momente të trishta, por edhe ndjenja krenarie, na sjell në mendje luftën, por edhe na rikujton arsyen pse ne sot frymojmë, jetojmë e punojmë lirshëm.

‘Adem Jashari, së bashku me 56 anëtarë të familjes, përfshirë gra, pleq, fëmijë ranë heroikisht, dhe nami i heroizmit të tyre bëri jehonë në të gjitha trojet shqiptare, u bë shkëndijë që ndezi flakët e pushkëve të lirisë, të cilat nuk u shuan deri në çlirimin e Kosovës’.

Sadiku tha se mirënjohjen dhe kujtimin për veprën madhështore të tyre ne e përjetësojmë duke punuar e realizuar amanetet e tyre, prandaj le të vazhdojmë ta forcojmë shtetësinë e fituar me gjakun e të rënëve, e të përkujtojmë Epopenë e UCK-së, si betejë e kthesës së madhe që përcaktoi të ardhmen dhe ua ktheu dinjitetin shqiptarëve.

Fjalë rasti ka mbajtur edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, i cili tha se familja Jashari, me shembullin e vetë u bë emblemë e shqiptarëve në luftën për liri.

‘Detyrë e jona sot është të punojnë e ta ndërtojmë shtetin tonë ashtu siç e kanë dashur dëshmorët’, ka thënë Isufi.

You Might Also Like