KRONIKË E ZEZË

Katër zyrtarët e Ranillugut lirohen nga akuzat për korrupsion

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç dhe Srgjan Dimitrijeviq, për akuzat se në tenderin për rindërtimin dhe përmirësimin e ndriçimit rrugor në Komunën Ranillugut, më 2018, nuk iu përmbajtën paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej 8 mijë e 307 euro.

Shpalljen e këtij aktgjykimi, e bëri kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi, të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë anekse në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 28 tetor 2021, nga Prokuroria Themelore e Gjilanit që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranillug, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtarë në Komunën e Ranillugut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull “Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018”, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur përmasës dhe parallogarisë së këtij tenderi.

Me mosveprimet e tyre, sipas aktakuzës ata kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8 mijë e 307 euro, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë pozicione të pakryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të Komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranilluhut i paguan si pozicione të kryera.

Me këto veprime, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1 të nenit 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

You Might Also Like