I bëri kampione disa ekipe kosovare, karrierë bëri edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri e tashti do të jetë kryetrajner i Gjilanit. Zekiria Ramadani, kryetrajneri i deridjeshëm i Egnatias në Shqipëri, tashti pritet të drejtojë ekipin kuq e bardhë nga Gjilani. Ndonëse kishte patur paralajmërime edhe më herët se është pikërisht Ramadani që do të jetë kryetrajner i Gjilanit, vetëm tashti është bërë e ditur se do të jetë pikërisht ai.
Burime të sigurta brenda SC Gjilani kanë bërë me dije se më së largu sot ( e hënë) apo nesër (e martë), Zekiria Ramadani edhe zyrtarisht do të jetë kryetrajner i Gjilanit. Të gjitha detajet tjera janë kryer e tashti pritet vetëm zyrtarizimi. Megjithëse është përfolur se do të ketë ndryshime edhe në fundin e lojtarëve deri më tashti asgjë nuk ka zyrtare, ngase po pritet së pari zyrtarizimi i kryetrajnerit./kryelajmi.com/.